Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Tiranë – Denoncimi nga qytetarët në Komisariatin Dixhital dhe reagimi i menjëhershëm i shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 vënë në pranga 27-vjeçarin që ushtronte veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe shitjes e mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve. Sekuestrohet municion luftarak, armë gjahu, dorezë grushti, shkop gome dhe shkop metalik si ata që përdor Policia. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, pas denoncimit të ardhur në Komisariatin Dixhital se një shtetas, në rrugën “Irfan Tomini”, shiste drogë, armë luftarake dhe sportive, kanë organizuar punën për identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e personit që ushtronte këtë veprimtari kriminale. Si rezultat i reagimit të shpejtë dhe informacioneve të marra u bë i mundur identifikimi dhe kapja në flagrancë e shtetasit G. D., 27 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një dorezë metalike (Përforcues grushti), një shkop shufër metalike me tri hapje, një shkop gome me hapje si ata të Policisë, një armë gjahu çifte dhe municion luftarak. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje armëve të gjuetisë dhe sportive”,”Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje armëve të ftohta” dhe “Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municioneve”.
Vlorë – Kapet një tjetër person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve. Operacioni, nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Interpol Tirana. Vihet në pranga 37-vjeçari i dënuar me 8 vite burg, me qëllim ekstradimi drejt shtetit italian. Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në vijim të punës intensive për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar e ndërkombëtar, si dhe mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, kanë kapur dhe arrestuar provizorisht, me qëllim ekstradimi, shtetasin Denis Hysaj, 37 vjeç, banues në fshatin Gjormë, Vlorë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Romës, Itali, me vendimin e datës 16.11.2018, e ka dënuar me 8 vite burgim, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Fier – Finalizohet operacioni policor i koduar “Kreshpan”, për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Operacioni, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier dhe Interpol Tirana. Bie në prangat e Policisë 50-vjeçari i dënuar nga drejtësia italiane, me 8 vjet e 10 muaj burg, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”. Sektori për Shërbimet e Specializuara Policore në DVP Fier, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, Interpol Tirana dhe Interfoza italiane, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, bazuar dhe në informacionet e mara në rrugë operative ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Kreshpan”. Si rezultat i operacionit, në fshatin Kreshpan, në banesën e tij u kap dhe u arrestua përkohësisht me qëllim ekstradimin drejt Italisë, shtetasi Sokol Rukaj, 50 vjeç, banues në Cakran, Fier. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi gjykata e Ankonës, Itali, e ka dënuar me 8 vjet e 10 muaj burg, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 61 shtetas, konkretisht: 12 janë arrestuar, 3 janë ndaluar dhe 46 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 3 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 9 raste: 3 raste të “Kanosja”, 2 në Vlorë dhe 1 në Shkodër; 4 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Fier dhe 1 në Vlorë; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 5 raste të dhunës në familje, 3 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Korçë, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe 1 në Fier, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 13 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 9 raste, 1 në Berat, ku autori është arrestuar në flagrancë; 1 në Durrës, 1 në Elbasan dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 5 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 3 raste, 1 në Elbasan, 1 në Korçë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë
Në të gjithë vendin janë evidentuar 6 raste aksidentesh, me 8 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar 7 raste të ndërtimit pa leje, 2 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Vlorë, 2 në Lezhë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar dhe arrestuar 1 drejtues mjeti që drejtonte mjetin në gjendje të dehur, në Durrës.
Janë evidentuar dhe proceduar 6 drejtues mjetesh që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 1 në Tiranë, 1 në Korçë, 3 në Lezhë dhe 1 në Dibër.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.