Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 6 shkurt 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Vorë, Tiranë – Policia godet një tjetër rast të armëmbajtjes pa leje. Qarkullonte me armë zjarri me vete, vihet në pranga 36-vjeçari. Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak. Në vijim të punës për rritjen e parametrave të sigurisë, si rezultat i kontrolleve të shtuara për kapjen e personave në kërkim dhe atyre që qarkullojnë me armë zjarri me vete, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Vorë u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit E. T., 36 vjeç, banues në Durrës. Ky shtetas qarkullonte me automjetin e tij dhe gjatë kontrollit fizik dhe të automjetit, shërbimet e Policisë i gjetën në çantën e dorës një armë zjarri pistoletë, me 1 krehër me 7 fishekë. Në automjet udhëtonte edhe një shtetas tjetër si pasagjer, i cili në përfundim të veprimeve u la i lirë, ndërsa poseduesi i armës së zjarrit u arrestua në flagrancë. Materialet procedurale iu dërguan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit  Gjyqësor Tiranë, për veprën penale ”Armëmbajtja pa leje”, për të cilën parashikohet dënimi deri në 7 vjet burgim.

Shkodër – Zbardhet dhe dokumentohet brenda pak orësh ngjarja e ndodhur mbrëmjen e datës 05.02.2020, ku u plagos me armë zjarri  shtetasja L. J. Finalizohet operacioni “Reagimi”. Operacioni nga DVP Shkodër, në bashkëpunim me DVP Tiranë dhe DVP Durrës. Kontrolle të shumta, në disa qytete, për kapjen e autorëve. Arrestohen ne flagrancë 3 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 tjetër. Menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në orët e mbrëmjes së datës 5 shkurt, në pedonalen e qytetit, ku si pasojë e shkëmbimit të zjarrit mes dy personave mbeti e plagosur një kalimtare, Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë ngriti një grup të posaçëm hetimi, me qëllim zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale të kryera nga grupi hetimor, si dhe në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative u bë i mundur identifikimi i autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje. Mbi bazën e këtyre informacioneve dhe provave të grumbulluara, nga strukturat e DVP Shkodër, në bashkëpunim DVP Tiranë dhe DVP Durrës, u finalizua operacioni policor “Reagimi, në kuadër të të cilit u bë e mundur kapja dhe arrestimi i në flagrancë i shtetasve A. R., 31 vjeç, banues në Durrës, E. B., 28 vjeç, banues në Durrës dhe R. Xh., 22 vjeç, banues në Shkup, Maqedoni. Gjithashtu është shpallur në kërkim M. M., 26 vjeç, banues në fshatin Berdicë, Shkodër. Nga hetimet e kryera në kohë rekord nga grupi hetimor i DVP Shkodër rezultoi se shtetasit A. R., E. B. dhe R. Xh. kanë qëlluar me armë zjarri mbrëmjen e datës  05.02.2020, rreth orës 22:40, në lagjen “Vasil Shanto”, në drejtim të shtetasit M. M., i cili iu është kundërpërgjigjur me armë zjarri dhe si pasojë ka mbetur e plagosur shtetasja L. J. (kalimtare). Po nga hetimet dyshohet se këta shtetas kishin konflikte të hershme me njëri -tjetrin. Në vendngjarje është gjetur dhe sekuestruar një automjet që i përket shtetasit M. M. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 66 shtetas, konkretisht: 16 janë arrestuar, 5 janë ndaluar dhe 45 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 5 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste, në të gjithë territorin, me 1 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 4 raste: 3 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Vlorë; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të dhunës në familje, 1 në Berat dhe 1 në Vlorë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë dhe 1 në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 5 kërkesë-padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 12 raste: 2 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 10 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e vjedhjes së energjisë elektrike janë evidentuar 2 raste, 1 në Tiranë dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të ndërtimit pa leje, 4 në Tiranë dhe 1 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar 4 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 6 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 7 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 10 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 2 në Tiranë, 1 në Durrës, 5 në Fier, 1 në Vlorë dhe 1 në Lezhë.

Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 2 në Durrës dhe 1 në Vlorë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.