Raporti i ngjarjeve, 23 korrik 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Tiranë/Qarkullonte me automjet, i armatosur, arrestohet në flagrancë 20-vjeçari.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional “Sundimi i ligjit”, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për një shtetas që qarkullonte me automjet, i armatosur, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Driver”.

Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi E. M., 20 vjeç, banues në Kamëz, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278 i Kodit Penal.

Në rrugën “5 Maji”, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar automjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin E. M. Gjatë kontrollit në çantën e tij, shërbimet e Policisë gjetën një armë zjarri pistoletë me krehër dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet i kaluan Prokurorisë.

Tiranë

Theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, posedonte lëndë narkotike cannabis dhe mjet prerës (thikë), kapet në flagrancë dhe ndalohet 24-vjeçari.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për garantimin e rendit dhe sigurisë, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale, kapjen në flagrancë të shtetasve që kryejnë vepra penale, kanë intensifikuar kontrollet në të gjithë territorin, për vënien përpara përgjegjësisë penale të këtyre shtetasve.

Si rezultat i kontrolleve, u kap në Sauk, shtetasi S. I., 24 vjeç, banues në Peqin.

Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën këtij shtetasi, sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa dhe një mjet prerës (thikë), të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Nga verifikimet e kryera rezultoi se 24-vjeçari kishte thyer masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata e Elbasanit. Veprimet e tjera procedurale do të kryhen nga Komisariati i Policisë Peqin.

Materialet i kaluan Prokurorisë.

Policia e Shtetit

Hetime proaktive të përbashkëta ndërmjet Policisë së Shtetit, Ambasadës së ShBA-së në Tiranë dhe Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Arrestohet një shtetas shqiptar, i përfshirë në një skemë të madhe mashtrimi, me objektiv sistemin arsimor në te gjithë vendin.

Më datë 22.07.2024, është arrestuar shtetasi E. H., 20 vjeç, banues në Devoll.

Departamenti i Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Njësinë e Hetimeve Kriminale pranë Shërbimit Diplomatik të Sigurisë së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë së Seksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka ekzekutuar një masë sigurimi “Arrest në burg”, të lëshuar nga Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Falsifikimi kompjuterik” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

Pas një hetimi gjashtëmujor, nga një grup hetimor i posaçëm, i përbërë nga oficerë të Departamentit të Policisë Kriminale dhe hetues nga Zyra e Hetimeve Kriminale pranë Ambasadës se Shteteve të Bashkuara në Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë së Seksionit të Përgjithshëm Tiranë, është zbuluar një skemë mashtrimi e organizuar nga shtetasi tashmë i arrestuari E. H., i cili mashtronte institucionet arsimore, me projektet e ashtuquajtura “Let’s Talk Together about US 23” and “Let’s Talk Together about US 24”.

Programet iu premtonin nxënësve dhe mësuesve, udhëtime falas në Shtetet e Bashkuara. I arrestuari E. H. kishte krijuar një identitet të rremë, duke u angazhuar me zyrtarë të Ministrisë së Arsimit dhe të institucioneve të tjera arsimore në të gjithë Shqipërinë. Qindra studentë, mësues dhe zyrtarë arsimorë në të gjithë Shqipërinë morën pjesë në këto programe mashtruese.

Policia e Shtetit shqiptar falënderon Prokurorinë e Seksionit të Përgjithshëm, Tiranë  dhe Njësinë e Hetimeve Kriminale pranë Ambasadës së ShBA-së në Tiranë, për ndihmën në këtë hetim kompleks dhe për partneritetin e vazhdueshëm.

Durrës

Specialistët e qarkullimit rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin S. L., 46 vjeç, banues në fshatin Rubjekë, pasi mbrëmjen e djeshme, në fshatin Bilalas, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe si pasojë automjeti ka dalë nga rruga. Nga aksidenti ka humbur jetën në Spitalin e Traumës, pasagjeri në këtë automjet, shtetasi Gj. Gj., 32 vjeç, banues në Shijak.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim E. K., 48 vjeç, banues në fshatin Xhavzotaj, pasi Gjykata e Durrësit i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Tiranë/Informacion paraprak

Më datë 23.07.2024, rreth orës 01:35, janë paraqitur në një spital privat, për ndihmë mjekësore, shtetasit E. P., 36 vjeçe, A. P., 36 vjeç, dhe D. P., 34 vjeç, me dëmtime të shkaktuara dyshohet nga armë zjarri.

Këta shtetas, rreth orës 01:30 të mëngjesit të sotëm, kanë qenë duke festuar së bashku me persona të tjerë nga rrethi i tyre shoqëror dhe familjar, në një lokal në Rrugën e Kavajës.

Nga tërësia e veprimeve hetimore paraprake është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar, shtetasit E. E., 32 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas dyshohet se aksidentalisht, me një armë zjarri të cilën e mbante pa leje, ka bërë një shkrepje të pavullnetshme, dhe si pasojë e saj janë dëmtuar shtetasit e mësipërm.

Shtetasit D. P. dhe A. P., pas marrjes  së ndihmës mjekësore janë larguar për në banesë, ndërsa shtetasja E. P., ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti dhe kapjen e shtetasit E. E.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 67 shtetas, konkretisht: 20 shtetas janë vënë në pranga, 46 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe është shpallur në kërkim 1 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste. Për 3 raste të kultivimit të bimëve narkotike, autorët janë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera në fushën e narkotikëve, janë proceduar në gjendje të lirë 5 shtetas.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 2 raste, për zbardhjen e të cilave po kryhen hetime. 1 shtetas i kërkuar për këtë vepër penale, është kapur.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 13 raste. Për 2 raste vijojnë hetimet, me qëllim zbardhjen. Për rastet e tjera, 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 12 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të krimeve ekonomike- me 2 shtetas të vënë në pranga, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të krimeve kibernetike. Për 3 prej tyre janë proceduar në gjendje të lirë 3 shtetas, ndërsa për zbardhjen e rastit tjetër vijojnë hetimet.

Për veprat penale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 4 raste, me autor të paidentifikuar, për zbardhjen e të cilave po vijojnë hetimet. Për 1 vjedhje të mëparshme është ndaluar 1 shtetase.

Janë evidentuar 6 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 10 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-2 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të punonjësve të Policisë, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të trafikimit të mjeteve motorike, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i veprës penale “Ngacmimi seksual”, me 2 shtetas të vënë në pranga;

-1 rast i veprës penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, me autor/ë të paidentifikuar;

-nga 1 rast i veprave penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Prishja e qetësisë publike”, “Goditjet për shkak të detyrës”, “Dhunimi i banesës”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 10 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.

2 shtetas të kërkuar përkatësisht për veprat penale “Prishja e qetësisë publike” dhe “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç”.

Kanë ndodhur 5 aksidente rrugore, me 1 viktimë dhe 5 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 14 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 10 shtetas janë vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.