Raporti i ngjarjeve, 19 janar 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Fier/Goditje të përditshme në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”, kundër prodhimit dhe shitjes së narkotikëve.   

Si rezultat i një hetimi disaditor me metoda proaktive, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga një 27-vjeçar që shiste doza kokaine në qytetin e Fierit.     

Sekuestrohen dozat e kokainës që iu gjetën 27-vjeçarit, gjatë kontrollit fizik.

Si rezultat i kontrolleve të pandërprera në të gjithë territorin e qarkut, të kryera në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Tempulli”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë goditur një tjetër rast të shitjes në doza të drogave të forta, për të cilin u arrestua shtetasi:   

G. C., 27 vjeç, banues në Fier, pasi në lagjen “1 Maji”, gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin me të cilin qarkullonte, iu gjetën doza kokaine të gatshme për shitje, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.      

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.       

DVP Elbasan/Procedohen në gjendje të lirë 4 shtetas, për vepra penale të ndryshme.

•Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Elbasan referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. M., 20 vjeç, banues në Elbasan, pasi nga kontrolli fizik iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi e vogël lënde narkotike cannabis sativa.

•Specialistët e Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. T. 37 vjeç, banues në Berat, pasi ditën e djeshme, në Belsh, me automjetin që drejtonte, ka aksidentuar shtetasin N. T., 67 vjeç, banues në Belsh (këmbësor), i cili është në kujdesin e mjekëve.

•Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin B. S., 50 vjeç, banues në fshatin Zavalinë, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka dëmtuar me sende të forta (gurë), automjetin e një 38-vjeçari.

•Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Librazhd referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. (B.) M., 47 vjeç, banues në Librazhd, pasi dyshohet se duke qenë në gjendje të dehur, ka dhunuar në ambientet e një lokali, një shtetase 43 vjeçe.

•Pasditen e djeshme, në spitalin e Gramshit, është dërguar nga familjarët për ndihmë mjekësore, shtetasja E. K., 29 vjeçe, banuese në Gramsh, e cila dyshohet se ka konsumuar mbidozë të ilaçeve që përdorte. 29-vjeçarja është në kujdesin e mjekëve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Fier/Operacione të njëpasnjëshme, për të goditur rastet e armëmbajtjes pa leje, me qëllim garantimin e sundimit të ligjit në territor.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Risku”. Sekuestrohen 2 armë zjarri dhe municion luftarak.

Kishte 2 pistoleta, në automjet dhe në banesë, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 30-vjeçari.

Si rezultat i kontrolleve në të gjithë territorin e qarkut, të kryera në bazë të informacioneve nga inteligjenca policore dhe në vijim të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Risku”, gjatë të cilit u godit një tjetër rast i posedimit të kundërligjshëm të armëve të zjarrit.

Shërbimet e Policisë, për këtë rast, arrestuan në flagrancë shtetasin V. Gj., 30 vjeç, banues në Vreshtas, pasi nga kontrollet e kryera në automjetin që ky shtetas drejtonte gjatë natës, në fshatin Cakran, dhe në banesën e tij, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 armë zjarri pistoleta dhe municion luftarak.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.

Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Fire”, nga Komisariati i Policisë Nr. 6.

Zbardhet dhe dokumentohet, me prova ligjore, djegia e një automjeti në zonën e Unazës së Re, e cila fillimisht u raportua si ngjarje aksidentale.

Shpallen në kërkim dy shtetas nga Maqedonia e Veriut, si autorë të dyshuar të kësaj ngjarje.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të veprimeve hetimore të thelluara për një djegie automjeti të ndodhur më datë 04.01.2024, në rrugën “Astrit Losha”, e cila fillimisht u raportua si ngjarje aksdentale, bazuar dhe në inteligjencën policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Fire”.

Në kuadër të tij u bë shpallja në kërkim e shtetasve F. T., 37 vjeç, dhe M. S., 27 vjeç, të dy banues në Maqedoninë e Veriut.

Nga veprimeve hetimore të kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 04.01.2024, në rrugën “Astrit Losha”, për motive të dobëta, kanë djegur automjetin e shtetases Xh. T.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 77 shtetas, konkretisht: 19 shtetas janë vënë në pranga, 52 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste– 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 4 raste- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 7 raste- 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 2 raste- shtetas është shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë janë evidentuar 2 raste- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 1 shtetas është shpallur në kërkim. 1 shtetas i shpallur në kërkim për një vjedhje të mëparshme, është kapur dhe ndaluar.

Janë konstatuar 4 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 3 raste- 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 10 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Janë ndaluar 5 shtetas të shpallur në kërkim për këtë vepër penale dhe janë plotësuar 12 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-5 raste të kalimit të kundërligjshëm të kufirit shtetëror, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-5 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrit të punonjësit të Policisë, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 raste i veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 1 shtetas të vënë në pranga;

-nga 1 rast i veprave penale “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”, “Marrja e padrejtë e fëmijës” dhe “Braktisja e fëmijëve të mitur”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Kanë ndodhur 2 aksidente rrugore, me 2 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 18 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 8 shtetas janë vënë në pranga dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.