Raporti i ngjarjeve për 72 orët e fundit, Policia e Shtetit

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Shkodër – Një tjetër person në kërkim ndërkombëtar ka rënë në pragat e Policisë.  Kapet 37-vjeçari i dënuar nga drejtësia italiane me 6 vite burg për “Shfrytëzim prostitucioni”. Operacioni nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, Departamenti i Policisë Kriminale dhe Interpol Tirana. Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale dhe Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, në vijim të operacioneve për kapjen e personave në kërkim kombëtar e ndërkombatër, pas informacioneve të marra në rrugë operative, kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin, për llogari të autoriteteve gjyqësore italiane, e shtetasit A. D., 37 vjeç, banues në Shkodër. Ky shtetas nga periudha 01.01.2012 deri 18.01.2014 në bashkëpunim me persona të tjerë ka shfrytëzuar femra me qëllim prostitucioni, duke përdorur dhe dhunë.
Gjithashtu, ky shtetas gjatë kohës së qëndrimit në Itali ka përdorur pasaporta të falsifikuara. Gjykata e Apelit Milano/ Itali e ka dënuar me 6 vjet burg për kryerjen e veprave penale “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Falsifikim i pasaportave”, parashikuar nga Kodi Penal Italian. Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Romën po vijon punën për plotësimin e proceduarave me qëllim ekstradimin e 37-vjeçarit drejt Italisë.

Tiranë – Goditet një tjetër rast i kalimit të paligjshëm të kufirit me dokumente të falsifikuara, kundrejt fitimit 15 000 paund britanikë. Finalizohet operacioni policor “LUTTON”. Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas. Në pranga 2 shtetas dhe 1 shpallet në kërkim. Në vijim të punës për parandalimin evidentimin dhe goditjen e personave që ushtrojnë veprimtari kriminale në fushën e falsifikimit të dokumenteve me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative nga burime të ndryshme, finalizoi me sukses operacionin e koduar “LUTTON”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi i shtetasve V. L., 52 vjeç, lindur dhe banues në Mamurras, Kurbin dhe H. N., 19 vjeç, lindur dhe banues ne Burrel, Mat.  Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasi V. L., rezident në Itali, pasi kishte siguruar paraprakisht dokumente të falsifikuara italiane me gjeneralitetet e një shtetasi tjetër, ka ardhur në Shqipëri dhe ka pajisur me këto dokumente shtetasin H. N. Pas pasjisjes me këto dokumente, shtetasi V. L. do ta shoqëronte shtetasin H. N. nga aeroporti i Rinasit, transit drejt aeroportit të Venecias me destinacion final në aeroportin e Luttonit, në Mbretërinë e Bashkuar, kundrejt përfitimit 15 000 paund britanikë. Gjithashtu, u bë shpallja në kërkim e shtetasit A.L., i dyshuar si bashkëpuntor në këtë vepër penale. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshem të kufirit”, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose i vizave” dhe “Falsifikim i dokumenteve”.

Qafë Botë, Sarandë – Policia Kufitare parandalon dhe godet një tjetër tentativë për trafikim të lëndëve narkotike. Sekuestrohen 32 kg kanabis në një automjet. Vihet në pranga drejtuesi i mjetit. Shërbimet e Policisë Kufitare në bazë të analizës së rriskut kanë çuar për kontroll në vijën e dytë një automjet për të cilin dyshonin se mund të transportonte lëndë narkotike. Shërbimet e Policisë Kufitare, gjatë kontrollit të ushtruar në automjet duke përdorur edhe qenin antidrogë, kanë konstatuar se në brendësi të automjetit kishte lëndë narkotike. Menjëherë është njoftuar grupi hetimor dhe Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Komisariatin e Policisë Sarandë, të cilët pas kontrollit të imtësishëm të automjetit, kanë gjetur dhe sekuestruar në brendësi të mjetit rreth 32 kg canabis sativa. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, Specialistët për Hetimin e Narkotikëve kanë arrestuar në flagrancë drejtuesin e mjetit shtetasin  N.R., 34 vjeç, banues në Sarandë. Policia Kufitare ka shkëmbyer menjëherë informacion me homologët grek për të bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e pritësit të lëndës narkotike. Në bashkëpunim me Prokurorinë Specialistët për Hetimin e Narkotikëve vijojnë punën për zbardhjen e plotë të kësaj tentative, me qëllim identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar. Materialet iu referuan Prokurorisë për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

Tiranë – Finalizohet operacioni “Përsëritësit”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës. Operacioni nga Komisariati i Policisë Nr. 2. Vihen në pranga tre shtetas. I vjedh celularin në rrugë nga çanta një shtetaseje, identifikohet dhe arrestohet autori. Në pranga 37-vjeçari, i dënuar më parë me 18 muaj burg për vjedhje. Në pranga edhe dy shtetas të tjerë, të cilët dyshohet se kanë kryer disa vjedhje banesash e marketesh. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, kapjen dhe vënë para përgjegjësisë ligjore të autorëve, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Përsëritësit”, si rezulat i të cilit u kapën dhe u ndaluan shtetasit: P. K., 37 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë me 18 muaj burg për veprën penale “Vjedhja”, E. R., 34 vjeç, lindur dhe banues në Sauk, Tiranë, i dënuar më parë për falsifikim dokumentesh dhe R. M., 25 vjeç, lindur dhe banues në Sauk, Tiranë. Shtetasi P.K., në rrugën “Myslym Shyri”, i ka vjedhur një shtetasje, nga çanta e krahut, celularin iPhone XS Max. Në cilësinë e provës materiale u sekestrua celulari i vjedhur nga 37-vjeçari. Po ky shtetas dyshohet edhe për vjedhje të tjera, të kryera në këtë formë dhe vijon puna për dokumentimin e tyre. Ndërsa shtetasit E.R dhe R.M në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke përdorur çelësin e banesës së shtetases L.A, kanë vjedhur në kohë të ndryshme, gjatë muajit korrik dhe gusht të këtij viti lekë, euro, bizhuteri, celularë, një kartë bankomati në emër të shtetases L. A., me anë të së cilës kanë kryer tërheqje lekësh në bankomat nga llogaria e kësaj shtetaseje. Shtetasit E.R. dhe R.M. dyshohet se kanë kryer vjedhje të një marketi, një varëse floriri, të cilën ja kanë marrë nga qafa një shtetaseje dhe vjedhje banesash, për të cilat vijon puna për dokumentimin e tyre. Materialet e para procedurale do t’i kalohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprën penale “Vjedhja”, në ngarkim të shtetasit P.K dhe për veprën penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim për shtetasit E.R dhe R.M.

Fier – Policia e Fierit vë në pranga 5 persona në lidhje me konfliktin në Levan të Fierit. Arrestohet personi që plagosi me armën e punonjësit të Policisë një shtetas në urgjencën e Spitalit Fier. Në vijim të veprimeve të kryera nga grupi i posaçëm hetimor për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, dokumentimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave përgjegjës për ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Levan dhe më pas në urgjencën e Spitalit Fier, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: D.B, 21 vjeç, G.B., 22 vjeç, të dy banues ne Levan, Fier, për veprat penale “Vrasje me dashje mbetur në tentativë”dhe “Goditje për shkak detyrës të punonjësit të rendit publik”. Nga veprimet e para hetimore rezultoi se shtetasi D.B, dyshohet se është autori i plagosjes me armë zjarri, i cili është kapur dhe arrestuar në orët e para të mëngjesit të sotëm. Gjithashtu u bë arrestimi për veprat penale “Vrasja me dashje mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftoha” i shtetasve A.Zh., 51 vjeç, banues në Ferras, E. K., 32 vjeç, banues në Vlorë dhe A. Zh., 22 vjeç, banues në Ferras, Fier. Nga veprimet e para hetimore rezulton se konflikti ka nisur për motive banale në një lokal. Në cilësinë e provës materiale u bë sekuestrimi i një arme gjahu, dy mjeteve prerëse dhe tre automjeteve. Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.

Gjirokastër – Ndalohet ish-drejtori i Agjencisë së Mirëqenies dhe Kujdesit Social për veprën penale “Shpërdorim detyre”. Arrestohet në flagrancë një shtetase për veprën penale “Vjedhja e energjisë elektrike” dhe një shtetase tjetër shpallet në kërkim. Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimin Ekonomik e Financiar në D.V.P. Gjirokastër u ndalua shtetasi A.M., 49 vjeç, banues në Gjirokastër, për veprën penale “Shpërdorim detyre”. U bë arrestimi në flagrancë i shtetases L.B., 40 vjeçe, banuese në Gjirokastër, për veprën penale “Vjedhje e energjisë elektrike”. Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasja E.Zh., 53 vjeçe, banuese në Gjirokastër, për veprën penale “Vjedhja e energjisë elektrike”. Arrestimi, ndalimi dhe shpallja në kërkim i shtetasve të mësipërm u bë pasi në depon e A.M.K.S. Gjirokastër është konstatuar një kabllo elektrike e lidhur në mënyrë të paligjshme, i cili përcillte energji elektrike në një objekt dykatesh, ambient i përshtatur për aktivitet tregtar, në përdorim nga shtetësia L.B dhe E.Zh., veprim i cili është kryer me miratimin e ish-drejtorit të A.M.K.S. Gjirokastër A.M, i cili i kishte të afërme shtetaset e mësipërme. Veprimet hetimore janë kryer nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për hetime të mëtejshme.

Tiranë – Kapet një tjetër person në kërkim ndërkombëtar, i dënuar nga drejtësia italiane për përdhunim, rrëmbim e vepra të tjera penale. Operacioni nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, Departamenti i Policisë Kriminale dhe Interpol Tirana. Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim kombëtar e ndërkombëtar, Sektori i Forcës së Posaçme Operacioneve Speciale dhe Kërkimit, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale dhe Interpol Tirana, zhvilloi një operacion për kapjen e një të kërkuari nga drejtësia italiane, si rezultat i të cilit, në rrugën ”Arkitekt Sinani”, Tiranë, u bë e mundur kapja e 30-vjeçarit E.B., banues në Tiranë. Arrestimi i përkohshëm i tij u krye pasi shtetasi E. B. ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma. Gjykata e Apelit Milano/ Itali e ka dënuar këtë shtetas me 7 vjet burg për kryerjen e veprave penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë”, “Rrëmbim” dhe vepra të tjera. Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Romën vijojnë punën për ekstradimin e tij drejt Italisë.

Tiranë – Finalizohet një tjetër operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e drogave të forta. Operacioni i koduar “Klienti”, zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 2 në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në D.V.P. Tiranë. Sekuestrohet 306 gramë kokainë. Në pranga poseduesi i lëndës narkotike që e shpërndante në doza të vogla. Në kuadër të kontrolleve të shtuara dhe goditjeve të njëpasnjëshme të realizuara nga stukuarat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale, të shpërndarjes në doza të vogla të drogave të forta kryesisht Kokainë, Shërbimet e Kom. Pol. Nr. 2 në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve kanë finalizuar operacionin e koduar “Klienti”, duke arrestuar në flagrancë shtetasin A.H., 45 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas në rrugën “Prokop Mima” po lëvizte me motorr ku gjatë ndërhyrjes së policisë ka hedhur në tokë dy kartopeceta brenda së cilave kishte lëndë narkotike e dyshuar llojit Kokainë. Këtë lëndë e kishte bërë gati për t’ua çuar klientëve që e kishin porositur. Nga kontrolli i banesës ju gjet dhe një sasi tjetër Kokaine, në total 306.2 gramë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Në bashkëpunim me Prokurorinë, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve vijon puna për identifikimin, kapjen dhe arrestimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprën penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Korçë – Arrestohet në flagrancë një shtetas, i cili posedonte armë zjarri, municion luftarak pa leje, si edhe një sasi të konsiderueshme eurosh të pajustifikuara. Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik Financiar, në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit D.Ç., 54 vjeç, banues në fshatin Dishnicë, Korçë. Nga informacione të siguruara në rrugë policore, si edhe nga kontrolli që shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë ushtruan në lokalin dhe më pas në banesën e tij, iu gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri tip pistoletë me mulli, me 6 fishekë luftarakë pa leje, si edhe rreth 40 000 Euro, sasi monetare kjo e pajustifikuar nga 54-vjeçari. Shtetas D.Ç. dyshohet të ketë konsumuar elementë të veprave penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme.

Devoll – Specialistët e Sektorit për Krimin Ekonomik-Financiar, në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: E.B, 25 vjeç dhe V.B, 44 vjeç, si edhe po punohet për kapjen e shtetasit D.B.,30 vjeç, të tre banues në fshatin Menkulas, Devoll. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Devoll, në hyrje të fshatit Menkulas, kanë konstatuar shtetasit E.B. dhe V.B., të cilët kishin kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme dhe po transportonin konfeksione të ndryshme (rroba) që i kishin futur kontrabandë. Nga veprimet e para hetimore të kryera, shtetasi D.B., i shpallur në kërkim, rezulton të jetë porositësi dhe pritësi i mallrave. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera, kryer në bashkëpunim” dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.

Vlorë – Policia Kufitare u vjen në ndihmë 4 të rinjve nga Vlora, të cilët rrezikuan jetën në det, me një mjet lundrues. Katër të rinjtë kishin dalë në Karaburun, me një mjet lundrues me qëllim për ta testuar nga ana mekanike, por gomonia ka pësuar defekt në motor, duke rrezikuar jetën e tyre. Dy prej tyre kanë mundur të dalin me not në breg të gadishullit dhe kanë kërkuar ndihmë për dy shokët e tjerë, që ndodheshin në bordin e mjetit lundrues. Shërbimet e Policisë Kufitare kanë shkuar në kohë në drejtim të adresës së dhënë dhe pas kërkimeve në det, në vendin e quajtur “Gjiri i Varkave”, kanë  gjetur mjetin lundrues tip gomone, së bashku me shtetasit, R.M. dhe E.A, të cilët ndodheshin në bordin e mjetit lundrues. Shërbimet e Policisë Kufitare kontaktuan edhe me dy shtetasit e tjerë K.M dhe A.M, të cilët telefonuan për ndihmën e shokëve. Katër të rinjtë janë transportuar me mjetin lundrues të Policisë për në Triport, së bashku me mjetin e tyre lundrues. Katër shtetasit janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Durrës – Njoftim për shtyp/Më datë 01.09.2019 është arrestuar në flagrancë shtetasi V.P., 41 vjeç, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, pasi në lagjen nr. 14 është kapur nga Shërbimet e Qarkullimit Rrugor Durrës duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur.

Gjithashtu, Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës kanë bërë  të mundur ndalimin  e shtetasit në kërkim N.K., 56 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Durrës e ka dënuar me 2 muaj burg për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Ndërkohë, është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit J. Xh., 20 vjeç, pasi dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të një banese.

 

Memaliaj – Kapet në kohë rekord autori i vrasjes. Si rezultat i veprimeve të shpejta, marrjes së informacionit dhe bashkëpunimit me DVP Fier, më Levan të Fierit, u bë e mundur kapja e autorit të vrasjes së shtetasit I. Sh., 77 vjeç, banues në fshatin Shalës, Memaliaj.  Policia e Fierit pas marrjes së informacionit se autori i vrasjes, shtetasi Arjan Shaha, 35 vjeç, djali i viktimës, po lëvizte në një fugon në drejtim të Tiranës, ka ndërhyrë menjëherë duke ndaluar mjetin dhe arrestuar autorin e vrasjes, i cili do të transportohet në Gjirokastër për veprime të mëtejshme.

 

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 186 shtetas, konkretisht: 70 janë arrestuar, 16 janë ndalur dhe 100 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndalur 6 persona, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve, në të gjithë territorin, janë evidentuar 26 raste, me 11 autorë të arrestuar dhe 21 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 28 raste, konkretisht: 8 raste të “Kanosja”, 8 raste të “Plagosja e lehtë me dashje” dhe 11 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 32 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, në qarkun Fier, me 5 autorë të arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 9 raste të dhunës në familje, në të gjithë territorin, me 6 autorë të arresrtuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si edhe janë plotësuar 20 kërkesë– padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 34 raste, në të gjithe territorin, 12 raste me autorë të identifikuar dhe proceduar dhe 22 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 25 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, në të gjithë vendin dhe të gjithë autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Ëhtë evidentuar 1 raste i “Organizimi i lotarive të palejuara”, në Dibër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 17 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 25 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 22 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, në të gjithë territorin.

Janë evidentuar dhe proceduar 18 shtetas që drejtonin mjetin nën efektin e alkoolit, në të gjithë territorin.

Janë evidentuar 5 shtetas që kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, të cilët po procedohen në gjendje të lirë.

 

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.