Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 7 shkurt 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Shkodër – Vijon operacioni policor “Reagimi”, shkon në 4 numri i të arrestuarve për ngjarjen e datës 05.02.2020. Në vijim të hetimeve, nga strukturat e Policisë është bërë arrestimi i shtetasit L. L., 27 vjeç, banues në lagjen Tepe, Shkodër. Arrestimi i tij u bë, pasi gjatë veprimeve hetimore ka rezultuar qe më ndërmjetësinë e këtij shtetasi, personat e arrestuar kanë shkuar në Shkodër, ku dhe kanë shkëmbyer zjarr më armë, me shtetasin M. M. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Kamëz, Tiranë – Finalizohet operacioni policor “Bërzhita”. Zbardhet pas disa orësh vjedhja me dhunë në një banesë në Bathore. Vihet në pranga autori i vjedhjes. Gjenden dhe sekuestrohen bizhuteritë dhe lekët që autori vodhi në banesë. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5, pas njoftimit të marrë se në Bathore, në rrugën “Bërzhitë”, rreth orës 10:50 të paradites së datës 06.02.2020, në banesën e shtetasit H. H., kishte hyrë një person i maskuar dhe nën kërcënimin e thikës kishte vjedhur lekë dhe disa bizhuteri, menjëherë kanë organizuar punën për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit. Si rezultat i reagimit në kohë, informacioneve të marra në rrugë operative dhe një pune profesionale me veprime të shpejta proaktive u bë e mundur që brenda pak orëve të identifikohej personi i dyshuar si autor i kësaj ngjarjeje. Në këtë kuadër u organizua operacioni policor i koduar “Bërzhita”, duke u finalizuar me kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit A. M., 25 vjeç, banues në lagjen nr. 4 Bathore, Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje. Gjatë operacionit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 bënë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin në cilësinë e provës materiale të sendeve të vjedhura nga autori në banesën e shtetasit H. H. Materialet i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjygjësor, në ngarkim të shtetasit A. M., për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, për të cilën parashikohet dënimi deri në 15 vjet burgim.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 78 shtetas, konkretisht: 21 janë arrestuar, 2 janë ndaluar dhe 55 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, në të gjithë territorin, me 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 4 raste: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë dhe 1 në Gjirokastër; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të dhunës në familje, 4 në Tiranë, 1 në Vlorë dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 11 kërkesë-padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 9 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e vjedhjes së energjisë elektrike janë evidentuar 4 raste, 3 në Tiranë dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 8 raste të ndërtimit pa leje, 4 në Tiranë, 3 në Durrës dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar 3 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 2 raste aksidentesh, me 3 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 6 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 2 në Tiranë, 1 në Elbasan, 2 në Fier dhe 1 në Lezhë.

Janë evidentuar dhe proceduar 4 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 3 në Tiranë dhe 1 në Dibër.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.