Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Durrës – Vijon puna për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Bien në prangat e Policisë 3 shtetas, për vepra të ndryshme penale, 1 prej tyre i shpallur në kërkim. Zbardhen dhe dokumentohen 4 vjedhje në qytetin e Durrësit, procedohen penalisht 2 shtetas të mitur. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, ndaluan shtetasin R. S., 32 vjeç, banues në Durrës, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë e ka dënuar me 1 vit e 8 muaj burg, për veprën penale “Vjedhja” kryer në bashkëpunim. Gjithashtu, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës u arrestuan në flagrancë shtetasit M. H., 24 vjeç, banues në Durrës, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë, në lagjen nr. 13, Durrës, duke vjedhur disa pajisje në vagona treni; S. P., 53 vjeçe, pasi në lagjen nr. 1, shërbimet e Policisë gjatë kontrollit fizik i gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një mjet prerës (thikë). Në vijim të punës për zbardhjen e ngjarjeve të ndodhura më parë, identifikimin dhe kapjen e autorëve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës proceduan penalisht shtetasit e mitur E. S., 17 vjeç dhe K. R., 15 vjeç, banues në Tiranë. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë vjedhur sende të ndryshme në subjekte të ndryshme në pronësi të shtetasve K. Sh., F. L., R. D., A. Gj. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Elbasan – Finalizohet operacioni policor i koduar “Rrezja 1”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme dhe Shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Elbasan, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan. Vihen në pranga 4 shtetas, shpallen në kërkim 2 shtetas të tjerë. Në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e masave të hartuar nga DVP Elbasan, për parandalimin dhe goditjen e aktivitetit të paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Komisariatin e Policisë Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë, kanë zhvilluar me sukses operacionin policor “Rrezja 1”. Si rezultat i këtij operacioni u bë ekzekutimi i urdhrave të ndalimit të lëshuar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan për shtetasit Xh. D., 29 vjeç, R. D., 23 vjeç, J. M., 22 vjeç dhe E. K., 21 vjeç, të katërt banues në Durrës. Si dhe u shpallën në kërkim policor shtetasit A. S., 40 vjeç dhe S. K., 32 vjeç, të dy banues në Durrës. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me shtetasit G. S. dhe A. D. (të cilët janë arrestuar më datë 28.09.2020), kryenin në mënyrë të organizuar veprimtarinë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve me origjinë nga vendet e treta, për kalim të paligjshëm të kufirit, duke bërë transportimin e tyre nga Korça drejt Tiranës, kundrejt fitimit 250-300 euro për person. Nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në kohë të ndryshme, kanë transportuar një numër të konsiderueshëm personash, të cilët janë bllokuar nga shërbimet policore, pa mundur të kalojnë kufirin. Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar 6 automjete dhe 11 aparate celular. Vijojnë hetimet për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Tiranë – Arrestohen në flagrancë 9 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. T., 32 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 iu gjet dhe u sekuestrua një sasi me lëndë të dyshuar kokainë. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit të mitur me iniciale M. T., 16 vjeç, pasi ditën e djeshme, në Rrugën e Kavajës, gjatë një konflikti, ka goditur me thikë shtetasin A. B., 17 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Xh. L., 29 vjeç, për veprën penale “Braktisja e kafshës së shoqërimit”, pasi në rrugën “Llambi Bonata”, qeni i tij ka dëmtuar një shtetas të mitur 11 vjeç. Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Sh. H., 46 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, të cilës iu plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes. Specialistët e Qarkullimit Rrugor kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasve E. K., 59 vjeç, pasi duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 1.23 mg/l, ka humbur kontrollin e mjetit dhe ka dalë jashtë rrugës; J. M., 38 vjeç, E. Ç., 32 vjeç dhe A. B., 40 vjeç, pasi u konstatuan duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur; E. P., 46 vjeçe, pasi ditën e djeshme, është përfshirë në një aksident me mjetin motor me drejtues D. J. Si pasojë e aksidentit është dëmtuar shtetasi D. J., i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Më datë 07.04.2021 u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe punohet për kapjen dhe shoqërimin e shtetasve E. R., 46 vjeç dhe P. Gj., 53 vjeç, sepse me anë të mashtrimit, i kanë marrë një shumë parash shtetasit E. B. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
DVP Fier – Vijon puna për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Mbante hapur lokalin jashtë fashës orare dhe kundërshtuan punonjësit e Policisë, arrestohen në flagrancë pronari i lokalit dhe 1 shtetas tjetër. Gjobitet me masë administrative 3.000.000 lekë, pronari i lokalit, për shkelje të Aktit Normativ. Arrestohet edhe 1 shtetas tjetër, pasi iu gjet një sasi me fara cannabis sativa. Gjatë mbrëmjes së djeshme, në lagjen “Apollonia”, Fier, punonjësit e Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Fier kanë konstatuar të hapur jashtë fashës orare lokalin në pronësi të shtetasit M.(R). M. Gjatë kohës që punonjësit e Policisë po plotësonin masën administrative për ushtrimin e aktivitetit në kundërshtim me Aktin Normativ, ata janë kundërshtuar me dhunë dhe janë goditur nga pronari i lokalit dhe shtetasi A. G., i cili ndodhej në lokal. Shtetasit A. G., 25 vjeç, banues në Hamil, Fier dhe M.(R). M., 38 vjeç, banues në Fier janë shoqëruar në Komisariat dhe në përfundim të veprimeve procedurale është bërë arrestimi i tyre në flagrancë, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” kryer në bashkëpunim. Nga shërbimet e Policisë, në bazë të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020, është vendosur masa administrative 3.000.000 lekë për pronarin e lokalit, shtetasin M.(R). M. Gjithashtu, gjatë kontrolleve të ushtruara u bë arrestimi në flagrancë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, i shtetasit M. S., 35 vjeç, banues në Tiranë, pasi në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Savrës”, në automjetin tip “Nissan” që drejtonte ky shtetas, iu gjet dhe u sekuestrua një sasi me fara cannabis sativa. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Qarku Korçë – Vihen në pranga 3 shtetas të shpallur në kërkim dhe arrestohet në flagrancë 1 tjetër, për vepra të ndryshme penale. Në vijim të punës për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të shpallur në kërkim, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar në Drejtoritë Vendore të Policisë Korçë dhe Tiranë, si rezultat i bashkëpunimit të tyre dhe shkëmbimit të informacioneve, bënë të mundur ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim T. H., 44 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me vendimin e datës 01.02.2021, e ka dënuar këtë shtetas me 6 muaj burg, për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”. Gjithashtu, po nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar në DVP Korçë u bë ndalimi i shtetasit në kërkim S. V., 35 vjeç, banues në Korçë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me vendimin e datës 09.07.2019, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrimi”. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Devoll bënë ndalimin e shtetasit në kërkim A. H., 41 vjeç, banues në fshatin Vranisht, Devoll. Ky shtetas është kapur nga shërbimet e Policisë Kufitare Kapshticë, duke tentuar që të kalonte kufirin në mënyrë të paligjshme. Pas verifikimeve të kryera rezultoi se ai ishte shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Devoll, për veprën penale “Vjedhja”. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Pogradec bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. B., 35 vjeç, banues në Pogradec, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj hallës së tij, shtetases M. L., 59 vjeçe, në banesën e saj. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Korçë e Pogradec, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 62 shtetas, konkretisht: 14 janë ndaluar, 12 janë arrestuar në flagrancë dhe 36 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 9 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 8 raste: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Durrës dhe 1 në Fier; 4 raste të ‘Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Korçë dhe 1 në Vlorë; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 4 raste, 1 në Korçë, ku autori është arrestuar në flagrancë, 1 në Durrës, 1 në Vlorë dhe 1 në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 10 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 8 raste, 3 raste me 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 5 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 3 raste, 2 në Tiranë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të “Mashtrimi”, 2 në Tiranë, me 1 autor të ndaluar, 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë dhe 2 autorë të shpallur në kërkim, dhe 1 rast në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Falsifikimi i letërnjoftimeve”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”, në Elbasan, me 4 autorë të ndaluar dhe 2 autorë të shpallur në kërkim.
Është evidentuar 1 rast i “Falsifikimi i monedhave”, në Elbasan, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 rast i “Vetëgjyqësia”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Po në Tiranë është proceduar penalisht 1 shtetas për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.
Është evidentuar 1 rast i “Kundërshtimi i punonjësit të policisë”, në Korçë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Në Gjirokastër është proceduar penalisht 1 shtetas për veprën penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, ndërsa 1 tjetër është proceduar penalisht për veprën penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.
Janë evidentuar 2 raste të shkatërrimit të pronës, 1 në Vlorë, ku autori po procedohen në gjendje të lirë dhe 1 rast për të cilin po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 5 raste aksidentesh, me 7 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe arrestuar 4 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, në Tiranë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.