Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Krujë
Komisariati i Policisë Krujë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në vijim të punës për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional “Territor i pastër”, ka finalizuar operacionin policor të koduar “Plant 4”.
Si rezultat i tij u arrestua shtetasi R. Xh., 60 vjeç, banues në Halil, Fushë Krujë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, parashikuar nga neni 284 i Kodit Penal.
Gjatë kontrolleve në vendin e quajtur “Fusha e Mejdanit”, është konstatuar një parcelë me 4 ambiente të përshtatura për kultivim, ku u gjetën 80 bimë të dyshuara narkotike kanabis, të dyshuara të kultivuara nga shtetasi R. Xh.
Një pjesë e bimëve u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua me anë të djegies.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë.
Tiranë
Krijoi llogari false në rrjetet sociale, për deningrimin e imazhit të ish të dashurës së tij, identifikohet dhe arrestohet 40-vjeçari.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në fushën e krimeve kibernetike, pas kallëzimit nga një shtetase, se në rrjete sociale krijoheshin llogari të ndyshme me emrin dhe me fotot e saj, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, u identifikua, u kap dhe u ndalua autori i dyshuar, shtetasi E. T., 40 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Falsifikimi kompjuterik” dhe “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”.
Ky shtetas dyshohet se për një periudhë 7-mujore ka krijuar profile në rrjetet sociale, me gjeneralitetet e ish të dashurës së tij, në të cilat publikonte foto me përmbajtje të ndryshme, për denigrimin e imazhit të saj.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Dimal/Finalizohet operacioni i koduar “Befasia”, sekuestrohen 2 armë zjarri pistoleta, municion luftarak, veshje si të Policisë dhe sende të kundërligjshme.
Stacioni i Policisë Dimal, në zbatim të masave të planit operacional “Sundimi i ligjit”, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për një shtetas që mbante armë zjarri me vete dhe në banesë, ka organizuar operacionin policor të koduar “Befasia”, për kapjen e këtij shtetasi.
Si rezultat i operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi M. G., 21 vjeç, banues në fshatin Suk, Fier, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin dhe në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 2 armë zjarri pistoleta, krehra dhe municion luftarak për to, veshje si të Policisë, maska, dorashka dhe 1 përforcues grushti.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 81 shtetas, konkretisht: 21 shtetas janë vënë në pranga, 54 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 13 raste. Për 7 raste të kultivimit të bimëve narkotike, autorët janë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera në fushën e narkotikëve, janë vënë në pranga 3 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 5 shtetas.
Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 3 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 9 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të krimeve ekonomike- me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të falsifikimit. 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Për veprat penale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 6 raste, 3 prej të cilave me autorë ende të paidentifikuar. 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për vjedhje të tjera.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 9 raste. 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Dhuna në familje”. 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 12 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar:
-5 raste të kalimit të kundërligjshëm të kufijve, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-3 raste të vetëgjyqësisë, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-3 raste të largimit të të burgosurit nga vendi i qendrimit, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të shpallur në kërkim;
-2 raste të prishjes së qetësisë publike, me 2 shtetas të vënë në pranga;
-2 raste të shpërdorimit të detyrës, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-nga 1 rast i veprave penale “Përndjekja” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”, ne nga 1 shtetas të vënë në pranga;
-1 rast i veprës penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me 2 shtetas të vënë në pranga;
-nga 1 rast i krimeve kibernetike, trafikimit të mjeteve motorike, veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës dhe shkatërrimit të rrjetit të ujësjellësit, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
1 shtetas është ndaluar për kibernetike, ndërsa 1 shtetas tjetër është ndaluar për veprat penale “Dhuna në familje”, “Vjedhja” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.
Kanë ndodhur 5 aksidente rrugore, me 5 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 11 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 6 shtetas janë vënë në pranga dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.