Raporti i ngjarjeve, 3,4,5 shkurt 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Vlorë

Plagosën me mjet prerës (thikë), 3 bashkëmoshtarët e tyre, falë ndërhyrjes së menjëhershme të Policisë, vihet në pranga njëri prej autorëve të dyshuar, punohet për kapjen e autorit tjetër të dyshuar.

Sekuestrohen 1 pistoletë sportive, 2 mjete prerëse (thika) dhe 2 përforcues grushti.   

Rreth orës 12:30, në lagjen “Isa Boletini”, dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta, kanë mbetur të dëmtuar me mjet prerës (thikë), shtetasit Xh. H., 20 vjeç, E. T., 18 vjeç dhe H. N., 18 vjeç, të cilët ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe falë veprimeve të shpejta, bënë të mundur kapjen e njërit prej autorëve të dyshuar, shtetasit H. M., 18 vjeç, dhe shoqërimin e tij, në Komisariatin e Vlorës, për veprime të mëtejshme procedurale.

Në vijim të veprimeve procedurale, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit H. M., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 1 pistoletë sportive, 2 përforcues grushti dhe 2 mjete prerëse (thika).

Vijon puna për kapjen e autorit tjetër të përfshirë në këtë konflikt, shtetasit J. R.   

Ndërkohë, vijon puna e grupit hetimor, për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Lushnjë/Vijojnë kontrollet në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, për goditjen e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit.     

Zbulohet 1 tjetër lokal ku organizoheshin lojëra fati, me celularë. Procedohen penalisht 2 shtetas.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë, si rezultat i kontrolleve të kryera në lokale, për goditjen e rasteve të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, në fshatin Kolonjë, në lokalin në pronësi të shtetasit A. Sh., kanë konstatuar shtetasin A. D., në celularin e të cilit u gjetën faqe për vendosjen e basteve sportive. Ky celular u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.      

Në përfundim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. Sh., 56 vjeç, banues në Fier dhe A. D., 38 vjeç, banues në fshatin Ardenicë .

Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Fier referuan matelialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një shtetas të mitur, 17 vjeç, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë  për shtetasin M. V., 22 vjeç, banues në fshatin Dronovicë, pas në automjetin e tij, në pjesën e kroskotit, kishte vendosur fenelina të ngjashme me ato të Policisë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mallakastër referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:

-E. S., 38 vjeç, banues në fshatin Hekal, pasi dyshohet se ka kanosur për shkak të detyrës, për motive të dobëta, shtetasin L. Sh., 40 vjeç;

-⁠I. S., 19 vjeç dhe një shtetas i mitur, 17 vjeç, të dy banues në Ballsh, pasi dyshohet se për motive të dobëta kanë goditur me grushte,  shtetasin A. L., 40 vjeç.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

DVP Vlorë/Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli 2”. 

Evidentohet dhe goditet, nga Forca e Posaçme “Shqiponjat”, një rast i shitjes së lëndëve narkotike, në doza.      

Vihet në pranga 1 shtetas që u kap në flagrancë, në lagjen “Hajro Çakërri”, me doza kanabisi të gatshme për shitje.      

Sekuestrohen dozat e lëndës narkotike kanabis, që iu gjetën këtij shtetasi, gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në banesë, së bashku me 1 peshore elektronike dhe 2 celularë.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponjat”, në vijim të veprimeve intensive operacionale të kryera në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar, antidrogë, të koduar “Tempulli 2”, pasi kanë siguruar informacion se një shtetas shiste lëndë narkotike, në lagjen “Hajro Çakërri”, kanë organizuar punën dhe si rezultat, kanë kapur dhe kanë arrestuar në flagrancë shtetasin:

S. B., 17 vjeç, banues në Vlorë.  

Gjatë kontrollit fizik ndaj këtij shtetasi dhe kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën sasi lënde të dyshuara narkotike kanabis, të ndara në 140 doza, gati për shitje, një sasi lende narkotike kanabis të bluar, 1 peshore elektronike dhe 2 celularë.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se 17-vjeçari siguronte lëndë narkotike në sasi dhe më pas i ndante në doza, të cilat i shiste në lagje të ndryshme të Vlorës.             

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.  

Tiranë/Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli 2”. 

Vihet në pranga një 36-vjeçar i shpallur në kërkim në kuadër të këtij megaoperacioni, shkon në 75 numri i shtetasve të ndaluar.

Më parë, gjatë zhvillimit të këtij operacioni, janë sekuestruar 14 kg kanabis, 5.3 kg kokainë, 170 gram heroinë dhe 11 peshore elektronike, 4 armë zjarri pistoleta dhe 1 armë zjarri automatik, 70 celularë, 11 automjete, 2 186 000 lekë, 11 610 euro, 630 paund.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 7 dhe shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, bazuar mbi informacionet e siguruara mbi vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim në kuadër të megaoperacionit “Tempulli 2”, menjëherë kanë vijuar kontrollet intensive për kapjen dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.

Si rezultat i kontrolleve u kap dhe ndalua shtetasi F. M., 36 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. 

Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të këtij megaoperacioni.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme. 

Vlorë/Vijojnë kontrollet në kuadër të operacionit policor të koduar “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.

Lokalizohet në Tiranë, kapet dhe vihet në pranga një 36-vjeçar i dënuar me 2 vjet e 8 muaj burgim, për armëmbajtje pa leje.

Operacioni për kapjen e tij, nga Komisariati i Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Vlorë. 

Në zbatim të planit të masave të hartuar në kuadër të megaoperacionit mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve në kërkim dhe goditjen e veprimtarive të ndryshme kriminale, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, nga Seksioni për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Forcën Operacionale të DVP Vlorë, është organizuar dhe finalizuar operacioni “Location”, në kuadër të të cilit u lokalizua në Tiranë, u kap dhe u vu në pranga shtetasi:  

Saimir Hasanaj, 36 vjeç, banues në Vlorë.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë e ka dënuar këtë shtetas me 2 vjet e 8 burgim, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Në muajin gusht të vitit 2019, në Vlorë, shërbimet e Policisë, në vijim të veprimeve hetimore për zbardhjen e një konflikti me armë zjarri mes disa shtetasve, në lagjen “1 Maji”, në të cilin ka qenë i përfshirë edhe 36-vjeçari, kanë ushtruar kontroll në banesën e tij, ku kanë gjetur armë zjarri.  

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pra Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Mirditë/ Finalizohet operacioni policor i koduar “Hidden”, i zhvilluar nga Fast Albania, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve DVP Lezhë dhe në koordinim me Interpol Tirana.

Kapet dhe vihet në pranga një 22-vjeçar i kërkuar nga drejtësia italiane, i cili fshihej në Mirditë.

22-vjeçari i akuzuar si pjesëtar i një grupi kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.

Në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar, bazuar në inteligjencën policore se këta shtetas fshihen duke u strehuar në territorin e qarkut Lezhë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Lezhë si dhe në bashkëpunim e koordinim të punës me njësinë speciale për kapjen e shtetasve në kërkim “FAST Albania”, në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Hidden”

Si rezultat, në një banesë në Rrëshen, kanë kapur dhe arrestuar në mënyrë provizore me qëllim ekstradimi, shtetasin G. J. 22 vjeç, banues në Mirditë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi, Gjykata e hetimeve paraprake në Milano, Itali, me vendim penal të datës 03.11.2023, ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”, i akuzuar për veprat penale “Organizatë kriminale” dhe “Trafikim i lëndëve narkotike’ kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga nenet e Kodit Penal Italian.

Interpol Tirana vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.

Kurbin/ Kontrolle intensive në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Sundimi i ligjit” për kapjen e personave në kërkim.

Qëlloi me armë zjarri në muajin maj të vitit kaluar, në drejtim të një shtetasi në lëvizje me automjet, kapet dhe vihet në pranga 30-vjeçari, i kërkuar prej disa muajsh.

Operacioni për kapjen e tij nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin në bashkëpunim me Forcat e Kombëtare të Sigurisë (FKS).

Në zbatim të planit të masave të hartuar në kuadër të operacionit mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit” për kapjen e personave në kërkim, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin në bashkëpunim edhe me Forcat Kombëtare të Sigurisë (FKS), bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore mbi vendndodhjen në fshatin Gurëz, njësia administrative Fushe Kuqe, Kurbin, të një personi në kërkim, është organizuar puna operacionale ku si rezultat u kap dhe u ndalua shtetasi F. I. 30 vjeç, banues në Fushe Kuqe, Kurbin.

30-vjeçari  ishte shpallur në kërkim kombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë Lezhë me vendim penal datë 25.05.2023, ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg” për veprat penale “Vrasje me dashje’ mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese e municioneve”.

Me datë 17 maj 2023, në Fushë Kuqe, i ndaluari F. I., ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit në lëvizje të drejtuar nga shtetasi A. P. 49 vjeç.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Durrës

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës arrestuan shtetasit:  

-Sh. M., 37 vjeç dhe I. Sh., 51 vjeç, të dy banues në Durrës, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kundërshtuar dhe goditur për shkak të detyrës, dy punonjës policie, gjatë shoqërimit në Komisariat;

-G. Gj., 43 vjeç, banues në Durrës, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Vjedhja”, duke dalë jashtë banesës;    

-E. R., 56 vjeç, banues në Durrës, pasi ka vjedhur 2 biçikleta, në lagjet nr. 18 dhe nr. 8.   

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Fier/Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli 2”. Evidentohet dhe goditet një tjetër rast i shitjes së lëndëve narkotike, në doza. 

Kapet në flagrancë dhe vihet në pranga një 28-vjeçar që shiste doza cannabisi në lagje të ndryshme të qytetit të Fierit. 

Sekuestrohen doza të lëndës së dyshuar narkotike cannabis sativa, gati për shitje, 2 celularë, automjeti që drejtonte si dhe një shumë parash që dyshohet se është përfituar nga kjo veprimtari kriminale.      

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier, në vijim të veprimeve intensive operacionale të kryera në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar antidrogë të koduar “Tempulli 2”, pasi kanë siguruar informacion se 1 shtetas shiste lëndë narkotike cannabis sativa, në lagje të ndryshme të qytetit të Fierit, kanë organizuar punën për kapjen dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.     

Si rezultat, në rrugën kryesore të fshatit Poro, u kap në flagrancë shtetasi M. M., 28 vjeç, banues në fshatin Poro. Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në automjetin e tij, shërbimet e Policisë gjetën 18 doza të lëndës së dyshuar narkotike cannabis sativa, të gatshme për shitje, 2 celularë dhe një shumë parash, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.     

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky e shtetas siguronte lëndën narkotike në sasi dhe më pas e ndante në doza, për t’i shitur në lagje të ndryshme të qytetit.     

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.   

DVP Fier/ Vihet në pranga 1 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 5 të tjerë, për vepra penale të ndryshme.

Si rezultat i kontrolleve të mbështetura te inteligjenca policore dhe të kryera në kuadër të planit operacionial të koduar “Sundimi i ligjit”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë zbuluan një tjetër lokal ku viheshin baste sportive, me celularë. Në lokalin në pronësi të shtetasit V. S., 29 vjeç, në lagjen “Çlirimi”, u panë shtetasit S. H., 30 vjeç dhe A. B., 61 vjeç, teksa vinin baste sportive, me celularë. Në përfundim të veprimeve procedurale për rastin, nisi procedimi në gjendje të lirë për të 3 këta shtetas, si dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 2 celularë.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasin J. H., 26 vjeç, banues në Fier, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj nënës së tij dhe se ka tentuar të kryejë marrëdhenie seksuale, me dhunë, me motrën e tij 16 vjeçe.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin I. S., 28 vjeç, banues në Divjakë, pasi nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, për të kryer kontrolle në automjetin e tij, ku u gjetën 13 fishekë arme gjahu.

Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin M. H., 22 vjeç, banues në Lushnjë, pasi u kap duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 217 shtetas, konkretisht: 64 shtetas janë vënë në pranga, 142 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 11 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, vijon intensivisht puna nga ana e strukturave të Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 20 raste- 10 shtetas janë vënë në pranga dhe 15 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 14 raste, njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 3 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 13 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. 1 shtetas është shpallur në kërkim për një tentativë për vrasje, ndërsa një shtetas tjetër është ndaluar për një tentativë për vrasje, të mëparshme.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 13 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 9 shtetas janë vënë në pranga dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 5 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë/tentativat për vjedhje të pasurisë, janë evidentuar 10 raste, 3 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar. 4 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 2 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, për veprimtari kriminale në këtë fushë.

Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me zjarr ose me mjete të ndryshme, janë evidentuar 27 raste, 3 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar. 4 shtetas janë vënë në pranga, 4 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 22 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, për veprimtari kriminale në këto fusha.

Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 20 raste- 10 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 12 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 21 kërkesëpadi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Janë evidentuar:

-9 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të punonjësve të Policisë, me 5 shtetas të vënë në pranga dhe 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-5 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-5 raste të veprës penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-5 raste të veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-4 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Përndjekja”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-2 raste të veprës penale “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të krimeve kibernetike, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-nga 1 rast i veprave penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Ngacmimi seksual”, “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç”, mbetur në tentativë, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Goditje për shkak të detyrës”, me 5 shtetas në total, të vënë në pranga;

-nga 1 rast i veprave penale në fushat e falsifikimit dhe vjedhjes së energjisë elektrike, si dhe “Kallëzimi i rremë”, “Njoftimi i rremë në organet e rendit”, “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Kanosja për shkak të detyrës”, “Keqtrajtimi i të miturit”, “Moskallëzimi i krimit”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Fyerja”, me 10 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i veprës penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona në gjini ose nën kujdestari”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim.

3 shtetas të shpallur në kërkim përkatësisht për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Kanosja për shkak të detyrës” ose “Prishja e qetësisë publike”, janë kapur.

25 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë për 2 raste të veprave penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik”.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 13 aksidente, si pasojë e të cilave 2 shtetas kanë humbur jetën dhe 23 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 38 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, 2 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 18 shtetas janë vënë në pranga dhe 18 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.