Raporti i ngjarjeve, 6 gusht 2024
Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Sarandë/Informacion paraprak – Rreth orës 07:00, në fshatin Shalës, Konispol, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, në banesë, shtetasi H. I., 69 vjeç, ka vrarë me mjet prerës (dyshohet sëpatë) bashkëshorten e tij, shtetasen Sh. I., 66 vjeçe. Më pas, shtetasi H. I. dyshohet se është konfliktuar me djalin e tij, shtetasin K. I., rreth 40 vjeç, i cili e ka shtyrë shtetasin H. I. nga shkallët e banesës. Si pasojë e dëmtimeve, shtetasi H. I. ka humbur jetën në vendngjarje. Shërbimet e Stacionit të Policisë Konispol, pas njoftimit të marrë, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje ku kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin në ambientet e Policisë të autorit të dyshuar, shtetasit K. I. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Flagranca” nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 në bashkëpunim me ato të Seksionit të Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Sektorin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë. Kapet dhe arrestohet një shtetas i shpallur në kërkim për tentativë vrasje, me rekorde të shumta kriminale dhe rrezikshmëri të lartë shoqërore. 30-vjeçari qarkullonte i armatosur, me mjete identifikimi të dyshuara të falsifikuara si dhe posedonte lëndë të dyshuara narkotike. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 në bashkëpunim me ato të Seksionit të Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Sektorin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, në vijim të punës për lokalizimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, për vendndodhjen e një shtetasi me rrezikshmëri të lartë shoqërore të shpallur në kërkim për tentativë vrasje, i cili qarkullonte i armatosur, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Flagranca”. Si rezultat i këtij operacioni, në afërsi të mbikalimit te Casa Italias, është lokalizuar dhe arrestuar shtetasi G. P., 30 vjeç. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës i ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë. 30-vjeçari, në vitin 2022, në Durrës, për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë me armë zjarri një shtetas. Gjatë kontrollit fizik shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë me krëhra e municion luftarak, dy mjete identifikimi të dyshuara të falsifikuara dhe sasi lënde të dyshuar narkotike. Materialet i kaluan Prokurorisë.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 57 shtetas, konkretisht: 19 shtetas janë vënë në pranga, 33 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 5 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 15 raste– 9 prej tyre me autorë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 2 raste. 1 shtetas është vënë në pranga dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 4 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar. 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 4 raste- 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të krimeve kibernetike, me autorë ende të paidentifikuar.
Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 6 raste, 2 prej të cilave me autor/ë ende të paidentifikuar. 1 shtetas është vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për këtë veprimtari kriminale.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 7 raste – 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 7 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar:
-2 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrit të punonjësit të Policisë, me 3 shtetas të vënë në pranga;
-1 rast i veprës penale “Keqtrajtimi i të miturit” – 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë;
-nga 1 rast i veprave penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike” dhe “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” – 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Kanë ndodhur 8 aksidente rrugore, me 11 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 13 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor. 7 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.