Raporti i ngjarjeve, 9 tetor 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Gjirokastër/Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli”, për goditjen e rasteve të shitjes së lëndëve narkotike.

Sekuestrohen 2.4 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa.

Vihet në pranga 48-vjeçari që e mbante lëndën narkotike në banesë, me qëllim shitjen.

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë, në vijim të veprimeve intensive operacionale të kryera në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar, antidrogë, të koduar “Tempulli”, pasi ka siguruar informacion se një shtetas posedonte lëndë narkotike në banesë, kanë organizuar punën dhe si rezultat kanë arrestuar në flagrancë shtetasin V. B., 48 vjeç, banues në fshatin Lulëzim, Krahës.

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit V. B., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 2.4 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa, të cilën dyshohet se ai e posedonte me qëllim shitjen në qytetin e Memaliajt.

Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Lezhë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Next”, kundër armëmbajtjes pa leje.

Qarkullonte i armatosur me pistoletë dhe kundërshtoi punonjësit e Policisë, për kryerjen e kontrollit fizik, vihet në pranga 20-vjeçari.

Sekuestrohet arma e zjarrit me krehrin dhe fishekët.

Si rezultat i kontrolleve në të gjithë territorin e qarkut, ndaj shtetasve për të cilët ka indicie se posedojnë sende të kundërligjshme, Komisariati i Policisë Lezhë, në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, finalizoi operacionin policor të koduar “Next”. Gjatë operacionit u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi Gj. N., 20 vjeç, banues në Lezhë.

Forca e Posaçme “Shqiponja” i ka bërë shenjë ndalimi, në rrugën “Kosova”, automjetit me të cilin lëvizte 20-vjeçari, me qëllim kryerjen e kontrolleve. Ky shtetas ka kundërshtuar për kryerjen e kontrollit fizik, punonjësit e Policisë, të cilët i gjetën 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Lezhës, për hetime të mëtejshme, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Durrës

Vodhi disa herë, shuma parash dhe bizhuteri, në një banesë ku ishte punësuar si bravandreqës, arrestohet 56-vjeçari.

56-vjeçari, me precedent kriminal për krime kundër personit.

Sekuestrohen një pjesë e bizhuterive të vjedhura dhe një kopje çelësash, që u gjetën në banesën e tij.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, menjëherë pas administrimit të kallëzimit të shtetases M. Gj., se në banesën e saj, i kishin vjedhur disa bizhuteri me vlerë 16 000 euro dhe shuma parash, është identifikuar autori i dyshuar i këtij rasti.

Në përfundim të veprimeve, u arrestua shtetasi O. S., 56 vjeç, banues në Durrës.

Ky shtetas, gjatë kohës që ka qenë i punësuar për të ndrequr bravat e banesës së shtetases M. Gj., në fshatin Arapaj, ka bërë një kopje çelësash dhe e ka përdorur më pas për të hyrë disa herë në banesë, për të vjedhur shuma parash dhe bizhuteri.

Gjatë kontrollit në banesën e 56-vjeçarit, shërbimet e Policisë kanë gjetur një pjesë të bizhuterive të vjedhura në banesën e shtetases M. Gj. dhe kopjen e çelësave, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me 1 celular.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Cërrik

Angazhim maksimal për garantimin e sundimit të ligjit në territor, goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve që i disponojnë ato.

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Cërrik, operacioni policor i koduar “Neighborhood”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje.

Vihet në pranga një 36-vjeçar që qëlloi me armë zjarri pistoletë, në ajër, në rrugën e fshatit Liçaj.

Sekuestrohen arma e zjarri pistoletë, një krehër me municion luftarak, 2 armë pneumatike, 1 palë dylbi dhe 1 armë e ftohtë thikë, që u gjetën në banesën e tij.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Cërrik, në vijim të punës për garantimin e sundimit të ligjit në territor, pas informacionit të marrë se në fshatin Liçaj, një shtetas kishte qëlluar në ajër, me armë zjarri që e mbante pa leje, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Neighborhood”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit S. S., 36 vjeç, banues në fshatin Liçaj.

Ky shtetas dyshohet se në gjendje të dehur, ka qëlluar në ajër, me armë zjarri pistoletë, pas mesnatës, në rrugë, në fshatin Liçaj. Nga të shtënat nuk ka patur dëmtime.

Gjatë kontrollit në banesën e 36-vjeçarit, shërbimet e Policisë kanë gjetur të fshehur në kopsht, armën e zjarrit pistoletë, ndërsa në ambientet e tjera të banesës kanë gjetur një krehër me municion luftarak, 2 armë pneumatike, 1 palë dylbi dhe 1 thikë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Tiranë

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, në lidhje me aktet e dhunshme të ushtruara gjatë protestës së zhvilluar më datë 07.10.2024, ndaloi shtetasit:

-S. B., 49 vjeç, banues në Krujë, për veprat penale “Goditjet për shkak të detyrës”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, parashikuar nga nenet 237, 282 dhe 323 të Kodit Penal;

-G. T., 47 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Goditjet për shkak të detyrës” dhe “Shkatërrimi i pronës”, parashikuar nga nenet 237 dhe 150 të Kodit Penal.

Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit H. B., 68 vjeç, I. T., 49 vjeç, K. K., 43 vjeç, M. T., 24 vjeç, dhe një shtetas të mitur 17 vjeç, për veprat penale “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”, parashikuar nga nenet 274 dhe 236 të Kodit Penal.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 87 shtetas, konkretisht: 21 shtetas janë vënë në pranga, 52 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 14 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste, 2 prej tyre në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, me autorë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 3 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 13 raste- 1 shtetas është vënë në pranga, 6 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të falsifikimit, njëri me autor/ë të paidentifikuar, ndërsa rasti tjetër me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 11 raste, 2 prej të cilave me autor/ë ende të paidentifikuar. 3 shtetas janë vënë në pranga, 5 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për vjedhjet e tjera.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 8 raste- 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 9 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 4 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 11 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-4 raste të prishjes së qetësisë publike, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të mosbindjes/kundërshtimit të punonjësve që kryejnë funksione publike, me 1 shtetas të vënë në pranga, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 1 shtetas të vënë në pranga;

-1 rast i veprës penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-nga 1 rast i veprave penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “Vetëgjyqësia”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” dhe “Kanosja për shkak të detyrës”, me 6 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.

Janë ndaluar:

-1 shtetas i kërkuar për veprat penale “Goditjet për shkak të detyrës”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”;

-1 shtetas i kërkuar për veprat penale “Prishja e qetësisë publike”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”;

-1 shtetas i kërkuar për veprat penale “Goditjet për shkak të detyrës” dhe “Shkatërrimi i pronës”;

-1 shtetas i kërkuar për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”;

-1 shtetas i kërkuar për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Kanë ndodhur 3 aksidente rrugore, me 3 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 11 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëri prej tyre me autor të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.