Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Shkodër
Zbardhet ngjarja e ndodhur dy ditë më parë, në lagjen “Mark Lula”, ku u plagos me armë zjarri, në këmbë, shtetasi N. P.
Identifikohet autori i dyshuar i plagosjes dhe vijon puna për kapjen e tij.
Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore, të organizuara dhe të kryera menjëherë pas marrjes së njoftimit, mbrëmjen e datës 09.06.2024, për një plagosje në lagjen “Mark Luka”, specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër kanë identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasin:
K. K., 25 vjeç, banues në Fushë Kuqe.
Ky shtetas dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit ku ishte pasagjer shtetasi N. P., 30 vjeç, i cili si pasojë u plagos lehtë në këmbë.
Vijon puna për kapjen e 25-vjeçarit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Qarku Korçë
Shërbimet e Pikës së Kalimit Kufitar Kapshticë, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, ndaluan shtetasin në kërkim Sh. S., 43 vjeç, banues në Durrës, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës e ka dënuar më 2 muaj burgim, për veprën penale “Dhuna në familje”. Veprimet e mëtejshme procedurale u kryhen nga Komisariati i Policisë Durrës.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve arrestoi në flagrancë shtetasin E. Gj., 33 vjeç, banues në Pogradec, pasi në lagjen nr. 1, Pogradec, është konstatuar në lëvizje dhe në bazë të dyshimeve se posedonte lëndë narkotike, i është bërë shenjë të ndalonte, por ai ka kundërshtuar urdhrin e punonjësit të policisë për të ndaluar dhe ka gëlltitur një sasi të vogël lënde narkotike cannabis sativa. 33-vjeçari mori mjekimin e nevojshëm në spital.
Sektori për Policinë Rrugore referoi materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit E. T., 38 vjeç, banues në fshatin Rëmenj, Pogradec dhe S. G., 21 vjeç, banues në Pogradec, pasi në fshatin Buçimas, në rrugën e Drilonit, në afërsi të një kantieri, shtetasi S. G., duke drejtuar automjetin e tij, ka përplasur në pjesën e pasme një mjet kamion me drejtues shtetasin E. T., i cili po hynte në kantier. Për pasojë është dëmtuar shtetasi S. G., i cili ndodhet për mjekim, në spital.
Komisariati i Policisë Maliq referoi materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit J. B., 53 vjeç, banues në fshatin Orman, Maliq dhe A. C., 34 vjeç, banues në Korçë, pasi për motive të dobëta, dyshohet se kanë kanosur dhe goditur me grusht, një 48-vjeçar.
Po nga ky komisariat u referuan materialet në Prokurori dhe vijon puna puna për kapjen e shtetasit L. B., 41 vjeç, banues në fshatin Kamenicë, Korçë, pasi dyshohet se ka dhunuar bashkëshorten e tij, banuese në Vashtëmi, Maliq, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.
Kavajë
U kap në flagrancë duke vjedhur një televizor, në një banesë, vihet në pranga 47-vjeçari.
47-vjeçari dyshohet dhe si autor i 4 vjedhjeve të tjera të kryera gjatë 2 muajve të fundit.
Komisariati i Policisë Kavajë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Foreign”, si rezultat i të cilit u arrestua shtetasi A. Sh., 47 vjeç, banues në Vlorë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, gjatë periudhës maj-qershor 2024, në 4 raste, ka vjedhur në lagje të ndryshme në Kavajës.
Materialet procedurale i kaluan Porkurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan
•Komisariati i Policisë Elbasan arrestoi në flagrancë shtetasit:
-M. K., 24 vjeçe, sepse u kap në flagrancë pasi kishte vjedhur një shumë parsh dhe disa bizhuteri, në një banesë. Shuma e parave dhe bizhuteritë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale;
-A. B., 56 vjeç, pasi ka dalë nga banesa, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
•Sektori i Qarkullimit Rrugor:
-arrestoi në flagrancë shtetasin O. I., 19 vjeç, në Cërrik, pasi mbrëmjen e djeshme, në aksin rrugor “Elbasan-Cërrik”, automjeti që ky shtetas drejtonte është përplasur me një karrocë që tërhiqej nga një kafshë dhe drejtohej nga shtetasi F. G., 59 vjeç, banues në fshatin Muriqan. Si pasojë ka ngordhur kafsha dhe është dëmtuar shtetasi F. G., i cili ndodhet në kujdesin e mjekëve;
-referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit Q. L., 46 vjeç dhe S. D., 45 vjeç, banues në Elbasan, pasi pasditen e djeshme në unazën e qytetit, automjeti që drejtohej nga shtetasi Q. L. është përplasur me biçikletën me drejtues shtetasin S. D., i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
•Komisariati i Policisë Elbasan referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-K. Z., 32 vjeç, banues në Elbasan, pasi ka tentuar të vjedhë disa materiale prej hekuri, në banesën e një 77-vjeçari;
-Q. B., 38 vjeç, dhe A. Sh., 53 vjeç, pasi gjatë një konflikti për motive të dobëta kanë goditur me grushte dhe sende të forta njëri-tjetrin;
-S. R., 30 vjeçe dhe N. K., 33 vjeçe, pasi gjatë një konflikti për motive të dobëta kanë goditur me grushte njera-tjetrën.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Berat
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat kapën dhe ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim Fatjon Azizolli, 45 vjeç, banues në Berat, pasi me vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat është dënuar me 4 muaj burgim, për veprën penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.
Të njëjtat shërbime referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin F. H., 32 vjeç, banues në Berat, pasi ka kanosur dhe fyer nënën e tij, e cila është e pajisur me urdhër mbrojtjeje.
Shërbimet e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin E. M., 21 vjeç, banues në Kuçovë, pasi u konstatua duke drejtuar pa leje drejtimi, një motomjet pa dokumentacion.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 88 shtetas, konkretisht: 18 shtetas janë vënë në pranga, 62 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 8 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Janë evidentuar 5 raste të kultivimit të bimëve narkotike, me autorë ende të paidentifikuar. Është proceduar në gjendje të lirë 1 shtetas, për 1 rast të veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, si dhe është ndaluar 1 shtetas i shpallur në kërkim për krime në këtë fushë.
Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, është evidentuar 1 rast, me 1 shtetas të shpallur në kërkim. Gjithashtu, është ndaluar 1 shtetas i shpallur në kërkim për 1 rast të mëparshëm në këtë fushë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 16 raste- 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 19 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 6 raste të krimeve ekonomike, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të krimeve kompjuterike, 2 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar. Për rastin tjetër është shpallur në kërkim 1 shtetas.
Për veprat penale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 8 raste, 2 prej të cilave me autorë ende të paidentifikuar. 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për vjedhje të tjera.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 12 raste- 19 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 4 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 9 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar:
-5 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 10 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-3 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të punonjësve të Policisë, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të shpallur në kërkim;
-2 raste të veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast i veprës penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 3 shtetas të shpallur në kërkim;
-1 rast i veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, me 1 shtetas të vënë në pranga. 1 shtetas tjetër është proceduar në gjendje të lirë për 1 rast të mëparshëm të kësaj vepre;
-nga 1 rast i falsifikimit, përndjekja dhe fyerja, me 4 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.
2 shtetas të shpallur në kërkim për veprat penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, janë kapur.
Kanë ndodhur 6 aksidente rrugore, me 1 viktimë dhe 5 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 12 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 5 shtetas janë vënë në pranga dhe 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.