Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 9 janar 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tiranë – Finalizohet operacioni “Designer”, me metoda proaktive. Operacioni nga Komisariati i Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimit ndaj Pronës dhe Sektorin e Operacioneve Speciale dhe Kërkimit në DVP Tiranë. Zbardhet vjedhja me dhunë e një sasie parash, në një nga filialet e një institucioni financiar për kredidhënie në shuma të vogla, ndodhur më datë 7 janar 2020. Vihet në pranga 28-vjeçari. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale një biçikletë, me të cilën autori u largua nga vendngjarja dhe një sasi prej 45000 lekësh të rinj. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Specialistët për Hetimin e Krimit ndaj Pronës në DVP Tiranë, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e datës 7 janar 2020, ku një person vodhi me dhunë një sasi lekësh, në një zyrë kredidhënieje në shuma të vogla, organizuan punën dhe nën drejtimin e prokurorisë, duke përdorur metodat proaktive, bënë të mundur që brenda një kohe të shkurtër të identifikohej autori i kësaj ngjarjeje. Në bazë të provave të grumbulluara, u organizua dhe finalizua operacioni i koduar “Designer”,  në kuadër të të cilit u bë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasit D. K., 28 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas, në datën 07.01.2020, rreth orës 18:30 ka shkuar në rrugën “Medar Shtylla”, në filialin e një institucioni financiar dhe me anë të ushtrimit të dhunës me një shkop metalik, i ka vjedhur punonjësve të këtij filiali një shumë prej 60000 lekësh të rinj dhe dy aparate celular.  Gjatë kontrollit në banesë, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një biçikletë, me të cilën u largua pasi kreu vjedhjen, si dhe një shumë prej 45000 lekësh të rinj. Materialet i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 77 shtetas, konkretisht: 13 janë arrestuar, 4 janë ndaluar dhe 60 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndalur 3 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste, në të gjithë territorin, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 8 raste: 6 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë, 2 në Elbasan, 1 në Korçë, 1 në Vlorë dhe 1 në Gjirokastër; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Elbasan dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë plotësuar 5 kërkesë-padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 14 raste, 1 në Tiranë dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Korçë, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe 11 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e shkatërrimit të pronës është evidentuar 1 rast, në qarkun Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Organizimi i lotarive të palejuara”, në Shkodër, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 4 raste, 2 në Tiranë dhe 2 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Pushtim toke”, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Prishja e qetësisë publike”, ne Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 7 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 7 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar 3 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Fier.

Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, në Tiranë.

Është evidentuar dhe arrestuar 1 shtetas që drejtonte mjetin në gjendje të dehur dhe pa leje drejtimi, në Fier.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.