Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Tiranë – Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. U kap në flagrancë duke transportuar emigrantë të paligjshëm, me një mjet që e drejtonte pa leje drejtimi, vihet në pranga 17-vjeçari. Shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij. Në pranga dhe një 19-vjeçare, që dyshohet se siguronte lidhjen midis të arrestuarit, të shpallurit në kërkim dhe emigrantëve. Në vijim të punës për të parandaluar dhe goditur aktivitetin e paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja” në DVP Tiranë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve G. M.,17 vjeç dhe G. B., 19 vjeçe. Si dhe u shpall në kërkim shtetasi A. Sh., 23 vjeç. Shtetasi G. M. është kapur në flagrancë në rrugën “Allaman Dervsihi”, Tiranë, duke transportuar me një automjet, të cilin e drejtonte pa lejen përkatëse, emigrantë të paligjshëm, të cilëve iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesës. Shtetasja G. B. dyshohet se siguronte lidhjen midis shtetasve G. M., A. Sh. dhe emigrantëve. Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të mjetit, u gjet dhe u sekuestrua një sasi me lëndë narkotike kokainë. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Manzë/Durrës – Vijon zbatimi i planit të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore. Bllokohet nga Policia, 1 automjet që transportonte lëndë drusore të prerë në mënyrë të paligjshme. Procedohet penalisht drejtuesi i mjetit që po transportonte lëndë drusore. Në zbatim të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, shërbimet e Policisë Manzë, kanë konstatuar dhe ndaluar në aksin Rrugor Manzë-Shkallë, mjetin tip “Benz” që po transportonte lëndë drusore. Gjatë kontrollit të ushtruar, shërbimet e Policisë kanë konstatuar se drejtuesi i mjetit, shtetasi G. T., 40 vjeç, po transportonte lëndë drusore të prera në mënyrë të paligjshme. Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin dhe Parandalimin e Krimit në Stacionin Policor Manzë kanë proceduar penalisht për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”, shtetasin G. T., 40 vjeç, banues në fshatin Shetaj, Durrës. Materialet në ngarkim të shtetasit G. T. janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme. Policia e Shtetit do të vijojë kontrollet për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore dhe në këtë kuadër kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë 112, duke siguruar anonimatin dhe reagim të paanshëm kundrejt shkelësve të ligjit.
Tiranë – Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve A. Gj, 37 vjeç, T. R, 60 vjeç dhe E. H, 40 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur. Më datë 10.10.2021, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për një 14-vjeçar, pasi është konfliktuar me sende të forta me dy bashkëmoshatar të tij, të cilët kanë mbetur dëmtuar dhe ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën. Punohet për dokumentimin e plotë të ngjarjes. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.
Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 159 shtetas, konkretisht: 10 janë ndaluar, 63 janë arrestuar në flagrancë dhe 86 po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 23 raste, me 15 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 14 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 17 raste: 7 raste të “Kanosja”, 8 raste të “Plagosja e lehtë me dashje” dhe 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 13 raste, me 7 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 20 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 29 raste, 7 raste me 6 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 22 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 3 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të ndërtimit pa leje, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave” dhe 2 të tjerë për falsifikim dokumentesh.
Është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Shpërdorim detyre”.
Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për kundërshtim të punonjësit të policisë dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë, për “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.
Janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe është proceduar penalisht 1 tjetër, për “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 14 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 19 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë arrestuar në flagrancë 2 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 5 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Janë arrestuar në flagrancë 15 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.