Raporti i ngjarjeve, 7 dhjetor 2023

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Policia e Shtetit-Në zbatim të planit operacional për parandalimin, dokumentimin dhe goditjen e rasteve të kësaj veprimtarie të kundërligjshme, në të gjithë vendin, ka vijuar megaoperacioni policor i koduar “Sundimi i ligjit”, kundër organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit.Faza e parë u zhvillua nga data 25 nëntor deri më datë 30 nëntor, ndërsa faza e dytë u zhvillua nga data 1 dhjetor deri në mbrëmjen e datës 6 dhjetor.Gjatë 2 fazave të këtij operacioni, u kontrolluan 1078 lokale dhe ambiente të tjera, në të cilat dyshohej se organizoheshin lojëra fati, nga të cilat në 253 u konstatuan paligjshmëri në këtë fushë, dhe gjithashtu u kontrolluan 1895 shtetas.Si rezultat i këtyre kontrolleve, u evidentuan dhe u goditën 181 raste, për të cilat u proceduan penalisht 210 shtetas, nga të cilët: 116 shtetas u arrestuan në flagrancë, 89 shtetas u proceduan në gjendje të lirë, si dhe vijon puna për kapjen e 5 shtetasve të tjerë. Vetëm gjatë mbrëmjes së djeshme, janë arrestuar 102 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 68 të tjerë.Gjatë kontrolleve, u sekuestruan: 4 tavolina për lojen Poker, me valixhe me çipsa dhe me letra bixhozi, 184 celularë, 25 njesi kompjuterike, zara, 174 000 lekë, 20 434 euro dhe 11 360 paund që i shërbenin lojërave të fatit, si dhe sasi cannabisi, municion luftarak, 1 pistoletë pneumatike, 1 mjet prerës (thikë) dhe 1 automjet.

Kukës/Vijon me intensitet maksimal, megaoperacioni policor i koduar “Tempulli”.

Policia godet 2 raste të tjera të shitjes së lëndëve narkotike, në afërsi të një gjimnazi në qytet.

Sekuestrohen kokainë, cannabis sativa dhe 2 mjete për grirjen e lëndës narkotike.

Arrestohet një 32-vjeçar që u kap në flagrancë me doza kokaine dhe cannabisi, me vete, dhe procedohet penalisht një 24-vjeçar që kishte përshtatur lokalin e paregjistruar, që administronte, për përdorim droge.

Si rezultat i angazhimit maksimal të shërbimeve të Policisë së Kukësit, në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”, i cili ka fokus goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, që prekin kryesisht të rinjtë, janë konstatuar dhe goditur 2 raste të tjera, për të cilat:

-u arrestua shtetasi A. E., 32 vjeç, banues në Kukës, pasi u kap në flagrancë, në afërsi të një gjimnazi në qytetin e Kukësit, teksa posedonte me qëllim shitjen, sasi të lëndëve narkotike kokainë dhe cannabis sativa, të ndara në doza;

-u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. Z., 24 vjeç, banues në Kukës, pasi dyshohet se kishte përshtatur lokalin që administronte, në afërsi të një gjimnazi në qytetin e Kukësit, për përdorim dhe shitje të lëndëve narkotike. Nga kontrollet në këtë ambient, u gjetën një sasi lënde narkotike cannabis sativa dhe 2 grirëse për të.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.   

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 82 shtetas, konkretisht: 18 shtetas janë vënë në pranga, 59 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 5 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste– 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 4 raste- 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 10 raste- 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ekonomike, janë evidentuar 8 raste- 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë janë evidentuar 5 raste- 4 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 7 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera, 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 6 shtetas të proceduar në gjende të lirë. Janë ndaluar 2 shtetas të shpallur në kërkim për këtë vepër vepër penale, janë kapur dhe ndaluar. Gjithashtu, janë plotësuar 7 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-2 raste të veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-2 raste në fushën e mosbindjes/kundërshtimit të urdhrit të punonjësve të Policisë, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Kanosja për shkak të detyrës”, me 3 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i veprës penale “Goditjet për shkak të detyrës”, me 3 shtetas të vënë në pranga;

-nga 1 rast i veprave penale në fushën e falsifikimit të dokumenteve, “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”, “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”, “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, “Prishja e qetësisë publike”, “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Kontrabanda me mallra të licencuara”, me 10 shtetas të vënë në pranga.

2 shtetas të kërkuar përkatësisht për veprat penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, janë kapur dhe ndaluar.

Kanë ndodhur 4 aksidente rrugore, me 4 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 10 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.