Raporti i ngjarjeve, 23 janar 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Policia e Shtetit

Finalizohet operacioni policor i koduar “Utopia”, pas një hetimi intensiv për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, autorët e një rasti mashtrimi me shuma të konsiderueshme parash.

Operacioni, nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në DPPSH, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, Komisariatin e Policisë Pogradec dhe me Prokurorinë e Tiranës.

U kapën në flagrancë duke i marrë 30 000 euro, një shtetasi, pasi e kishin mashtruar se do të ndikonin për t’i regjistruar pronën, vihen në pranga 3 shtetas (familjarë të njëri-tjetrit).

Në pranga dhe një 31-vjeçare, punonjëse e një banke, e cila dyshohet se në kundërshtim me ligjin, ka transferuar një shumë parash që i ka shërbyer këtij rasti mashtrimi.

Sekuestrohen 30 000 euro, 1 automjet dhe 10 celularë.

Si rezultat i një hetimi të ndjekur me metoda proaktive, për dokumentimin me prova ligjore të një rasti mashtrimi me pasoja të rënda, që kryhej prej disa vitesh, nga një çift bashkëshortësh dhe vajza e tyre, u finalizua operacioni policor i koduar “Utopia”, në kuadër të të cilit u arrestuan shtetasit I. S., 73 vjeç dhe Sh. S., 68 vjeçe, bashkëshortë, vajza e tyre, shtetasja R. S., 48 vjeçe, të tre banues në Pogradec, si dhe shtetasja E. I., 31 vjeçe, banuese në Tiranë.

Gjatë periudhës hetimore u provua se shtetasit I. S., Sh. S. dhe R. S. kishin mashtruar prej disa vitesh, një shtetas, me pretendimin se do të ndikonin për t’i regjistruar një sipërfaqe toke, në organet kompetente. Shtetaset Sh. S. dhe R. S. u kapën në flagrancë duke i marrë 30 000, këtij shtetasi, për këtë qëllim. Ndërkaq, shtetasja E. I., punonjëse në një bankë të nivelit të dytë, u arrestua pasi dyshohet se në kundërshtim me ligjin, ka kaluar në llogarinë e vet, një shumë parash të shtetasit të mashtruar, të cilën më pas ia ka dorëzuar shtetaseve Sh. S. dhe R. S..

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 30 000 euro, 1 automjet, 10 celularë dhe dokumente të tjera që do t’i shërbejnë hetimit, me qëllim nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të të gjithë shtetasve të përfshirë në këtë rast.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim.

Roskovec, Fier/Aksione të përditshme, në vijim të megaoperacionit “Tempulli 2”, për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shpërndarësit e lëndëve narkotike.

Kishte përgatitur doza kokaine, për t’i shitur në qytetin e Roskovecit, arrestohet në flagrancë 37-vjeçari.

Sekuestrohet një sasi lënde narkotike kokainë, e ndarë në 75 doza.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier kanë vijuar gjatë mbrëmjes së djeshme dhe gjatë natës, kontrollet në të gjithë territorin e qarkut, në kuadër të fazës së dytë të megaoperacionit antidrogë të koduar “Tempulli”. Nga këto kontrolle, si dhe nga mbështetja e informacioneve të inteligjencës policore, u vu në pranga shtetasi E. Xh., 37 vjeç, banues në fshatin Kuman.

Nga kontrollet fizike dhe në banesë, shërbimet e Policisë i gjetën dhe i sekuestruan këtij shtetasi, një sasi lënde narkotike kokainë, të cilën e kishte ndarë në 75 doza, me qëllim shitjen.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

DVP Elbasan

•Cërrik/Goditi me send të fortë, vëllanë e tij, për motive të dobëta, arrestohet në flagrancë 58-vjeçari.    

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Cërrik, menjëherë pas marrjes së njoftimit për një rast dhune në familje, në fshatin Linas, kanë organizuar punën dhe kanë shkuar në adresën e dhënë. Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit M. P., 58 vjeç, banues në fshatin Linas, Cërrik, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me send të fortë (dru), vëllanë e tij, i cili ndodhet në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.        

•Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin V. Q., 23 vjeç, banues në Elbasan, pasi në lagjen “5 Maji”, me automjetin që drejtonte, ka përplasur një karrocë që përdorej nga shtetasi L. K., 56 vjeç, banues në Elbasan. Si pasojë e përplasjes është dëmtuar 56-vjeçari, i cili është në kujdesin e mjekëve.   

Po nga këta specialistë u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:

-E. Z., 36 vjeç, banues në Elbasan, pasi pasditen e djeshme, në lagjen “Vullnetari”, me automjetin që drejtonte, ka aksidentuar lehtë shtetasin Y. C., 70 vjeç (këmbësor), i cili pasi mori mjekim në spital, u largua në banesë; 

-K. B., 24 vjeç, banues në fshatin Shelcan, pasi duke drejtuar motomjetin, pa leje drejtimi, ka humbur kontrollin dhe motomjeti ka dalë nga rruga. Për pasojë është dëmtuar vetë 24-vjeçari, i cili është në kujdesin e mjekëve.    

•Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin V. K., 45 vjeç, banues në Elbasan, pasi gjatë kontrollit nga shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me inspektorët e pyjeve, afër banesës së 45-vjeçarit, u gjet një sasi drush ahu, që dyshohet të jetë prerë në mënyrë të kundërligjshme, në pyllin në afërsi të banesës. Drutë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Kuçovë/Punë hetimore intensive për të parandaluar vjedhjet dhe për të zbardhur ato të kryera më parë.

Vodhën gjatë 4 ditëve të fundit, pajisje dhe mjete, në të njëjtën banesë, arrestohet 37-vjeçari dhe vijon puna për kapjen e bashkëpunëtorit të tij.

Sekuestrohen pajisjet e vjedhura.

Si rezultat i hetimeve të kryera, për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, autorët e vjedhjeve të kryera gjatë ditëve të fundit, në një banesë aktualisht të pabanuar, në Kuçovë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kuçovë, në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, kapën dhe vunë në pranga shtetasin A. S., 37 vjeç, si dhe shpallën në kërkim shtetasin V. N., 29 vjeç, të dy banues në Kuçovë.

Këta shtetas dyshohet se gjatë periudhës 19.01.2024-22.01.2024, kanë vjedhur në këtë banesë, mjete për punë dhe 2 pajisje elektroshtëpiake, të cilat u sekuestruan nga shërbimet e Policisë.

Vijon puna për kapjen e 29-vjeçarit, si dhe për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të kenë kryer këta shtetas.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.

Tiranë

Nuk respektuan rregullat e sigurimit teknik në punë dhe si pasojë, nga një pallat në ndërtim, ra një skelë që dëmtoi dy kalimtarë, vihen në pranga 3 shtetas, të punësuar në firmën që kryente punimet për ndërtimin e këtij pallati.  

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të veprimeve hetimore të kryera për ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në bulevardin “Gjergj Fishta”, ku nga një pallat në ndërtim e sipër, ra një skelë që dëmtoi dy kalimtarë, arrestuan shtetasit:      

E. O., 41 vjeç, E. K., 41 vjeç dhe Z. K., 49 vjeç, të tre banues në Tiranë, të punësuar respektivisht punëtor ndërtimi, sipërmarrës dhe inxhinier, në firmën që kryente punimet për ndërtimin e pallatit. 

Ditën e djeshme, në orën 10:00, në bulevardin “Gjergj Fishta”, dyshohet se për shkak të mosrespektimit të rregullave të sigurimit teknik në punë, nga kati i 13-të i pallatit në ndërtim, ka rënë një skelë metalike që dëmtoi 2 kalimtarë të rastit, shtetasit I. Sh., 38 vjeçe dhe H. L., 72 vjeç, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.        

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 369 shtetas, konkretisht: 298 shtetas janë vënë në pranga, 42 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 29 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve është finalizuar megaoperacioni “Tempulli 2”. Gjatë këtij megaoperacioni u sekuestruan 7.5 kilogramë kokainë, 560 kilogramë kanabis, një sasi heroine, 10 armë zjarri, 16 armë gjahu, 3 armë sportive, 9 armë të ftohta, municion luftarak i kalibrave të ndryshëm, 2 granata dore, 1 jelek antiplumb, 184 celularë, 40 automjete, 11 peshore elektronike dhe shuma të konsiderueshme parash (lekë, paund dhe euro).  Nga ky megaoperacion u arrestuan dhe u ndaluan 274 shtetas, u shpallën në kërkim 25 shtetas, anëtarë të 7 grupeve kriminale.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 7 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 4 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. 1 shtetas është shpallur në kërkim për një tentativë për vrasje në Krujë.

Në fushën e krimeve ekonomike, janë evidentuar 5 raste- 4 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjes (tentativave për vjedhje) së pronës dhe pasurisë janë evidentuar 5 raste, 4 prej të cilave me autorë ende të paidentifikuar. 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë, për këtë veprimtari kriminale.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 7 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të dhunës në familje, për të cilat janë arrestuar 2 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 3 të tjerë. Gjithashtu, janë plotësuar 10 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-3 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-2 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të punonjësve të Policisë, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i veprës penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me 3 shtetas të vënë në pranga;

-1 rast i veprës penale “Përndjekja”, me 1 shtetas të vënë në pranga;

-nga 1 rast i veprave penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, “Kallëzimi i rremë” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, me 8 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.

1 shtetas i shpallur në kërkim për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, është kapur dhe vënë në pranga.

Janë evidentuar 11 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 8 shtetas janë vënë në pranga dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.