Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Lezhë
Aksidentoi me pasojë vdekjen një shtetas (këmbësor) ende të paidentifikuar, vihet në pranga 21-vjeçari.
Mbrëmjen e djeshme, rreth orës 23:10, në autostradën “Laç-Mamurras”, automjeti me drejtues shtetasin E. B., ka përplasur një shtetas (këmbësor) ende të paidentifikuar.
Si pasojë e përplasjes, këmbësori rreth 60 vjeç, ka ndërruar jetë.
Në përfundim të veprimeve të kryera nga Specialistët e Qarkullimit Rrugor, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. B., 21 vjeç, banues në Fushë-Kuqe, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Vijon puna për identifikimin e shtetasit që humbi jetën si pasojë e përplasjes nga automjeti që drejtohej nga shtetasi E.B.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.
Vau i Dejës/Goditje të njëpasnjëshme kundër armëmbajtjes pa leje, po kryhen në kuadër të planit operacional “Sundimi i ligjit”.
Lëvizte me armë zjarri, lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga 38-vjeçari.
Sekuestrohen arma e zjarrit automatik, automjeti dhe 1 celular.
Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të inteligjencës policore që sigurohet në kuadër të planit operacional kombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, për shtetasit që mbajnë armë, pa leje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës kapën në flagrancë dhe arrestuan shtetasin P. M., 38 vjeç, banues në fshatin Stajkë.
38-vjeçari, në gjendje të dehur, nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të policisë së rendit për të ndaluar dhe ka tentuar të largohet. Ai është kapur dhe ndaluar menjëherë dhe me vete i është gjetur 1 armë zjarri automatik të cilën e mbante pa leje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Mirditë/Kontrolle intensive të territorit dhe hetime proaktive, në kuadër të planit operacional kombëtar të koduar “Territor i Pastër”.
Pas një muaji hetimi proaktiv, finalizohet operacioni policor i koduar “Klosi”.
Asgjësohen 1050 bimë dhe fidanë kanabis sativa.
Vihet në pranga autori i dyshuar, i cili u kap në flagrancë duke u kujdesur për bimët narkotike.
Procedohen penalisht kryeplaku i fshatit Klos dhe specialisti i pyjeve për zonën Fan, për shpërdorim detyre.
Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar “Territor i Pastër”, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për kultivimin e bimëve narkotike, Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirdita kanë intensifikuar kontrollet në terren, të bazuar edhe në inteligjencën policore, dhe kanë vijuar me hetimet proaktive.
Në këtë kuadër, si rezultat i një hetimi proaktiv në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirdita në bashkëpunim me Seksionin Operacional në DVP Lezhë finalizuan me sukses operacionin e koduar “Klosi”. Si rezultat i këtij operacioni u godit një rast i kultivimit të bimëve narkotike dhe u arrestua në flagrancë shtetasi:
A. F., 28 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Klos, Njësia Administrative Fan, Bashkia Mirdita, i dyshuar për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Ky shtetas dyshohet se në hapësirën e pyllit mbi banesën e tij, kishte kultivuar në 3 parcela të ndryshme, 1050 bimë dhe fidanë kanabis. Gjatë operacionit, ky shtetas u kap në njërën nga parcelat duke u kujdesur për bimët narkotike.
Në vijim të operacionit, u proceduan penalisht për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” shtetasit:
Sh. M., me detyrë specialist pyjesh në zonën Fan dhe K. M., me detyrë kryeplak i fshatit Klos. Këta shtetas dyshohen se nuk kanë kryer detyrat e tyre funksionale, në zonën që mbulonin.
Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Himarë/Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli 3”, goditet një rast i shitjes së drogave të forta.
Vihet në pranga një 24-vjeçar anglez, të cilit iu gjet në automjet sasi me droga të forta si mdma, ketaminë, kanabis dhe kërpudha magjike haluçinogjene.
Sekuestrohet sasia e lëndëve narkotike, që u gjet në automjet.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Vlorë, në vijim të veprimeve intensive operacionale të kryera në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar, antidrogë, të koduar “Tempulli 3”, pasi kanë siguruar informacion se një shtetas posedonte droga të forta, me qëllim shitjen, kanë organizuar punën dhe si rezultat, kanë kapur dhe kanë arrestuar në flagrancë shtetasin anglez O. L., 24 vjeç, banues në Mbretërinë e Bashkuar.
Gjatë kontrollit në automjetin që ky shtetas drejtonte, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura sasi me droga të forta, mdma, ketaminë, kanabis dhe kërpudha magjike haluçinogjene, të cilat dyshohet se 24-vjeçari i posedonte me qëllim shitjen kryesisht në ambientet e argëtimit në Dhërmi.
Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Durrës
Kapet në flagrancë dhe vihet në pranga një 21-vjeçar që shiste doza cannabisi.
Sekuestrohen dozat e cannabisit që iu gjetën atij, gjatë kontrollit fizik.
Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, të DVP Durrës, në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera në kuadër në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”, kapën në flagrancë dhe vunë në pranga shtetasin:
J. H., 21 vjeç, banues në Durrës.
Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën atij, një sasi lënde narkotike cannabis të ndarë në doza gati për shitje, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Velipojë/Vijon intensivisht megaoperacioni policor kombëtar i koduar “Territor i pastër”, kundër kultivimit të bimëve narkotike.
Nga kontrollet intensive të territorit, asgjësohen në Velipojë, 24 759 bimë cannabisi.
Identifikohen dhe shpallen në kërkim 3 shtetas (vëllezër), të dyshuar si autorë të kultivimit të këtyre bimëve.
Procedohen në gjendje të lirë, për shpërdorim të detyrës, 2 punonjës të OSHEE-së.
Në vijim të megaoperacionit kombëtar policor, të koduar “Territor i pastër”, u evidentua dhe u godit 1 rast tjetër i kultivimit të bimëve narkotike, në Velipojë.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Velipojë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër dhe me Komisariatin e Shkodrës, në fshatin Rrjoll, në vendin e quajtur “Maja e Zezë”, gjetën dhe asgjësuan 24 759 bimë cannabisi. Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve profesionale policore:
-u identifikuan dhe u shpallën në kërkim autorët e dyshuar të rastit, shtetasit M. N., 30 vjeç, P. N., 36 vjeç, dhe L. N., 32 vjeç, të tre banues në fshatin Rrjoll;
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit T. Sh., 61 vjeç, dhe P. M., 61 vjeç, të dy banues në Velipojë, punonjës të OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi dyshohet se nuk kanë konstatuar lidhjen e paligjshme të energjisë elektrike që ishte krijuar për këtë veprimtari kriminale.
Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Megaoperacioni “Territor i pastër” vijon.
Tiranë/Arrestohen 7 shtetas për vepra të ndryshme penale.
Specialistët për Seksionin për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasin S. A., 25 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë, i gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4:
-arrestuan shtetasin A. Sh., 42 vjeç, banues në Tiranë, pasi ditën e djeshme është paraqitur për ndihmë mjekësore në spital, pas një konflikti me disa persona të panjohur. Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se ky shtetas, ka shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”;
-ndaluan shtetasin F. M., 23 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka marrë një makinë me qira të cilën e ka përplasur dhe nuk ka paguar dëmin e shkaktuar;
-ndaluan shtetasen A. Q., 21 vjeçe, për veprën penale “Dhuna në familje”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 ndaluan shtetasin S. N., 36 vjeç, banues në Valias, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 arrestuan shtetasin J. Ç., 30 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, caktuar nga Gjykata.
Specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë arrestuan shtetasen A. M., 28 vjeçe, banuese në Tiranë, pasi duke drejtuar pa leje drejtimi automjetin tip “Benz”, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe mjeti përplasur me murin rrethues të banesës së shtetasit V. Gj.
–
Ditën e sotme ka ndërruar jetë shtetasi A. J., 60 vjeç, banues në Paskuqan, i cili dyshohet se dje, duke qenë në gjendje të dehur, është rrëzuar te Ura e Paskuqanit. Punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Materialet i kaluan Prokurorisë.
Port Durrës/Kontrolle të shtuara nga Policia Kufitare, bazuar në inteligjencën policore, për goditjen e paligjshmërive në kufi.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Next”, për goditjen e tentativës për të futur në Shqipëri, një shumë të madhe eurosh, pa e deklaruar. Sekuestrohen 35 755 euro.
Vihen në pranga 4 shtetas (2 prej tyre drejtues të autobusit ku ishin fshehur paratë).
Shërbimet e Policisë Kufitare në Port Durrës, në vijim të kontrolleve për goditjen e paligjshmërive në kufi, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, në kuadër të operacionit të koduar “Next”, të zhvilluar në bashkëpunim me DVP Durrës dhe autoritetet doganore, kanë goditur një rast të tentativës për të futur në Shqipëri, një shumë të madhe eurosh, pa e deklaruar.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar për kontroll autobusin me drejtues shtetasin D. M. Gjatë kryerjes së kontrollit nga Policia, ky shtetas ka zbritur nga autobusi dhe i ka dhënë një shumë parash, një shtetasi që udhëtonte me një automjet tjetër.
Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi D. M. (shoferi i parë i autobusit) dhe shtetasi A. I. (shofer i dytë i autobusit), po tentonin të fusnin në Shqipëri, një shumë të madhe eurosh, të cilën me qëllim shmangien e deklarimit para autoriteteve doganore, e kishin ndarë në disa pjesë, për t’ua dhënë shtetasve T. B. dhe F. F., të cilët udhëtonin me një automjet tjetër.
Gjatë kontrollit fizik ndaj këtyre shtetasve dhe kontrollit në autobus, shërbimet e Policisë gjetën 35 755 euro dhe 70 franga, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast u arrestuan në flagrancë shtetasit:
D. M., 32 vjeç, banues në Lushnjë, A. I., 48 vjeç, banues në Fier, T. B., 54 vjeç, banues në Tiranë dhe F. F., 25 vjeç, banues në Elbasan.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për vëprime të mëtejshme, për veprën “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.
DVP Kukës/Vijon intensivisht megaoperacioni policor anticannabis, i koduar “Territor i pastër”.
Si rezultat i kontrolleve, gjenden në fshatin Tejdrinë, Kukës dhe asgjësohen 143 bimë narkotike cannabis sativa.
Identifikohen dhe shpallën në kërkim 4 shtetas (familjarë të njëri-tjetrit), autorë të dyshuar të kultivimit të bimëve narkotike. Procedohet në gjendje të lirë 1 familjar tjetër, për moskallëzim krimi.
Sekuestrohen 1 armë zjarri dhe një sasi muncioni luftarak, që u gjetën në banesën e njërit prej autorëve.
Procedohen në gjendje të lirë kryeplaku i fshatit dhe inspektori i pyjeve, për moskallëzim krimi dhe për shpërdorim detyre.
Gjatë kontrolleve të kryera me mbështetjen e punës së inteligjencës policore, në vijim të megaoperacionit mbarëkombëtar, të koduar “Territor i pastër”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kukës kanë gjetur të mbjella në fshatin Tejdrinë, 143 bimë narkotike.
Nga hetimet e kryera janë identifikuar autorët e dyshuar të këtij rasti kultivimi, shtetasit L. M., 49 vjeç, N. M., 44 vjeç (vëllezër), si dhe djemtë e 49-vjeçarit, shtetasit A. M., 23 vjeç dhe L. M., 25 vjeç, banues në fshatin Tejdrinë. Vijon puna për kapjen e tyre.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit N. M., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri automatik dhe një sasi municioni luftarak.
Në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për kryeplakun e fshatit, shtetasin T. M., dhe për shtetasin M. M. (vëllai i shtetasve N. M. dhe L. M.) për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, si dhe për inspektorin e pyjeve, shtetasin A. H., për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.
Elbasan
Vihet në pranga një 35-vjeçar, i cili nga hetimet dyshohet se është i implikuar në një rast mashtrimi, të goditur nga Policia, rreth 1 muaj më parë.
Ky shtetas u kap në bashkëpunim me shërbimet e PKK Rinas, në tentativë për t’u larguar nga vendi.
Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare i DVP Elbasan, si rezultat i hetimeve me metoda proaktive, të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, si dhe i koordinimit të punës dhe shkëmbimit të informacionit me shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Rinas, ndaloi në tentativë për t’u larguar nga Shqipëria, shtetasin e shpallur në kërkim policor, A. H., 35 vjeç, banues në Tiranë.
35-vjeçari dyshohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë, më datë 02.05.2024, i kanë marrë nëpërmjet mashtrimit, një shumë parash, administratorit të një biznesi, shtetasit F. Rr..
Vijon puna për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të të gjithë autorëve të këtij rasti.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit
Kapet në Milano dhe arrestohet provizorisht, për t’u ekstraduar në Shqipëri, një 47-vjeçar i akuzuar në kuadër të megaoperacionit “Metamorfoza”, për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, për sigurim kushtesh/mjetesh për të kryer vrasje.
Si rezultat i informacionit të siguruar për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe shkëmbimit të këtij informacioni ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, nga Policia italiane u mundësua lokalizimi dhe kapja në Milano, Itali, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, e shtetasit A. N., 47 vjeç.
47-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të megaoperacionit “Metamorfoza”, pasi GjKKO, më datë 23.07.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Vijon bashkëpunimi me homologët në Itali, për të finalizuar ekstradimin e shtetasit A. N., në Shqipëri.
Policia e Shtetit
Finalizohet në bashkëpunim me homologët në Mbretërinë e Bashkuar, operacioni policor i koduar “Paketa”.
Ndalohet në aeroportin e Lutonit, një 38-vjeçar që kontrabandoi nëpërmjet PKK Rinas, 1700 paketa me cigare.
Si rezultat i shkëmbimit të menjëhershëm, me homologët britanikë, të informacioneve të siguruara nga Departamenti i Policisë Kriminale dhe Departamenti i Kufirit dhe Migracionit të Policisë së Shtetit, u finalizua nga shërbimet e Policisë Kufitare të Mbretërisë së Bashkuar, operacioni policor ndërkombëtar i koduar “Paketa”.
Gjatë operacionit, në aeroportin e Lutonit, Londër, u kap dhe u ndalua shtetasi shqiptar E. M., 38 vjeç, i lindur në Burrel, pasi nga kontrollet, iu gjetën në çantë, 1700 paketa me cigare të kontrabanduara nëpërmjet PKK Rinas.
Gjithashtu, gjatë këtij operacioni, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, paketat me cigare.
Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 278 shtetas, konkretisht: 95 shtetas janë vënë në pranga, 154 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 29 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, vijon intensivisht puna nga ana e strukturave të Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 21 raste, 7 prej tyre raste kultivimi, me autorë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 7 shtetas janë vënë në pranga, 7 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. 9 shtetas të tjerë janë vënë në pranga dhe 24 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, në Lezhë, gjatë megaoperacionit antidrogë të koduar “Tempulli 3”.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 36 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 2 shtetas janë vënë në pranga, 6 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 37 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 8 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 5 raste. 8 shtetas janë vënë në pranga dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.
Si rezultat i megaoperacionit “NOMADA”, janë vënë në pranga 26 shtetas dhe janë shpallur në kërkim 5 të tjerë, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, të kryera në kuadrin e grupit kriminal.
Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë/tentativat për vjedhje të pasurisë, janë evidentuar 13 raste, 3 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar. 4 shtetas janë vënë në pranga, 5 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 5 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, për vjedhje të tjera.
Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me zjarr ose me mjete të ndryshme, janë evidentuar 20 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 21 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 21 raste- 7 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 13 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 24 kërkesëpadi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Janë evidentuar:
-5 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-5 raste të veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 6 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të shpallur në kërkim;
-4 raste të krimeve kompjuterike. 2 me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa 2 raste me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-3 raste të falsifikimit, me 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-3 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të kalimit të kundërligjshëm të kufijve shtetërorë, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të shpërdorimit të detyrave, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të ngacmimit seksual, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-nga 1 rast i veprave penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete” dhe “Goditjet për shkak të detyrës”, me nga 1 shtetas të vënë në pranga;
-nga 1 rast i veprave penale “Moskallëzimi i krimit”, “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës”, “Ndërhyrje të padrejta në jetën private” dhe “Fyerja”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast i veprës penale “Njoftimi i rremë në organet e rendit”, me autor/ë ende të paidentifikuar.
3 shtetas të shpallur në kërkim përkatësisht për “Përndjekja”, “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, janë kapur.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 19 aksidente, si pasojë e të cilave 2 shtetas kanë humbur jetën dhe 23 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 43 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 18 shtetas janë vënë në pranga dhe 25 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.