Raporti i ngjarjeve, 31 janar 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Tiranë

Finalizohet pas një pune të mirëfilltë hetimore disamujore, operacioni policor i koduar “Lokacioni”, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve. 

Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Sektorin për Operacionet Speciale dhe Kërkimin, në DVP Tiranë.  

U kapën në flagrancë duke shkëmbyer 16.2 kg lëndë narkotike kanabis, vihen në pranga 4 shtetas.

Sekuestrohen 16.2 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, 90 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, shuma parash dhe 5 celularë.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit për Operacionet Speciale dhe Kërkimin në DVP Tiranë, në vijim të operacioneve për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, të mbështetura nga inteligjenca operative, për një rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike, kanë organizuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Lokacioni”.

Si rezultat i këtij operacioni, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve D. D., 32 vjeç, H. Z., 23 vjeç, V. K., 23 vjeç dhe H. M., 23 vjeç.

Gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, këta shtetas janë kapur në flagrancë, në parkingun e një qendre tregtare në periferi të Tiranës, duke shkëmbyer 2 qese plastike brenda të cilave kishte lëndë të dyshuar narkotike kanabis, me peshë rreth 16.2 kg.

Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit H. M., në Korçë, shërbimet e DVP Korçë gjetën dhe sekuestruan, sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë.

Punohet për identifikimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme. 

DVP Tiranë

Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike finalizon pas një pune të mirëfilltë hetimore, operacionin policor të koduar “Shady snake”.  

Vihen në pranga 5 shtetas të cilët kishin përshtatur ambientet e disa subjekteve, për organizimin e lojërave të fatit, si dhe ushtronin veprimtarinë e paligjshme të vënies së basteve sportive, nëpërmjet celularëve. 

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale, 7 celularë që shërbenin për vënien e basteve sportive.   

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive të kundërligjshme në fushën e lojërave të fatit, pas një pune të mirëfilltë hetimore, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Shady snake”.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan shtetasit R. J., 25 vjeç, B. M., 36 vjeç, M. F., 38 vjeç, K. B., 30 vjeç, dhe Q. Sh., 42 vjeç, të gjithë banues në Tiranë.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në disa subjekte të vëna në dispozicion për organizimin e lojërave të fatit, u konstatuan këta shtetas, në celularët e të cilëve shërbimet e Policisë gjetën faqe dhe linqe që shërbenin për vënien e basteve sportive.     

Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 7 celularë që shërbenin për këtë veprimtari të paligjshme.  

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Lushnjë/Vijon megaoperacioni policor i koduar “Sundimi i ligjit”.

Kishte përshtatur lokalin që kishte në pronësi, për organizim të kundërligjshëm të lojërave të fatit, arrestohet në flagrancë 45-vjeçari.

Sekuestrohet kompjuteri që shërbente për lojërat.

Si rezultat i administrimit të shpejtë të inteligjencës policore, të siguruar në vijim të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, me qëllim parandalimin, konstatimin dhe goditjen e rasteve të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë ndërhynë në një tjetër lokal të përshtatur për këtë veprimtari.

Në ambientet e lokalit në fshatin Barbullinjë, shërbimet e Policisë arrestuan në flagrancë pronarin, shtetasin L. C., 45 vjeç, banues në këtë fshat, si dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një kompjuter që shërbente për lojëra fati.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 94 shtetas, konkretisht: 30 shtetas janë vënë në pranga, 62 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 2 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste– 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. 1 shtetas tjetër, i kërkuar për veprimtari kriminale në këtë fushë, është kapur dhe ndaluar.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 5 raste- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 11 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 12 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ekonomike, janë evidentuar 7 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës/tentativave për vjedhje të pronës, janë evidentuar 6 raste, 4 prej të cilave me autor/ë ende të paidentifikuar. Për 2 rastet e tjera, 2 shtetas janë vënë në pranga.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 13 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 11 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë plotësuar 5 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-2 raste të veprës penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, me 6 shtetas të vënë në pranga;

-2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të kalimit të kundërligjshëm të kufijve, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të punonjësve të Policisë, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-nga 1 rast i veprave penale “Ngacmimi seksual” dhe “Kanosja për shkak të detyrës”, me nga 1 shtetas të vënë në pranga;

-nga 1 rast i veprave penale në fushën e krimeve kibernetike, “Trafikimi i mjeteve motorike”, “Ndërhyrje të padrejta në jetën private” dhe “Dhunimi i varreve”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

1 shtetas i shpallur në kërkim për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, është kapur dhe ndaluar.

1 shtetas i shpallur në kërkim për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, është kapur dhe ndaluar

Kanë ndodhur 4 aksidente rrugore, me 6 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 14 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 9 shtetas janë vënë në pranga dhe 11 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.