Raporti i ngjarjeve, 11 korrik 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Sarandë

Plagosi me mjet prerës (thikë), një shtetas, gjatë një konflikti të çastit, kapet dhe vihet në pranga 41-vjeçari. 

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, menjëherë pas marrjes së njoftimit se ishte plagosur me mjet prerës (thikë), shtetasi L. M., kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit. Si rezultat i kërkimeve, pas disa orësh, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorit, shtetasit A. Sh., 41 vjeç, banues në Sarandë.

Ky shtetas dyshohet se më datë 11.07.2024, rreth orës 03:40, në lagjen nr.1, në një vendparkim, pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, ka plagosur me mjet prerës (thikë), shtetasin L. M., 41 vjeç, banues në Sarandë, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.

Durrës/Kontrolle dhe inteligjencë policore, me qëllim konstatimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje.

Lëvizte i armatosur me pistoletë, ndërhyrja e menjëhershme e Policisë mundëson kapjen dhe vënien në pranga të 33-vjeçarit.

I arrestuari, në kërkim nga Policia e Tiranës, për tentativë për vrasje.

Sekuestrohet arma e zjarrit me krehrin dhe 9 fishekë.

Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një shtetas që lëvizte i armatosur në qytetin e Durrësit, Komisariati i Policisë Durrës, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, finalizoi operacionin policor të koduar “Precedenti”.

Gjatë këtij operacioni, në hyrje të një pallati në lagjen nr. 11, u arrestua në flagrancë shtetasi A. B., 33 vjeç, banues në Tiranë.

Nga kontrolli në çantën e 33-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak, që posedohej pa leje.

Në vijim, pas verifikimeve rezultoi se shtetasi A. B. ishte në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

PKK Muriqan

Tentuan të dilnin nga Shqipëria, me lëndë narkotike me vete, vihen në pranga 1 shtetas maqedonas dhe 1 shtetas kosovar.

Sekuestrohen sasitë e lëndës narkotike cannabis sativa, një automjet dhe një celular.

Si rezultat i kontrolleve dhe i verifikimeve që po kryhen me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, Policia Kufitare e PKK Muriqan, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve të DVP Shkodër, arrestoi shtetasit:

B. D., 30 vjeç, banues në Shkup, pasi në dalje të RSh-së, gjatë kontrollit në automjetin që ai drejtonte, shërbimet e Policisë gjetën një sasi lënde narkotike cannabis sativa të ndarë në doza; 

M. M., 29 vjeç, banues në Belgjikë, pasi në dalje të RSh-së, gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën një sasi lënde narkotike cannabis sativa.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e masave të hartuar nga Policia e Shtetit, ka marrë masat e nevojshme, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë, para, gjatë dhe pas përfundimit të tubimit që do të zhvillohet ditën e sotme, më datë 11.07.2024, në orën 20:00, përpara Kryeministrisë.

Njoftojmë qytetarët se duke filluar nga sot, në orën 18:00, deri në përfundim të tubimit, nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve, në rrugët e poshtëshënuara:

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.

Policia kërkon mirëkuptimin e qytetarëve që të shmangin lëvizjen me automjete në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe për të marrë pjesë në tubime dhe i bën thirrje organizatorëve, drejtuesve, pjesëmarrësve në tubime, dhe perfaqësuesve të subjekteve politike, që të ushtrojnë të drejtën e tyre në perputhje me Kushtetutën dhe legjislancionin në fuqi.

Në këtë kuadër, Policia e Tiranës bën thirrje për të gjithë pjesëmarrësit në tubim, që të distancohen nga çdo akt që cenon sigurinë dhe jetën e tyre, dhe çdo akt dhune ndaj punonjësve të Policisë, përfaqësuesve të mediave apo vetë pjesëmarrësve.

Policia garanton qytetarët se ka marrë të gjitha masat në përmbushje të përgjegjësive institucionale, për garantimin e rendit dhe të sigurisë, para, gjatë dhe pas përfundimit të tubimit, si dhe për garantimin e sigurisë rrugore, në të gjithë territorin e vendit, veçanërisht në sheshet dhe në segmentet rrugore, në të cilat do të zhvillohet tubimi.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 94 shtetas, konkretisht: 18 shtetas janë vënë në pranga, 69 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 7 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 14 raste. Për 9 raste të kultivimit të bimëve narkotike, autorët janë të paidentifikuar, ndërsa për raste të tjera në fushën e narkotikëve, janë vënë në pranga 3 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 3 shtetas.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 8 raste- 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të krimeve ekonomike- me 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 7 raste, njëri prej të cilave me autorë të paidentifikuar. 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për vjedhjet e tjera.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 9 raste. 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 9 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-3 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të punonjësve të Policisë, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Marrja e padrejtë e fëmijës”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i falsifikimit të dokumenteve, me 2 shtetas të vënë në pranga;

-1 rast i pornografisë me të mitur, me 2 shtetas të vënë në pranga;

-1 rast i veprës penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-nga 1 rast i veprave penale: “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, “Vetëgjyqësia”, “Vepra të turpshme”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”, “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Goditjet për shkak të detyrës”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Për 2 raste të mëparshme në fushën e armëmbajtjes pa leje, është ndaluar 1 shtetas dhe ka filluar procedimi në gjendje të lirë për 2 të tjerë.

Është ndaluar 1 shtetas i shpallur në kërkim për veprat penale “Vetëgjyqësia” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.

Është ndaluar 1 shtetas i shpallur në kërkim për veprën penale “Kallëzimi i rremë”.

Kanë ndodhur 3 aksidente rrugore, me 3 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 19 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 6 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 15 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.