Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Shkodër
Vijon megaoperacioni “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.
Tentoi të vriste një shtetas, duke qëlluar me pistoletë në drejtim të automjetit me të cilin lëvizte ai, lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga 35-vjeçari i shpallur në kërkim.
Në vijim të kontrolleve dhe punës së inteligjencës policore që kryhen në kuadër të megaoperacionit kombëtar “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, Komisariati i Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vau i Dejës, ndaloi shtetasin V. K., 35 vjeç, banues në fshatin Karmë, Vau i Dejës.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim kombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Më datë 25.04.2024, në Vaun e Dejës, shtetasi V. K. dyshohet se për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë shtetasin Gj. N., 39 vjeç, duke qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të automjetit me të cilin lëvizte ky shtetas. Nga të shtënat pat vetëm dëme materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Himarë/Kontrolle të përditshme në të gjithë vijën bregdetare të qarkut, në zbatim të masave të planit operacional “Plazh i lirë”.
Kishin zënë hapësirë bregdetare në Gjipe, me 175 çadra dhe shezlongë të vënë pa leje, procedohen penalisht 2 shtetas.
Sekuestrohen çadrat dhe shezlongët.
Pas kontrolleve dhe verifikimeve të kryera nga Stacioni i Policisë Dhërmi, në bashkëpunim me bashkinë Himarë, Agjencinë Kombëtare të Bregdetit dhe me Agjencinë e Zonave të Mbrojtura, është konstatuar se 2 shtetas kishin zënë hapësirë bregdetare në Gjipe, me 175 çadra dhe shezlongë të vënë pa leje.
Në përfundim të veprimeve procedurale për këto raste janë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për 2 shtetasit, konkretisht A. Z dhe B. Sh.. Gjithashtu, pas sekuestrimit të çadrave dhe shezlongëve, është liruar hapësira bregdetare e zënë në kundërshtim me ligjin.
Kontrollet dhe verifikimet në kuadër të planit operacional “Plazh i lirë”, vijojnë.
Durrës
Finalizohet operacioni policor i koduar “Saga”, për arrestimin e një shtetasi me precedent të theksuar për vjedhje në disa qarqe.
Vodhi një automjet në lagjen nr.13 dhe shkoi drejt Elbasanit, kapet dhe arrestohet brenda pak orësh, si rezultat i bashkëpunimit me Policinë e Elbasanit, 29-vjeçari.
Në të njëjtën ditë, 29-vjeçari vodhi një celular dhe çantën me sende personale të një turisti nga Bosnje Hercegovina, në një hotel në lagjen nr.14.
I arrestuari ishte në kërkim nga Policia e Tiranës, për 4 vjedhje.
Si rezultat i reagimit të menjëhershëm pas kallëzimeve të 2 shtetasve se më datë 14.08.2024, iu ishin vjedhur automjeti dhe sende personale, Komisariati i Policisë Durrës identifikoi autorin dhe si rezultat i shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit të punës me Policinë e Elbasanit, u mundësua brenda pak orësh arrestimin e tij, gjatë tentativës për t’u larguar me automjetin që kishte vjedhur.
Konkretisht, në kuadër të operacionit “Saga”, u ndalua shtetasi T. H., 29 vjeç, banues në Skrapar. Ditën e djeshme, në lagjen nr.13, ai ka vjedhur automjetin dhe celularin e shtetasit A. Sh., ndërsa në një hotel në lagjen nr. 14, ka vjedhur çantën me para dhe me sende personale të një turisti nga Bosnje Hercegovina, shtetasit A. T.. Gjithashtu, nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se 29-vjeçari ishte në kërkim nga Policia e Tiranës, për 4 vjedhje.
Sekuestrohen makina, 2 celularë dhe aksesorë të ndryshëm që dyshohet se janë përfituar nga kjo veprimtari e kundërligjshme.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Shijak
Ndezi zjarr në fshatin Shetel dhe si pasojë e përhapjes së flakëve u rrezikuan 2 banesa dhe u dogjën sipërfaqe toke të mbjella, identifikohet dhe procedohet në gjendje të lirë, për shkak të moshës, 83-vjeçari.
Ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve të Policisë dhe atyre zjarrfikëse mundësoi shuarjen e zjarrit.
Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve operacionale, të kryera me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të zjarrvënieve të qëllimshme apo nga pakujdesia, Komisariati i Policisë Shijak referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për shkak të moshës, për shtetasin H. S., 83 vjeç, banues në fshatin Shetel.
Ky shtetas dyshohet se ka ndezur zjarr në fshatin ku banonte, për të djegur mbeturina. Si pasojë e përhapjes së flakëve, u rrezikuan 2 banesa në këtë zonë dhe u dogjën sipërfaqe toke të mbjella, në pronësi të shtetasve të tjerë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës apelon sërish për të gjithë qytetarët, që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin. Gjithashtu, fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të kësaj veprimtarie kriminale dhe të paligjshmërive në tërësi, dhe iu garanton anonimat, reagim të shpejtë dhe të paanshëm.
Lëpushë, Shkodër
Mbetën të bllokuar te liqeni i Shtrazës, si pasojë e problemeve shëndetësore gjatë eksplorimit, Policia iu shkon në ndihmë 2 turistëve belgë.
Operacioni për lokalizimin dhe dhënien ndihmë 2 turistëve në terrenin e vështirë malor, zgjati 4 orë dhe u krye nga SPK Grabom dhe PKK Bashkim, në bashkëpunim me Policinë malazeze.
Mëngjesin e sotëm, sapo janë njoftuar se 2 turistë belgë kërkonin ndihmë sepse kishin shfaqur probleme shëndetësore gjatë eksplorimit të liqenit të Shtrazës në Lëpushë, SPK Grabom dhe PKK Bashkim, në bashkëpunim me Policinë malazeze (për shkak se lokacioni ishte më i aksesueshëm nga Mali i Zi), kanë organizuar punën për të gjetur dhe ndihmuar turistët.
Pas 4 orësh kërkime në një terren shumë të vështirë malor, ata janë gjetur dhe janë transportuar në spital, për të marrë asistencë mjekësore.
2 turistët janë aktualisht në gjendje të mirë shëndetësore. Ata kanë falenderuar punonjësit e Policisë për gatishmërinë dhe humanizmin e treguar.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 106 shtetas, konkretisht: 27 shtetas janë vënë në pranga, 68 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 11 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 11 raste. Për 6 raste të kultivimit të bimëve narkotike, autorët janë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera në fushën e narkotikëve, janë vënë në pranga 2 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 3 shtetas.
Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 2 raste. 2 shtetas janë vënë në pranga, 4 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 7 raste- 5 shtetas janë vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 6 raste të krimeve ekonomike, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar, ndërsa rastet e tjera me 3 shtetas të vënë në pranga, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Për veprat penale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 8 raste, 3 prej të cilave me autorë ende të paidentifikuar. 2 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për vjedhje të tjera.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 21 raste, 2 prej të cilave me autorë ende të paidentifikuar. 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 17 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për raste të tjera në këtë fushë.
Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 11 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar:
-4 raste të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-3 raste të veprës penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Përndjekja”, me 2 shtetas të vënë në pranga;
-nga 2 raste të veprave penale “Vetëgjyqësia”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Prishja e qetësisë publike”. Të gjitha rastet me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të punonjësve të Policisë, me 1 shtetas të vënë në pranga;
-1 rast i falsifikimit, me 2 shtetas të shpallur në kërkim;
-1 rast i veprës penale “Braktisja e fëmijëve të mitur”, me 1 shtetase të shpallur në kërkim;
-nga 1 rast i veprave penale “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Fyerja”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
2 shtetas janë ndaluar për veprat penale “Vrasja me dashje”, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”.
Kanë ndodhur 2 aksidente rrugore, me 3 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 23 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 8 shtetas janë vënë në pranga dhe 16 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.