Raporti i ngjarjeve për 72 orët e fundit, Policia e Shtetit

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Last Chance”. Operacioni nga Komisariati i Policisë Nr. 6, për goditjen e aktivitetit të paligjshëm në fushën e lojërave të fatit. Goditen 2 raste të organizimit të lotarive të palejuara, arrestohen në flagrancë 2 shtetas. Sekuestrohen 2 aparate celulare që dyshohet se përdoreshin për ushtrimin e aktivitetit të lojërave të fatit.  Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6, bazuar në informacionet e marra në rrugë policore, se dy shtetas ushtronin aktivitetin e paligjshëm të lotarive të palejuara nëpërmjet aparateve celulare, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Last Chance”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve A. A., 34 vjeç, dhe A. B., 50 vjeç, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”. Gjatë kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë, këta shtetas u konstatuan duke ushtruar aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit, nëpërmjet lotarive sportive, në dy lokale të ndryshme, konkretisht A. A., klient në një lokal në rrugën “Hamdi Cenoimeri” dhe A. B., klient në një lokal në rrugën “Llambi Bonata”. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy aparate celulare që dyshohet se përdoreshin për ushtrimin e aktivitetit të lojërave të fatit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”.

Fier – Finalizohet një tjetër operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Operacioni policor i koduar “Dërmënasi”, i zhvilluar nga DVP Fier dhe Komisariati i Policisë Fier. Vihen në pranga 4 shtetas që u kapën në flagrancë duke shkëmbyer lëndë narkotike. Sekuestrohen 1 armë gjahu, municion luftarak, 1.3 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, 1 peshore elektronike për peshimin e lëndës narkotike, shuma 100.000 lekë të rinj me të cilën do blihej lënda narkotike, 3 automjete, 7 aparate celulare dhe 2300 euro që u gjetën gjatë kontrollit në banesat e shtetasve të arrestuar.  Po gjatë operacionit, Policia bllokoi dhe dy armë zjarri pistoleta, të cilat do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore në Tiranë, për ekzaminime të mëtejshme, për të parë nëse janë përdorur në ndonjë ngjarje kriminale. Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Njësia Operacionale në DVP Fier, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Fier, pas një punë të mirorganizuar, bazuar në informacionet e grumbulluara për disa shtetas që posedonin lëndë narkotike dhe që do bënin shkëmbimin e saj, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Dërmënasi”. Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve B. D., 34 vjeç dhe R. K., 38 vjeç, banues në Kurjan; I. G., 30 vjeç dhe K. G., 24 vjeç, banues në Dërmënas. Katër shtetasit e arrestuar janë kapur gjatë operacionit, në fshatin Fermë Çlirim, në momentin e shkëmbimit të lëndës narkotike.   Gjithashtu filloi procedimi penal për shtetasin L. G., 29 vjeç, banues në Dërmënas, pasi gjatë kontrollit të banesës iu gjet një armë gjahu.  Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.  Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.

DVP Korçë – Goditet një rast i veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së minave me telekomandë, duke parandaluar ngjarje të mundshme kriminale. Finalizohet operacioni policor i koduar “Remote”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme “Shqiponjat”, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë. Sekuestrohen 3 mina me telekomandë. Vihet në pranga 1 shtetas. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Korçë, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme “Shqiponjat”, nën drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë, finalizuan me sukses operacionin e koduar “Remote”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit I. B., banues në Korçë. Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore se një shtetas do të tentonte të shiste mina me telekomandë, u organizuan shërbimet, u bë i mundur lokalizimi i personit dhe kapja e tij në aksin rrugor Korçë-Pogradec, pranë vendit të quajtur Qafë-Plloçë. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga forcat e policisë shtetasit I. B., iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3 mina me telekomandë. Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të kundërligjshme dhe për vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 200 shtetas, konkretisht: 11 janë ndaluar, 53 janë arrestuar në flagrancë dhe 136 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 10 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 20 raste, me 8 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 14 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit, në gjithë territorin, gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 13 raste, konkretisht: 5 raste të “Kanosja”; 4 raste të “Plagosja e lehtë me dashje” dhe 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, ku autori është arrestuar në flagrancë; 1 rast i “Vrasja”, ku po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 8 raste të dhunës në familje, në të gjithë vendin, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 7 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 20 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.

Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 18 raste, 8 raste me 3 autorë të ndaluar/arrestuar në flagrancë dhe 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 10 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 14 raste të ndërtimit pa leje, në të gjithë vendin, me 15 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 12 shtetas dhe është arrestuar në flagrancë 1 tjetër, për shkatërrim prone.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas dhe është arrestuar në flagrancë 1 tjetër, për vjedhje të energjisë elektrike.

Janë arrestuar në flagrancë 3 shtetas dhe është proceduar penalisht 1 tjetër, për korrupsion ndaj punonjësve të policisë.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.

Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas për “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit” dhe janë proceduar penalisht 2 shtetas të tjerë, për mbajtje pa leje të armëve të ftohta.

Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.

Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.

Janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”.

Janë proceduar penalisht për veprën penale “Vetëgjyqësia”.

Është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.

Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për veprën penale “Keqpërdorimi me dashje i thirrjeve telefonike”.

Janë procdeduar penalisht 6 shtetas, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjketeve të transportit”.

Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Janë arrestuar në flagrancë 18 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë proceduar penalisht 8 shtetas dhe janë arrestuar në flagrancë 2 të tjerë, për “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor.

Janë arrestuar në flagrancë 6 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, kanë ndodhur 11 aksidente, me 13 persona të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.