Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Lezhë / Zbardhet shkaku i djegies së automjetit të shtetasit N. P.Rreth orës 04:00 të mëngjesit të sotëm, është marrë njoftim se në Ishull Shëngjin po digjej automjeti tip “Benz”, në pronësi të shtetasit N. P., 56 vjeç, të cilin ky shtetas e kishte parkuar në rrugë, në afërsi të banesës.Menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor nga strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Lezhë, i cili nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë dhe në bashkëpunim me ekspertë të MZSH Lezhë, ka kryer veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.Si rezultat i veprimeve hetimore të shpejta dhe profesionale, bazuar dhe në ekspertimin piroteknik të kryer, ka rezultuar se djegia e automjetit nuk është shkaktuar nga faktorë të jashtëm, por nga probleme teknike të automjetit.Për këtë arsye ngjarja është klasifikuar aksidentale. Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për vlerësim.
Librazhd/ Informacion paraprak-Më datë 21.11.2022, rreth orës 03:10, në lagjen Nr.1, Prrenjas, në pjesën e pasme të lokalit në pronësi të shtetasit Dh. K., 52 vjeç, banues në Prrenjas, ka shpërthyer një sasi e vogël lënde plasëse dhe si pasojë, janë shkaktuar vetëm dëme të vogla materiale. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Maliq/Informacion paraprak-Më datë 19.11.2022, rreth orës 17:20, në aksin rrugor Korçë-Pogradec, në afërsi të fshatit Pirg, Maliq, automjeti tip “Audi” me drejtues shtetasin A. R., ka përplasur këmbësorin F. Z., rreth 64 vjeç, banues në fshatin Pirg, Maliq, i cili për pasojë ka gjetur vdekjen.Me shtetasin A. R., po kryhen veprimet e mëtejshme procedurale.Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkaqeve të aksidentit.
Mallakastër-Falë reagimit në kohë dhe veprimeve profesionale të Policisë, zbardhet vjedhja me dhunë dhe nën kërcënimin e armës, e ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në fshatin Klos, Mallakastër.Finalizohet operacioni policor i koduar “Klosi”.Vodhën me dhunë dhe nën kërcënimin e armës, një shumë parash, në banesën e një të moshuari, arrestohen në flagrancë 2 autorët e dyshuar.Sekuestrohet arma e zjarrit dhe automjeti që autorët përdorën gjatë vjedhjes.Rreth orës 08:00 të datës 19.11.2022 është njoftuar salla operative se në orën 02:30, në fshatin Klos, Mallakastër, kishte ndodhur një vjedhje me dhunë, në një banesë.Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë organizuan punën për zbardhen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale, bazuar dhe në inteligjencën informative, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes dhe identifikimi i personave që, nën kërcënimin e armës së zjarrit, i morën me dhunë një shumë parash, shtetasit Ç. Sh., 89 vjeç, i cili aktualisht ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.Bazuar në provat e grumbulluara, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër, në ndërveprim me të gjitha strukturat e DVP Fier dhe në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Klosi”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:E. H., 22 vjeç, banues në Fier dhe M. G., 28 vjeç, banues në Portëz, Fier.Gjithashtu, u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi F. Ç., 16 vjeç, banues në Roskovec, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarri tip automatik me një krehër me fishekë.Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Vjedhja me dhunë”, e kryer në bashkëpunim, “Plagosje e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Moskallëzimi i krimit”.
Mat/Informacion paraprak-Në orët e vona të mbrëmjes së datës 19.11.2022, në oborrin e banesës së shtetases V. K., ka shpërthyer një sasi e vogël lënde plasëse dhe si pasojë, janë shkaktuar vetëm dëme të vogla materiale. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
DVP Korçë/Finalizohet operacioni antidrogë i koduar “Vakumi”.Operacioni, pas një hetimi 1-mujor të zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit, për goditjen e shpërndarjes së drogave të forta.Sekuestrohen sasi lënde të dyshuara narkotike, heroinë dhe kanabis, të ndara në doza, gati për shitje, fara kanabisi, një grirëse për lëndë narkotike dhe 3 peshore elektronike.Vihet në pranga 29-vjeçari, poseduesi i lëndës narkotike dhe organizator i shpërndarjes së saj.Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Korçë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e aktivitetit kriminal të shpërndarjes së drogave të forta, pas një hetimi 1-mujor të kryer nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, finalizuan operacionin antidrogë të koduar “Vakumi”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:- A. Ç., 29 vjeç, banues në Korçë.Nga veprimet hetimore të kryera, provat ligjore të grumbulluara gjatë operacionit, si dhe gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në bulevardin “Republika”, në automjetin e tij tip “Benz”, iu gjet një sasi e vogël lëndë e dyshuar narkotike kanabis. Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, në lagjen nr. 18, Korçë, iu gjetën rreth 290 gramë lëndë e dyshuar narkotike heroinë, 560 gramë lëndë e dyshuar kanabis, fara kanabisi, 3 peshore elektronike dhe 1 aparat për mbylljen e qeseve me vakum, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Malësi e Madhe, Shkodër/Informacion paraprak-Shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësisë e Madhe kanë marrë informacion se në vendin e quajtur “Grykë Lugje”, në njësinë administrative Shkrel, Malësi e Madhe, rrjedha e ujit të përroit kishte marrë përpara një automjet me të cilin udhëtonin tre persona, banorë të zonës. (babai, djali dhe vajza).Në momentin që rrjedha e ujit ka marrë përpara automjetin që drejtohej nga shtetasi P. R., rreth 50 vjeç, vajza ka mundur të dalë dhe është ndihmuar nga një banor i zonës. Vajza ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa babanë e vajzës dhe vëllanë e saj i ka marrë rrjedhja e ujit.Në vendngjarje ndodhen polumbarët e RENEA-s, grupi i evakuim-shpëtimit, grupi alpin i FNSH Shkodër, emergjencat civile dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, të cilët po punojnë për gjetjen e dy shtetasve (babë e bir).
Malësi e Madhe, Shkodër/Informacion shtesë-Në vijim të informacionit të dhënë mesditën e djeshme se në vendin e quajtur “Grykë Lugje”, në njësinë administrative Shkrel, Malësi e Madhe, rrjedha e ujit të përroit kishte marrë përpara një automjet me të cilin udhëtonin tre persona, banorë të zonës. (babai, djali dhe vajza), ju bëjmë me dije se:Pas 16 orë kërkimesh intensive, gjatë pasdites së djeshme, gjatë natës dhe gjatë mëngjesit të sotëm, nga polumbarët e RENEA-s, grupi i evakuim-shpëtimit, grupi alpin i FNSH Shkodër, emergjencat civile dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në gjatësinë e përroit, në Bogë, u bë e mundur gjetja e dy trupave (babë e bir).
Shijak/Durrës-Informacion shtesë mbi aksidentin me pasojë vdekjen e 40-vjeçarit, ndodhur mbrëmjen e sotme, në fshatin Pjezë, Shijak, te Arena Karting Albania.Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shijak, kanë bërë arrestimin e shtetasit F. A., 40 vjeç, banues në Tiranë.Mbrëmjen e sotme, në fshatin Pjezë, Shijak, te Arena Karting Albania, gjatë garave me mjete sportive, shtetasi F. A., duke drejtuar automjetin e tij, është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin A. M., 39 vjeç. Si pasojë e përplasjes, shtetasi A. M., ka humbur jetën.Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Rinas/Evidentohet dhe goditet një rast tjetër i tentativës për të kontrabanduar mallra në vendin tonë.Sekuestrohen sende me vlerë, aksesorë floriri, si dhe 14 ora dore, të markave të shtrenjta.Vihet në pranga 42-vjeçari, të cilit iu gjetën në automjet, sendet e kontrabanduara.Shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e kontrabandës së mallrave të ndryshme, mbështetur nga inteligjenca informative, bazuar në analizën e riskut, si dhe në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Tiranë dhe me autoritetet doganore të PKK Rinas, kanë intensifikuar kontrollet për këtë qëllim.Në këtë kuadër, shërbimet e Policisë Kufitare, në hyrje, bazuar në analizën e riskut, kaluan në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin me drejtues shtetasin K. H.Si rezultat i kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, aksesorë floriri (varëse, byzylykë, unazë dhe vathë) dhe 14 ora dore, të markave të shtrenjta, të dyshuara të kontrabanduara, pasi 42-vjeçari nuk dispononte faturë të blerjes së këtyre sendeve.Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Tiranë arrestuan në flagrancë shtetasin K. H., 42 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 48 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 99 shtetas, konkretisht: 9 janë ndaluar, 30 janë arrestuar, 45 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 10 raste, me 9 shtetas të arrestuar dhe 3 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 14 raste, njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilit vijojnë punën strukturat policore, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 3 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të shpallur në kërkim, si dhe 10 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 4 raste, me 2 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të ndaluar dhe 2 të tjerë të shpallur në kërkim.
Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 5 raste, me 1 shtetas të arrestuar, 2 shtetas të ndaluar, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë evidentuar 3 raste të veprave penale në fushën e falsifikimit të dokumenteve, me 1 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të ndaluar dhe me 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror”, me 2 shtetas të ndaluar
Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë janë evidentuar 12 raste, 4 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilëve vijon punën Policia, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 2 shtetas të arrestuar, 2 shtetas të ndaluar, 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 3 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë. Janë evidentuar edhe 4 raste të vjedhejs së energjisë elektrike, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 12 raste, 2 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilëve vijon punën Policia, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 9 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.
Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 6 raste, me 2 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të ndaluar, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 2 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 15 kërkesë-padi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Prishja e qetësisë publike”, “Vepra të turpshme”, “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”, me 4 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.
Gjithashtu, janë evidentuar: 3 raste të veprës penale “Përndjekja”, me 1 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të ndaluar dhe 1 tjetër të shpallur në kërkim; 2 raste të veprës penale “Ngacmimi seksual”, me 1 shtetas të arrestuar dhe 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë; 2 raste të veprës penale “Moskallëzimi i krimit”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 rast i veprës penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilit, vijojnë punën strukturat policore.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 7 aksidente, si pasojë e të cilëve 1 shtetas ka humbur jetën dhe 9 të tjerë janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 20 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëri prej tyre me autorë ende të pëidentifikuar, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 13 shtetas të arrestuar dhe me 6 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.