Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 6 korrik 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Shkodër-Bashkëpunimi me median vë në pranga një shtetas, për ngacmim seksual.Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shkodër arrestuan në flagrancë shtetasin V. H., 65 vjeç, banues në fshatin Oblikë , Shkodër, për veprën penale “Ngacmimi seksual”.Në kohë e vende të ndryshme, në mënyrë të vazhdueshme ka ngacmuar seksualisht disa shtetase kryesisht të mitura.Për arrestimin e këtij shtetasi është bashkëpunuar me stafin e emisionit “Fiks Fare”.Materialet proceduriale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Fier-Finalizohet një tjetër operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.Operacioni policor i koduar “Grizë”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Fier.Sekuestrohen 208 gramë heroinë, 17.5 kg kanabis në proces tharjeje dhe 1448 fara kanabis. Asgjësohen fidanë dhe bimë të dyshuara narkotike, që ishin kultivuar në afërsi të dy banesave të ndryshme.Gjithashtu sekuestrohen 3 granata difensive dhe ofensive, 2 armë gjahu pa leje, 391 fishekë luftarak, 3 peshore elektronike dhe 2 pajisje që shërbenin për përpunimin e lëndës narkotike.Vihet në pranga pronari i njërës nga banesat, shpallen në kërkim 2 djemtë e tij.Gjatë operacionit u vu në pranga edhe 1 shtetase tjetër që kishte kultivuar bimë narkotike në një sipërfaqe toke në pronësi të saj. Në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë policore se në një banesë në lagjen “29 Marsi”, Patos, kultivohej dhe prodhohej lëndë narkotike, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Fier, ka organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Grizë”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit S. G., 66 vjeç, banues në Patos.Po në kuadër të operacionit u bë shpallja në kërkim dhe po punohet për kapjen e dy djemve të 66-vjeçarit, shtetasve E. G., 39 vjeç dhe G. G., 26 vjeç, të cilët dyshohet se kryenin në bashkëpunim aktivitetin kriminal.Gjatë kontrollit në lagjen “29 Marsi”, në banesën e këtyre shtetasve u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 208 gramë lëndë e dyshuar narkotike heroinë, 17.5 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis në proces tharjeje, 1448 fara kanabisi, 3 granata difensive dhe ofensive, 2 armë gjahu pa leje, 391 fishekë luftarak, 3 peshore elektronike dhe 2 pajisje që shërbenin për përpunimin e lëndës narkotike. Gjithashtu, u asgjësuan bimë të dyshuara narkotike kanabis, që ishin kultivuar në një sipërfaqe toke në afërsi të kësaj banese dhe fidanë të dyshuar kanabis, të kultivuar në kubikë.Në vijim të kontrollit të territorit, në zonën ku po zhvillohej operacioni, në një sipërfaqe toke në pronësi të shtetases V. G., u gjetën të kultivuara bimë narkotike të dyshuara kanabis. Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi i shtetases V. G., 54 vjeçe, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë” dhe “Mbajtja pa leje e municionit luftarak”.Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër falënderon mediat për bashkëpunimin dhe i fton sërish që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në Komisariatin Dixhital dhe në numrin 112, duke iu garantuar reagim të menjëhershëm e të paanshëm.

Fast Albania-Vijojnë operacionet, në bashkëpunim me homologët dhe me Interpol Tiranën, për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.Finalizohet operacioni policor i koduar “Double”, i zhvilluar nga Fast Albania, në bashkëpunim me Interpol Tiranën dhe DVP-të Tiranë dhe Fier.Vihen në pranga me qëllim ekstradimin drejt Sllovakisë dhe Kosovës, 2 shtetas të kërkuar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga Fast Albania, në bashkëpunim me homologët, Interpol Tiranën dhe DVP-të Tiranë dhe Fier, gjatë 12 orëve të fundit, është zhvilluar një tjetër operacion policor i koduar “Double”, në kuadër të të cilit u kapën shtetasit në kërkim ndërkombëtar:-R. D., 46 vjeç, lindur në Sllovaki, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme e Pezinok/Sllovaki, me vendimin e vitit 2021, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal i Sllovakisë. Ky shtetas u kap në Plug, Lushnjë;-G. S., 32 vjeç, banues në Kosovë, pasi autoritetet kosovare kanë lëshuar urdhër arresti në ngarkim të këtij shtetasi, për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve”, parashikuar nga Kodi Penal i Kosovës. Ky shtetas u kap në rrugën “Reshit Petrela”, Tiranë.Fast Albania është duke bashkëpunuar ngushtësisht me homologët e saj ne Europë, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Fier/Informacion paraprak-Sot, rreth orës 10:00, në spitalin Rajonal Fier, në repartin e grafisë, ka rënë zjarr.Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe shërbimet zjarrfikëse të cilët bënë të mundur fikjen e zjarrit.Nuk ka persona të dëmtuar.Grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkakut të rënies së zjarrit.

Tiranë-Parandalohet një ngjarje e mundshme kriminale në familje.Nën efektin e lëndëve narkotike, ushtroi dhunë fizike ndaj prindërve të tij dhe i kanosi ata me mjet prerës (thikë), arrestohet në flagrancë 40-vjeçari.Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3, pas kallëzimit të marrë nga shtetasi R. Xh., se djali i tij ushtronte dhunë fizike në mënyrë të vazhdueshme ndaj tij dhe bashkëshortes, si dhe i kishte kanosur ata me mjet prerës (thikë), menjëherë kanë organizuar punën, duke kapur dhe shoqëruar në ambientet e Policisë, djalin e tij, shtetasin T. Xh., 40 vjeç, banues në Tiranë.Në vijim të veprimeve hetimore, u arrestua në flagrancë shtetasi T. Xh., pasi dyshohet se në mënyrë të vazhdueshme, nën efektin e lëndëve narkotike, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj prindërve të tij dhe i ka kanosur ata me mjet prerës thikë.Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

DVP Elbasan-Në lidhje me një lajm të publikuar në disa portale, që bën fjalë për 3 persona të maskuar që kanë tentuar të rrëmbejnë djalin e mitur të shtetasit F. G., në qendër të qytetit të Peqinit, ju sqarojmë se lajmi është i pavërtetë.Nga verifikimet dhe deklarimet e familjarëve të djalit të mitur rezulton se ky lajm nuk është i vërtetë.   Theksojmë faktin se në Polici nuk ka patur asnjë kallëzim për një ngjarje të tillë.   Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan kërkon mirëkuptimin e mediave që të kërkojnë informacion të plotë pranë DVP Elbasan, para se të publikojnë lajme për të cilat nuk kanë informacion të saktë.

Divjakë/Informacion paraprak-Sot më datë 06.07.2022, është gjetur në banesë pa shenja jete dhe me shenja dhune, shtetasi M. S., 85 vjeç, banues në Remas, Divjakë.Nga hetimet paraprake autor i dyshuar i vrasjes së 85-vjeçarit dyshohet se është djali i tij, shtetasi A. S., 58 vjeç, i cili dyshohet se për motive të dobëta e ka mbytur.Eshtë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Divjakë shtetasi A. S., dhe po punohet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Dibër – Më datë 05.07.2022, është paraqitur në Komisariatin e Policisë Dibër dhe ka bërë kallëzim shtetasi F. D., se vellai i tij A. D., 35 vjeç, banues në fshatin Blliçe, Dibër (i cili vuan nga shëndeti mendor), është larguar pa adresë nga banesa që më datë 11.06.2022. Është bërë shpallja në kërkim dhe vijon puna për gjetjen e tij. Materialet u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për “Largim nga banesa”.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 76 shtetas, konkretisht: 13 janë ndaluar, 10 janë arrestuar, 43 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 10 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, me 3 shtetas të arrestuar, 3 shtetas të ndaluar dhe me 2 të tjerë të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilëve vijon puna nga ana e strukturave të Policisë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 14 raste, me 1 shtetas të arrestuar, 3 shtetas të ndaluar, 3 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 9 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje është evidentuar 5 raste, me 2 shtetas të arrestuar dhe 3 shtetas të ndaluar.

Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 8 raste, me 3 shtetas të ndaluar, 2 shtetas të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilëve vijon puna nga ana e strukturave të Policisë dhe me 4 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë evidentuar 3 raste të veprimtarisë së kundërligjshme të falsifikimit të dokumenteve të ndryshme, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë janë evidentuar 8 raste, prej tyre, 3 raste janë me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 2 shtetas të arrestuar, 2 shtetas të ndaluar dhe 2 të tjerë të shpallur në kërkim. Gjithashtu, janë evidentuar 2 raste të veprës penale të vjedhjes së energjisë elektrike, me 1 shtetas të ndaluar dhe 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë.

Për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, janë evidentuar 5 raste, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 6 raste, me 1 shtetas të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilit vijon puna nga ana e strukturave të Policisë dhe me 5 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë. Janë evidentuar 6 raste të djegies së pronave/pasurive të ndryshme, 1 prej tyre, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, vijon puna nga ana e strukturave të Policisë, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të tyre.

Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 6 raste, me 2 shtetas të arrestuar, 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 2 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 7 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Marrja e padrejtë e fëmijës”, “Shpifja” dhe “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, me 3 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, është evidentuar 1 rast i veprës penale “Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhjeve”, me 1 shtetas të ndaluar.

Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Shkatërrimi i rrjetit të ujësjellësit”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 2 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë; 2 raste të veprës penale “Fyerja”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, si dhe 4 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 1 shtetas të ndaluar dhe 3 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 5 aksidente, si pasojë e të cilëve 9 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 11 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, me 2 shtetas të arrestuar, si dhe me 9 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.