Raporti i ngjarjeve, 7 gusht 2024

Raporti i ngjarjeve, 7 gusht 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Tiranë/Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Seksionin e Operacioneve Speciale në DVP Tiranë, operacioni policor i koduar “Cybersnare”, ndjekur me metoda speciale të hetimit. Arrestohen 2 vëllezër të cilët shantazhonin shtetase te ndryshme, për dhënie parash, për mospublikimin e videove dhe fotove personale të tyre, në rrjete sociale. Dokumentohen me prova ligjore 2 raste të kësaj veprimtarie kriminale. Sekuestrohen shuma parash dhe 2 celularë. Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Seksionin e Operacioneve Speciale në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e krimeve kibernetike, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Cybersnare”, ndjekur me metoda speciale të hetimit. Gjatë operacionit u arrestuan shtetasit H. M., 20 vjeç, dhe J. M., 18 vjeç (vëllezër), banues në Tiranë. Falë veprimeve hetimore profesionale nga specialistët e Sektorit të Hetimit të Krimeve Kibernetike, të kryera gjatë zhvillimit të këtij operacioni, është bërë dokumentimi i plotë ligjor i veprimtarisë kriminale të dy vëllezërve, të cilët dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, krijonin profile nëpër aplikacione virtuale, dhe pas komunikimeve me persona të ndryshëm, kryesisht të gjinisë femërore, siguronin materiale foto e video intime, dhe për mospublikimin e këtyre materialeve, kërkonin shuma të ndryshme parash. Gjithashtu, nga veprimet hetimore të kryera janë dokumentuar ligjërisht 2 raste të kësaj veprimtarie kriminale, nga të cilat dy vëllezërit kanë përfituar shuma parash nga një 14-vjeçare. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar shuma parash dhe 2 celularë. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 62 shtetas, konkretisht: 22 shtetas janë vënë në pranga, 37 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 3 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 16 raste– 10 prej tyre me autorë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 7 raste- 1 shtetas është vënë në pranga, 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë dhe 1 është shpallur në kërkim.

Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 2 raste- 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të krimeve kibernetike, me autorë ende të paidentifikuar.

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 5 raste, 2 prej të cilave me autor/ë ende të paidentifikuar. 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë, për këtë veprimtari kriminale.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 9 raste- 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 11 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-2 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrit të punonjësit të Policisë, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i veprës penale “Mashtrimi”, me 2 shtetas të vënë në pranga;

-nga 1 rast i veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, “Ngacmimi seksual”, “Trafikimi i mjeteve motorike”, “Vetëgjyqësia”, “Keqpërdorimi i thirrjeve telefonike”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”- 11 shtetas janë vënë në pranga.

Kanë ndodhur 3 aksidente rrugore, me 1 viktimë dhe 2 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 9 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor. 7 shtetas janë vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.