Raporti i ngjarjeve për 48 orë, 10, 11 prill 2023
Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Vau i Dejës/Informacion paraprak. Rreth orës 07:10, në fshatin Paçram, Vau i Dejës, në pjesën e përparme të automjetit tip “Audi”, në pronësi të shtetasit B. N., dyshohet se ka shpërthyer lëndë plasëse. Me marrjen e njoftimit, menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor. Nga veprimet e para rezulton se shpërthimi ka ndodhur në momentin që shtetasi B. N. ka hipur në automjet. Nga shpërthimi, shtetasi B. N. nuk ka pësuar dëmtime, por janë shkaktuar vetëm dëme të pjesshme materiale. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet intensive në vendngjarje, me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.
Tiranë – Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 arrestuan shtetasin V. S., 22 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, duke dalë jashtë banesës. Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën 22-vjeçarit, një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 arrestuan shtetasin K. N., 49 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij. Gjatë kontrollit të banesës së tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike kanabis. Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasit U. G., 39 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka bërë manovra të gabuara me automjetin që e drejtonte në gjendje të dehur; M. M., 47 vjeç, banues në Tiranë, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Port Durrës – Parandalohet dhe goditet një rast i tentativës për trafikim të armëve të zjarrit, drejt Anglisë. Finalizohet operacioni policor i koduar “Kamuflimi”. Operacioni, nga Policia Kufitare e portit Durrës, strukturat hetimore të DVP Durrës dhe Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me autoritetet doganore të portit Durrës. Transportonte mallra të ndryshme drejt Anglisë dhe brenda një tavoline kishte fshehur 8 armë zjarri, vihet në pranga drejtuesi i automjetit (furgon). Sekuestrohen 8 armë zjarri (pistoleta), krehra me municion luftarak, aksesorë armësh, 2 aparate celulare dhe një shumë parash. Në vazhdën e goditjeve të njëpasnjëshme nga strukturat e Policisë së Shtetit, të rasteve të tentativave për trafikim të lëndëve narkotike, të futjes kontrabandë të naftës e mallrave të tjera për të cilat paguhet akcizë, të rasteve të futjes në mënyrë të kundërligjshme të shumave të parave të përfituara nga veprimtaria kriminale, si dhe të atyre të tentativës për trafikim të armëve të zjarrit, pasditen e djeshme, strukturat e Policisë së Shtetit, bazuar në inteligjencën informative, se në një furgon që tranportonte mallra drejt Anglisë mund të ishin futur armë zjarri, kanë ushtruar kontroll të imtësishëm, në bashkëpunim me autoritetet doganore. Si rezultat i kontrollit të imtësishëm, duke përdorur edhe teknikat bashkëkohore për gjetjen e armëve të zjarrit dhe municionit, u bë e mundur që brenda një tavoline të gjendeshin 8 armë zjarri (pistoleta), krehra me municion luftarak dhe aksesorë të ndryshëm armësh, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me 2 aparate celulare dhe një shumë parash. Në vijim të veprimeve, drejtuesi i furgonit që transportonte mallrat, shtetasi J. K., 35 vjeç, banues në Tiranë, është arrestuar në flagrancë, për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”. Strukturat hetimore të DVP Durrës dhe ato të Departamentit të Policisë Kriminale, në bashkëpunim me SPAK-un, po vijojnë veprimet e thelluara hetimore, për zbardhjen e plotë të këtij rasti të trafikimit të armëve të zjarrit drejt Anglisë, si dhe për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Sarandë/Vihen në pranga 2 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë u bë ndalimi i shtetasit N. J., 37 vjeç, banues në Sarandë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë, me vendimin e datës 24.02.2022, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”. Po nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë u arrestua në flagrancë shtetasi J. Ch., 29 vjeç, banues në Venezuelë dhe me banim të përkohshëm në Sarandë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj të dashurës së tij. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
DVP Dibër/Vihen në pranga 2 shtetas dhe procedohet në gjendje të lire 1 tjetër, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Bulqizë arrestuan në flagrancë shtetasin U. T., 45 vjeç, banues në Bulqizë, pasi ka ushtruar dhunë ndaj vëllait të tij. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Dibër, në vijim të punës hetimore të kryer në drejtimin e Prokurorisë së Dibrës, me fokus evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, vunë në pranga shtetasin V. M., 27 vjeç, banues në Durrës, pasi nga veprimet hetimore ka rezultuar se në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka qenë i përfshirë në një rast të shitjes së lëndëve narkotike, të goditur më parë. Vijojnë hetimet me qëllim dokumentimin ligjor të përgjegjësisë penale të 27-vjeçarit, si dhe për identifikimin dhe vënien në pranga të bashkëpunëtorëve të tij. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mat referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për një 17-vjeçar, pasi gjatë kontrollit fizik i është gjetur një pistoletë shenjëdhënëse. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Korçë – Dëmtoi me thikë, një 17-vjeçar, gjatë një konflikti të çastit, falë reagimit në kohë të Policisë, kapet dhe shoqërohet në Polici, 19-vjeçari, autori i dyshuar. Më datë 11.04.2023, në lagjen nr. 10, Korçë, shtetasi M. B., 19 vjeç, banues në fshatin Barç, Korçë, gjatë një konflikti, dyshohet se ka dëmtuar me mjet prerës (thikë), një 17-vjeçar, i cili aktualisht ndodhet në spitalin e Korçës, jashtë rrezikut për jetën. Falë ndërhyrjes të shpejtë, shërbimet e Policisë bënë të mundur kapjen dhe shoqërimin në ambientet e Komisariatit të Policisë Korçë, të autorit të dyshuar të plagosjes, shtetasit M. B., ndaj të cilit po kryhen veprimet e mëtejshme procedurale. Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Më datë 09.04.2023, shtetasja E. Th., 76 vjeçe, banues në Sarandë, ka kallëzuar se që prej datës 09.04.2023, ka humbur kontaktet me djalin e saj, shtetasin L. Th., 52 vjeç, pasi ai është larguar nga banesa, në Sarandë. Punohet për gjetjen e tij.
Gjatë 48 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 111 shtetas, konkretisht: 30 janë vënë në pranga, 71 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 10 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Vijon puna intensive me qëllim lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 14 raste, me 3 shtetas të vënë në pranga dhe 12 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 6 raste, me 2 shtetas të vënë në pranga, 1 shtetas të shpallur në kërkim, si dhe me 5 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me nga 1 shtetas të proceduar për secilin rast, 1 rast i “Përndjekja”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 rast i “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, me 1 shtetas ende të paidentifikuar. Gjithashtu, është evidentuar 1 rast i “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës, për dhënien e pasurisë”, me 3 shtetas të arrestuar dhe 1 shtetas në kërkim.
Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 4 raste, 2 raste me nga 1 shtetas të vënë në pranga dhe 2 rastet e tjera me nga 1 autor të proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 rasteve të korrupsionit aktiv, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë për secilin rast.
Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 2 raste, me 1 shtetas në kërkim dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Organizimi i lojërave të fatit”, me 1 shtetas të arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë janë evidentuar 19 raste, 6 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilëve vijon punën Policia, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 2 shtetas të vënë në pranga, 7 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 4 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë. Është evidentuar edhe 1 rast i vjedhjes së energjisë elektrike, me 1 shtetas të vënë në pranga.
Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 4 raste, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 shtetas ende të paidentifikuar. Janë evdentuar 4 raste të ndërtimit të paligjshëm, me nga 1 autor të proceduar në gjendje të lirë për secilin rast.
Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 11 raste, me 5 shtetas të vënë në pranga dhe me 11 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 20 kërkesë-padi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Ështëë evidentuar 1 rast i veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, me 1 shtetas të arrestuar në flagrancë.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 6 aksidente, si pasojë e të cilëve 2 shtetas kanë humbur jetën dhe 5 të tjerë janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 16 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, me 5 shtetas të arrestuar dhe me 11 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.