Raporti i ngjarjeve, 13,14,15 korrik, 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

DVP Tiranë

Komisariati i Policisë Nr. 2 në vijim të punës për goditjen e veprimtarive të jashtëligjshme të lojërave të fatit, ka finalizuar operacionin policor të koduar “Three”.

Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit L. V., 40 vjeç, A. R., 26 vjeç, dhe K. B., 25 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”. 

Gjatë kontrolleve të ushtruara në disa lokale në zona të ndryshme të Tiranës, në aparatet celulare të këtyre shtetasve, u gjetën faqe që shërbejnë për vënien e basteve sportive.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 aparate celulare.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë

Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Krujë, Komisariatin e Policisë Nr. 5, dhe dhe Njësinë e Sigurisë Publike Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, operacioni policor i koduar “Old plants”.

Operacioni u zhvillua në funksion të  procedimit penal nr. 308/2022, i regjistruar si fillim në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Krujë dhe më pas transferuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Nga ana e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiskionit të Përgjithshëm Tiranë është vendosur masa e sigurimit personal “Arrest në burg” për 16 shtetas dhe janë vendosur 3 vendime për kontrolle banesash për 3 shtetas të tjerë.

Nga masat e vendosura nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë janë arrestuar 12 persona dhe 4 të tjerë po ndiqen me masa kërkimi.

Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Krujë, Komisariatin e Policisë Nr. 5, dhe Njësinë e Sigurisë Publike Tiranë, në vijim të punës për goditjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të implikuar në këto veprimtari, në kuadër të procedimit penal nr.308/2022, kanë ekzekutuar masën e sigurisë “Arrest në burg” të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithsëm Tiranë, për shtetasit:

– E. A., 57 vjeç, A. A., 26 vjeç, I. V., 52 vjeç, Y. C., 48 vjeç, E. Sh., 26 vjeç, F. Z., 41 vjeç, I. D., 43 vjeç, R. D., 39 vjeç, L. A., 53 vjeç, D. K., 25 vjeç, I. H., 52 vjeç, dhe F. M., 52 vjeç, banues në Kamëz dhe Krujë.

Gjithashtu po punohet për lokalizimin dhe arrestimin e 4 shtetasve të tjerë të cilët ndiqen me masa kërkimi.

Nga veprimet hetimore të kryera është dokumentuar me prova ligjore veprimtaria kriminale e këtyre shtetasve, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në vitet 2021 dhe 2022, kanë kultivuar bimë narkotike në fshatra të ndryshme në malësinë e Krujës.

Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.

Durrës

Shkeli perimetrin e sigurisë ujore dhe u kthye në rrezik për pushuesit që frekuentonin plazhin e Gjirit të Lalzit Durrës, ndëshkohet me masë administrative 100,000 lekë  të rinj drejtuesi i mjetit lundrues dhe vendoset masa e bllokimit  për mjetin lundrues.

Shërbimet e Policisë Kufitare Durrës, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare, gjatë patrullimit të vijës bregdetare, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike në zonat turistike, si dhe për kontrollin e përdorimit të mjeteve lundruese, bazuar dhe në denoncimet e qytetarëve në rrjetet sociale kanë ndërhyrë menjëherë në plazhin e Gjirit të Lalzit, duke bërë bllokimin e një mjeti lundrues motor uji, që kishte shkelur perimetrin e sigurisë ujore  duke vënë në rrezik jetën e pushuesve në plazh.

Shërbimet e Policisë Kufitare e kanë ndëshkuar drejtuesin e mjetit lundrues, shtetasin E. Ll., me masë administrative 100,000  lekë të rinj, si dhe kanë bllokuar mjetin lundrues.

Policia Kufitare apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese që të respektojnë me rigorozitet perimetrin e sigurisë ujore për plazhistët, të zbatojnë rregullat për përdorimin e mjeteve lundruese dhe të respektojnë zonat e përcaktuara për lundrim me këto mjete.

Gjithashtu, falënderon e fton qytetarët që për çdo rast të shkeljes së perimetrit të sigurisë dhe të përdorimit të mjeteve lundruese në mënyrë të parregullt, të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar reagim të shpejtë, në bazë të ligjit.

Vlorë

U konfliktuan fizikisht me punonjësit e qarkullimit rrugor, vihen në pranga 2 shtetas pronarë të një subjekti, për dhënien me qera të mjeteve elektrike.

2 të arrestuarit ushtronin aktivitetin e tyre pa licensë duke zaptuar hapësirën publike.

Punohet për kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të tjerë të cilët goditën punonjësit e Policisë gjatë detyrës.

Mbrëmjen e djeshme në Lungomare, punonjësit e qarkullimit rrugor të planizuar në këtë aks, gjatë kontrolleve të ushtruara për përdorimin e kaskave tek motorët elektrikë dhe monopatinat, kanë konstatuar shtetasin D. J., në kundravajtje, të cilin e kanë ndaluar. Gjatë komunikimit të kundravajtjes dhe masës administrative, janë afruar dy pronarët e subjektit ku shtetasi D. J. kishte marrë motorin elektrik me qera, konkretisht shtetasit R. P. dhe K. P., të cilët së bashku me shtetas të tjerë kanë debatuar verbalisht me punonjësit duke i kundërshtuar e më pas i kanë goditur me grushta. Si pasojë e konfliktit, dy punonjës policie aktualisht ndodhen në spitalin e Vlorës, pasi kanë pësuar fraktura, jashtë rrezikut për jetën.

Në vijim të veprimeve proceduriale, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Vlorë, oficeri i Prokurorisë ka bërë ndalimin e dy shtetasve R. P., 29 vjeç dhe K. P., 23 vjeç, (vëllezër), të cilët goditën punonjësit e Policisë gjatë detyrës.

2 shtetasit e arrestuar, pronarë të subjektit për dhënien me qera të mjeteve elektrike, gjithashtu kanë rezultuar se e ushtronin këtë aktivitet pa licensë, duke zaptuar hapësirën publike.

Po në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim dhe vijon puna për kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë konflikt.

Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Policia e Vlorës u bën thirrje qytetarëve që të respektojnë ligjin dhe t’i përgjigjen urdhrave të punonjësve të Policisë për të shmangur incidente të tilla të papranueshme. Bashkëpunimi me Policinë është thelbësor për të garantuar sigurinë dhe rendin publik në qytet.

Qarku Shkodër/Vijon megaoperacioni policor anticannabis, i koduar “Territor i pastër”.

Si rezultat i kontrolleve intensive në të gjithë territorin e qarkut, gjenden dhe asgjësohen 5638 bimë dhe  fidanë dhe  të dyshuar kanabis.

Në kuadër të megaoperacionit kombëtar “Territor i pastër”, kundër kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të komisariateve në varësi, kanë vijuar intensivisht kontrollet në të gjithë territorin e qarkut, me qëllim konstatimin dhe goditjen e rasteve të kësaj veprimtarie kriminale. Gjatë kësaj faze të megaoperacionit:

-shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër gjetën në territorin e njësisë administrative Pult dhe Velipojë, Shalë, Postribë dhe asgjësuan 5416 bimë dhe fidanë kanabis;

-shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe gjetën në territorin e njësisë administrative Shkrel dhe asgjësuan 160 bimë kanabis;

-shërbimet e Statcionit të Policisë Fushë Arrëz gjetën në territorin e njësisë administrative Fierzë dhe asgjësuan 62 bimë kanabis.

Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të kultivimit të këtyre bimëve dhe fidanëve kanabis.

Megaoperacioni “Territor i pastër” vijon.

Policia e Shtetit/ Kontrolle intensive në kuadër të operacionit “SIGURIA DETARE”.

Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare, në kuadër të operacionit “SIGURIA DETARE”, kanë intensifikuar kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, hapësirave liqenore dhe atyre lumore.

Gjatë kësaj jave nga Ksamili në Velipojë, Policia Kufitare ka bllokuar 34 mjete lundruese.

Mjetet e bllokuara: 24 jet ski, 6 skafë dhe 4 gomone.

25 mjete lundruese janë bllokuar nga Ksamili në Vlorë.

 7 mjete lundruese janë bllokuar nga Durrësi në Shëngjin.

2 mjete lundruese janë bllokuar në Velipojë.

10 prej mjeteve lundruese të bllokuara janë konstatuar nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe ato të Njësisë Policore Detare duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, shkelje e cila rrezikonte jetën e pushuesve. Drejtuesit e këtyre mjeteve janë ndëshkuar secili me masë administrative 100 000 lekë.

Drejtuesit e 24 mjeteve të tjera lundruese, krahas masës së bllokimit të mjeteve, u ndëshkuan secili me masë administrative 10 000 lekë për mungesë dokumentacioni.

Ndërkohë, Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare përgjatë kësaj jave iu kanë ardhur në ndihmë turistëve dhe vizitorëve në 4 raste, që kanë kërkuar ndihmë në hapësirën detare nga Ksamili në Velipojë.

-Policia Kufitare apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese të zbatojnë  me rigorozitet rregullat për përdorimin e mjeteve lundruese, të jenë të pajisur me mjetet e shpëtimit, si dhe të respektojnë zonat e përcaktuara për lundrim me këto mjete, me qëllim që ata dhe pushuesit e tjerë të jenë të sigurt dhe të qetë.

-Njëkohësisht Policia Kufitare fton pushuesit të denoncojnë çdo rast të shkeljes së perimetrit të sigurisë detare, apo të  masave të sigurisë gjatë udhëtimeve turistike në zonat bregdetare liqenore dhe lumore, duke ju garantuar reagim të menjëhershëm.

Tiranë/Arrestohen 6 shtetas për vepra të ndryshme penale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasin S. O., 26 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Gjatë kontrollit fizik dhe të banesës së 26-vjeçarit, shërbimet e Policisë, gjetën dhe sekuestuan në cilësinë e provës materiale, sasi të vogla lënde të dyshuara narkotike kokainë dhe kanabis.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 arrestuan shtetasin A. B., 23 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Shkatërrimi i pronës”. 23-vjeçari dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj nënës së tij si dhe ka dëmtuar orenditë e banesës së tyre.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasit:

-T. Y., 36 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, pasi ka shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, cakuar nga Gjykata;

-G. Q., 23 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Vjedhja”. 23-vjeçari në bashkëpunim me një shtetas ende të paidentifikuar, në rrugën “Aleksandër Mojsiu”, dyshohet se i kanë vjedhur një automjeti, disqet e gomave.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 arrestuan shtetasin P. T., 55 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Vjedhja”. Ky shtetas duhet se ka vjedhur shuma parash, në një kompani ku është i punësuar si shofer.

Specialistët e Komisaritit të Policisë Rrugore Tiranë arrestuan shtetasin L. Z., 34 vjeç, banues në Tiranë, pasi duke drejtuar mjetin tip “Benz”, në gjendje të dehur, është përplasur me një automjet tip “Audi”, dhe si pasojë ka vetëm dëme materiale.

Materialet i kaluan Prokurorisë.

Malësi e Madhe

Plagosi me mjet prerës (kmesë), një shtetas, për motive të dobëta, kapet dhe vihet në pranga 69-vjeçari. 

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, menjëherë pas marrjes së njoftimit mbrëmjen e djeshme, se ishte plagosur me mjet prerës, një shtetas, kanë organizuar punën për kapjen e autorit dhe sqarimin e rrethanave të rastit. Si rezultat i kërkimeve, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorit të dyshuar, shtetasit:     

Gj. P., 69 vjeç, banues në fshatin Vukpalaj.

Ky shtetas dyshohet se më datë 14.07.2024, rreth orës 21:30, në fshatin Vukpalaj, pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës (kmesë), shtetasin A. P., 29 vjeç, banues në fshatin Vukpalaj, i cili është jashtë rrezikut për jetën.  

Mjeti prerës (kmesë) u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

DVP Durrës 

Shkon 16 numri i shtetasve të ndaluar në kuadër të operacionit “Summer”, i zhvilluar 1 javë më parë.

Kapet dhe vihet në pranga 20-vjeçari i shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni.

Më herët, gjatë operacionit u vunë në pranga 15 shtetas dhe u sekuestruan 5 armë zjarri, 1 armë gjahu, municion luftarak, qindra doza të lëndëve narkotike kokainë, heroinë dhe kanabis, 7 automjete, 20 celularë, peshore elektronike dhe një shumë parash e dyshuar e përfituar veprimtaritë kriminale.    

Si rezultat i kontrolleve që po kryhen në vijim të operacionit “Summer”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, të cilët nuk u gjetën në banesat e tyre gjatë operacionit, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Sektorin e Narkotikëve, bazuar në inteligjencën policore, kanë lokalizuar dhe arrestuar njërin prej shtetasve të shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni, konkretisht: 

O. M., 20 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.   

Operacioni vijon për kapjen e 2 shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni.    

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 228 shtetas, konkretisht: 66 shtetas janë vënë në pranga, 133 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 29 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, vijon intensivisht puna nga ana e strukturave të Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 19 raste. 6 prej tyre, në fushën e kultivimit, janë me autorë të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera në këtë fushë, 18 shtetas janë vënë në pranga, 5 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 24 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 1 shtetas është vënë në pranga, 8 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 22 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 11 raste, 3 prej tyre me autorë të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 8 raste. 4 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit kibernetik janë evidentuar 5 raste, 2 prej të cilave me autorë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë/tentativat për vjedhje të pasurisë, janë evidentuar 11 raste, 3 prej tyre me autorë të paidentifikuar. 3 shtetas janë vënë në pranga, 5 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 4 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, për vjedhje të tjera.

Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me zjarr ose me mjete të ndryshme, janë evidentuar 12 raste-2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 14 raste- 3 shtetas janë vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 10 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 18 kërkesëpadi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Janë evidentuar:

-8 raste të veprës penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, me 8 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-6 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të punonjësve të Policisë, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të veprës penale “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të falsifikimit, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 2 shtetas të vënë në pranga;

-2 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Moskallëzimi i krimit”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Marrja e padrejtë e fëmijës”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Kanosja për shkak të detyrës”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 4 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-2 raste të veprës penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i veprës penale “Ngacmimi seksual”, me 1 shtetas të vënë në pranga;

-1 rast i veprave penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, me 3 shtetas të vënë në pranga;

-nga 1 rast i veprave penale “Dhunimi i banesës”, “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, “Pornografia”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Neglizhenca në trajtimin mjekësor” dhe “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve “, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 3 shtetas të shpallur në kërkim përkatësisht për veprat penale “Ngacmimi seksual”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Mosdhënia e mjeteve për jetesë “.

2 shtetas të shpallur në kërkim përkatësisht për veprat penale “Ndërhyrje të padrejta në jetën private“ dhe “Braktisja e fëmijëve të mitur”, janë ndaluar dhe për to kanë nisur procedimet në gjendje të lirë.

Në Tropojë, 5 shtetas janë arrestuar në flagrancë për veprat penale “Moskallëzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe/ose “Përkrahja e autorit të krimit”.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 9 aksidente, si pasojë e të cilave 2 shtetas kanë humbur jetën dhe 8 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 52 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor. 19 shtetas janë vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 31 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.