Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Lezhë/Ndërhyrja e menjëhershme e Policisë, parandalon ngjarje të mundshme kriminale në një familje.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Poseduesi”.
Sekuestrohen 1 armë zjarri kallashnikov, 2 krehra dhe 173 fishekë të tij, si dhe 2 fenelina si të Policisë.
Dhunoi bashkëjetuesen, si dhe mbante në banesë, pa leje, armë zjarri dhe fenelina si të Policisë, arrestohet në flagrancë 37-vjeçari.
Menjëherë pas kallëzimit të një shtetaseje, se dhunohej nga bashkëjetuesi i saj, Komisariati i Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” të DVP Lezhë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Poseduesi”, kanë mundësuar kapjen dhe vënien në pranga të autorit të këtij rasti, shtetasit A. S., 37 vjeç.
Në vijim të veprimeve policore për këtë rast, është kryer kontroll në banesën e shtetasit të arrestuar, ku janë gjetur 1 armë zjarri kallashnikov, municion luftarak dhe fenelina si të Policisë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Gjirokastër/Kontrolle intensive të territorit, në kuadër të planit operacional kombëtar të koduar “Territor i pastër”.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Befasia”, për goditjen e një rasti të tentativës për kultivim të bimëve narkotike.
Vihet në pranga një 34-vjeçar, procedohet në gjendje të lirë nëna e tij.
Asgjësohen 128 fidanë cannabis sativa që u gjetën në oborrin e banesës së tyre, në fshatin Mashkullorë.
Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar “Territor i pastër”, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për kultivimin e bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, bazuar dhe në inteligjencën policore, kanë intensifikuar kontrollet në terren.
Në këtë kuadër, si rezultat i informacioneve të siguruara në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër finalizuan me sukses operacionin e koduar “Befasia”, si rezultat i të cilit u godit një rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike.
Për këtë rast, u arrestua në flagrancë shtetasi I. D., 34 vjeç, banues në fshatin Mashkullorë, njësia administrative Cepo, si dhe u procedua në gjendje të lirë nëna e tij, shtetasja V. D., 56 vjeçe, pasi në oborrin e banesës së tyre u gjetën të mbjellë në kubikë, 128 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa, të cilët u asgjësuan nga Policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Korçë/Finalizohet operacioni “The Counterfeiters 2”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të falsifikimit të dokumenteve.
Vijonte të prodhonte në banesë, dokumente të falsifikuara, ndërkohë që ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për të njëjtën veprimtari, vihet në pranga 58-vjeçari.
Sekuestrohen pasaporta greke, pajisje kompjuterike, makineri prodhimi dhe falsifikimi, celularë dhe një shumë eurosh.
Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare i DVP Korçë, në vijim të operacionit “The Counterfeiters”, të finalizuar në muajin korrik të vitit 2023, si rezultat i të cilit u zbulua një laborator që shërbente për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara dhe u arrestuan në flagrancë 3 shtetas, ka vijuar në drejtimin e Prokurorisë së rrethit, punën hetimore për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e të gjithë shtetasve të përfshirë. Në vijim të veprimeve, u arrestua shtetasi:
-A. R., 58 vjeç, banues në Korçë, aktualisht me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata e Korçës, për rastin e falsifikimit të dokumenteve që u zbulua në korrik të vitit 2023.
Në bazë të dyshimeve se ky shtetas, i cili u arrestua në vitin 2023, bashkë me 2 shtetas të tjerë, gjatë operacionit të koduar “The Counterfeiters” vijonte të ushtronte veprimtarinë e falsifikimit të dokumenteve, u ushtrua kontroll në banesën e tij. Gjatë kontrollit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale disa pasaporta greke, pajisje kompjuterike, makineri prodhimi dhe falsifikimi, celularë dhe një shumë eurosh.
Vijon puna për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale shtesë i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.
DVP Tiranë
Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, operacioni policor i koduar “Collaboration 3”.
Sekuestrohen 1 kg e 130 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë.
Vihen në pranga 3 shtetas.
Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, të mbështetura nga inteligjenca operative, dhe në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional “Tempulli 3”, në kuadër të një procedimi penal ndjekur me metoda proaktive, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë organizuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Collaboration 3”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: P. Sh., 35 vjeç, Xh. A., 23 vjeç, dhe E. R., 43 vjeç, të tre banues në Tiranë.
Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në rrugën “Myslym Shyri”, shtetasit e lartpërmendur, dhe gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit P. Sh., shërbimet e Policisë i gjetën 1 kg e 130 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë. Gjatë ndërhyrjes, shtetasi E. R. nuk i është bindur urdhrave të punonjësve të Policisë.
Lënda narkotike, së bashku me një automjet dhe celularët e shtetasve të arrestuar, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 105 shtetas, konkretisht: 34 shtetas janë vënë në pranga, 63 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 8 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 18 raste. Për 11 raste të kultivimit të bimëve narkotike, autorët janë ende të paidentifikuar, ndërsa për 7 rastet e tjera në fushën e narkotikëve, janë vënë në pranga 4 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 6 shtetas.
Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 3 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 1 shtetas është shpallur në kërkim.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 11 raste- 4 shtetas janë vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 6 raste të krimeve ekonomike- me 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të falsifikimit- 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Për veprat penale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 5 raste, 2 prej të cilave me autorë ende të paidentifikuar. 1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë, për vjedhje të tjera.
Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike- 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 10 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 11 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 3 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 10 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar:
-6 raste të kundërshtimit/mosbindjes ndaj urdhrave të punonjësve të Policisë, me 6 shtetas të vënë në pranga dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-3 raste të krimeve kibernetike, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-3 raste të shpërdorimit të detyrave, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 4 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të shpallur në kërkim;
-2 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 2 shtetas të vënë në pranga;
-nga 1 rast i shfrytëzimit për prostitucion dhe mbajtjes pa të drejtë të uniformës, me nga 1 shtetas të vënë në pranga;
-nga 1 rast i veprave penale “Prishja e qetësisë publike”, “Moskallëzimi i krimit”, “Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore” dhe “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, me 6 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast i veprës penale “Përndjekja”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim.
2 shtetas të kërkuar përkatësisht për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” ose për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Goditjet për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, janë ndaluar
Kanë ndodhur 2 aksidente rrugore, me 3 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 13 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëri prej tyre me autor ende të paidentifikuar. Për raste të tjera, 7 shtetas janë vënë në pranga dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.