Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Rinas
Tentoi të fuste në Shqipëri, rreth 36 000 paunde, pa i deklaruar, procedohet penalisht 47-vjeçarja.
Sekuestrohet shuma e parave.
Si rezultat i rritjes së vigjilencës së shërbimeve të Policisë Kufitare, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve në kufi, në PKK Rinas, në hyrje të Shqipërisë, u krye kontroll në çantën e shtetases L. B. (me shtetësi shqiptare dhe angleze), ku u gjetën rreth 36 000 paunde, të cilat ajo nuk i kishte deklaruar konform ligjit.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, për shtetasen L. B., 47 vjeçe. Gjithashtu, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, shuma e paundeve.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Vau i Dejës/Vijon intensivisht megaoperacioni policor kombëtar i koduar “Territor i pastër”, kundër kultivimit të bimëve narkotike.
Nga kontrollet intensive të territorit, gjenden në njësitë administarative Shllak dhe Temal, dhe dhe asgjësohen 7378 bimë cannabisi.
Në vijim të megaoperacionit kombëtar policor, të koduar “Territor i pastër”, u evidentua dhe u godit 1 rast tjetër i kultivimit të bimëve narkotike, në Vaun e Dejës.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, gjatë kontrollit të territorit, në njësitë administarative Shllak dhe Temal, gjetën dhe asgjësuan 7378 bimë cannabisi.
Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Megaoperacioni “Territor i pastër” vijon.
Elbasan/Informacion paraprak
Rreth orës 02:35, në rrugën e vjetër “Elbasan-Tiranë”, në fshatin Petresh, dyshohet se 2 shtetas i kanë marrë automjetin tip “Ford”, shtetasit R. Ll., 28 vjeç.
Shërbimet e Policisë kanë pikasur automjetin që këta dy shtetas kishin vjedhur dhe i kanë bërë shenjë për të ndaluar, por shtetasi që drejtonte automjetin nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë dhe ka vijuar lëvizjen me shpejtësi.
Për t’iu shmangur Policisë, 2 shtetasit e kanë braktisur automjetin, pasi dyshohet se gjatë ecjes u përfshi nga flakët, në fshatin Dopaj.
Nga veprimet e para hetimore, si dhe bazuar në informacionet e siguruara, Policia ka krijuar dyshime të arsyeshme për autorët e këtij rasti. Vijon puna për kapjen e tyre dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 84 shtetas, konkretisht: 26 shtetas janë vënë në pranga, 50 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 8 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 10 raste, 2 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar. 8 shtetas janë vënë në pranga dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për raste të tjera në këtë fushë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 6 raste. 1 shtetas është ndaluar, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 6 raste të krimeve ekonomike, 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të krimeve kompjuterike, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar. Për 2 rastet e tjera, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.
Për veprat penale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 4 raste- 3 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 12 raste- 1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 7 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 3 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 14 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar:
-2 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të shpallur në kërkim;
-2 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të punonjësve të Policisë, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-nga 1 rast i veprave penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Ngacmimi seksual” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me nga 1 shtetas të vënë në pranga;
-nga 1 rast i veprave penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, “Moskallëzimi i krimit”, “Shkatërrimi i rrjetit të ujësjellësit”, “Përndjekja” dhe “Braktisja e kafshës të shoqërimit”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
1 shtetas i shpallur në kërkim për vjedhje të energjisë elektrike, është kapur.
Kanë ndodhur 5 aksidente rrugore, me 8 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 14 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 5 shtetas janë vënë në pranga dhe 11 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.