Raporti i ngjarjeve, 17 maj 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Tiranë

Komisariati i Policisë Nr. 4, në vijim të punës për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike dhe goditjes së armëmbajtjes pa leje, bazuar në masat e përcaktuara në planet operacionale “Territor i pastër” dhe “Sundimi i ligjit”, ka finalizuar operacionin e koduar “Plani”. 

Si rezultat i tij u arrestuan në flagrancë shtetasit V. J., 66 vjeç, T. T., 32 vjeç, banues në Zall-Bastar, si dhe punohet për kapjen e shtetasit A. K., 41 vjeç.

Këta shtetas dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kultivuar bimë narkotike në një parcelë në pyllin e fshatit Pllan. Gjatë kontrollit në këtë parcelë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bimë të dyshuara narkotike cannabis.

Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit V. J., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 4 armë (1 çifte, 3 armë zjarri karabinë), 4 kallëpë me lëndë të dyshuar eksplozive, 18 krëhëra automatiku, sasi municioni luftarak, 2 kundërgaze, 2 thika, 2 aparate celulare, dhe shuma parash.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Stacioni i Policisë Patos, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional “Territor i pastër”, si dhe me mbështetjen te informacionet e inteligjencës policore, ka goditur një tjetër rast të kultivimit të bimëve narkotike. Për rastin u arrestua në flagrancë shtetasi E. B., 23 vjeç, banues në fshatin Dukas, pasi në oborrin e banesës së tij, u gjetën 8 bimë cannabisi, të mbjella në vazo. Bimët narkotike u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Komisariati i Policisë Fier arrestoi në flagrancë shtetasin A. A., 47 vjeç, banues në Fier, pasi u kap në PKK Qafë Thanë, në dalje të vendit, në cenim të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”, të vendosur nga Gjykata e Tiranës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Komisariati i Policisë Divjakë arrestoi në flagrancë shtetasin R. T., 27 vjeç, banues në fshatin Xeng, pasi ka ushtruar dhunë ndaj babait dhe gjyshes së tij.

Policia Rrugore e DVP Fier referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin P. B., pasi teksa drejtonte në gjendje të dehur, një motomjet pa targa, ka humbur kontrollin dhe si pasojë motomjeti ka dalë nga rruga. Nga aksidenti janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Shkodër

Po ndërtonin pa leje, komplekse barakash, në lagjet “Salo Halili” dhe “10 Korriku”, ku do të strehoheshin kundrejt pagesës, familje të komunitetit rom, procedohen penalisht 4 shtetas.

Si rezultat i kontrolleve dhe verifikimeve që u kryen në bashkëpunim me specialistët e IMT Shkodër, me qëllim parandalimin dhe goditjen e rasteve të ndërtimeve pa leje, në zonë urbane, Komisariati i Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Seksionin kundër Krimeve Ekonomiko-Financiare e DVP Shkodër, referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të për shtetasit F. M., R. K., S. S. dhe A. A..

Nga verifikimet rezultoi se këta shtetas po ndërtonin pa leje, 4 komplekse barakash, në 2 lagje të qytetit, ku do të strehoheshin kundrejt pagesës, familje të komunitetit rom.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

DVP Elbasan

Komisariati i Policisë Elbasan arrestoi në flagrancë shtetasin T. M., 63 vjeç, banues në Elbasan dhe referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. Sh., 58 vjeç, pasi gjatë një konflikti për motive të dobëta, ndërmjet këtyre 2 shtetasve, shtetasi T. M. ka dëmtuar me mjet prerës (thikë), shtetasin K. Sh., i cili është jashtë rrezikut për jetën.

Sektori i Qarkullimit Rrugor arrestoi në flagrancë shtetasit:

-G. J., 54 vjeç, banues në fshatin Gjergjan, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur;

-L. B., 63 vjeç, banues në Tiranë, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.

Komisariati i Policisë Elbasan referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:

-A. Ç., 37 vjeç dhe M. Z., 31 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, kanë goditur me grushte, një shtetas 29 vjeç;

-R. B., 40 vjeç, banues në fshatin Mlizë, pasi u kostatua se po ndërtonte një mur rrethues, pa leje.

Komisariati Policisë Cërrik referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. Ç., 30 vjeç, banues në fshatin Murras, pasi ka kanosur një 29-vjeçar.

Ditën e djeshme, në spitalin rajonal të Elbasanit, janë paraqitur:

-shtetasja S. A., 61 vjeçe, e cila dyshohet se ka konsumuar mbidozë të ilaçeve;

-shtetasi K. Sh., 69 vjeç, banues në fshatin Gjinar, i cili dyshohet se në gjendje të rënduar psikologjike, ka konsumuar pesticide;

-shtetasi B. T., 27 vjeç, banues në Belsh, i  cili dyshohet se ka konsumuar Fotoksinë.

Të tre shtetasit vijojnë të jenë në kujdesin e mjekëve, ndërkaq grupe të posaçme hetimore janë ngritur për të dokumentuar me prova ligjore rrethanat e këtyre rasteve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 74 shtetas, konkretisht: 22 shtetas janë vënë në pranga, 46 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste- 5 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 2 raste- 3 shtetas janë vënë në pranga.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 11 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të krimeve ekonomike- me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të falsifikimit. 1 shtetas është vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 10 raste, 5 prej të cilave me autorë ende të paidentifikuar. 1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për vjedhje të tjera.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 12 raste. 1 shtetas është vënë në pranga dhe 11 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. 2 shtetas të shpallur në kërkim për këtë vepër penale, janë kapur, si dhe janë plotësuar 9 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-4 raste të veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 1 shtetas të vënë në pranga, 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të kalimit të kundërligjshëm të kufijve shtetërorë, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i veprës penale “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, me autor/ë ende të paidentifikuar;

-nga 1 rast i veprave penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale” dhe “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, me 5 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.

2 shtetas të kërkuar përkatësisht për veprat penale “Përndjekja” dhe “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”, janë ndaluar.

Kanë ndodhur 4 aksidente rrugore, me 4 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 10 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 5 shtetas janë vënë në pranga dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.