Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 4 nëntor 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Vlorë – Policia godet një tjetër rast të armëmbajtjes pa leje. Qarkullonte me armë zjarri me vete, vihet në pranga 24-vjeçari. Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak. Në vijim të punës për rritjen e parametrave të sigurisë, për kapjen e personave në kërkim dhe atyre që qarkullojnë me armë zjarri me vete, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, se në lagjen “Uji i Ftohtë”, Vlorë po lëvizte një person i armatosur, është organizuar puna, dhe si rezultat i ndërhyrjes profesionale  nga ana e shërbimeve të Sektorit për Hetimin e Krimeve Vlorë në bashkëpunim me Forcën Operacionale në DVP Vlorë  dhe forcën e posaçme “Shqiponjat”, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit F. A., 24 vjeç, banues në Vlorë. Ky shtetas qarkullonte me automjetin e tij të markës Audi dhe gjatë kontrollit fizik , shërbimet e Policisë i gjetën në trup (në brez) një armë zjarri pistoletë, me 1 krehër me 5 fishekë. Materialet procedurale iu dërguan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit  Gjyqësor Vlorë, për veprën penale ”Armëmbajtja pa leje”.

Durrës – Vijon puna për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Arrestohen në flagrancë 2 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Trafikut të Paligjshëm në DVP Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin A. H., 53 vjeç, banues në Irlandë, pasi i ka dhënë pasaportën irlandeze të djalit të tij, shtetasit A. B., 18 vjeç, i cili ka tentuar të kalojë në PKK Durrës me këtë pasaportë, duke shfrytëzuar ngjashmërinë. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin maroken Y. L., 21 vjeç, pasi në lagjen nr. 4, Durrës, dyshohet se ka vjedhur në një “Fast Food” në pronësi të shtetasit S. L., shumën 25.000 lekë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Kontrolle të shtuara në rrugët nacionale dhe dytësore, për parandalimin dhe goditjen e trafiqeve të paligjshme, kapjen dhe prangosjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri apo që janë të shpallur në kërkim. Si rezultat i kontrolleve të shtuara, forca e posaçme “Shqiponjat” goditi një tjetër rast të armëmbajtjes pa leje. Qarkullonte me armë zjarri me vete, vihet në pranga 23-vjeçari. Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe 5 aparate celular.  Në zbatim të Planit të Masave për parandalimin dhe goditjen e trafiqeve të paligjshme, kapjen dhe prangosjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri apo që janë të shpallur në kërkim, nga forcat e posaçme “Shqiponjat”, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 6, tek “Mbikalimi i Rinasit”, gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit S. K., 23 vjeç, banues në Krujë. Në pikën e kontrollit të ngritur nga ana e “Shqiponjave”, në vendin e quajtur “Mbikalimi i Rinasit” u bë ndalimi i mjetit tip “Land Rover” që drejtohej nga shtetasi S. K. Gjatë kontrollit, Policia i gjeti në brez një armë zjarri pistoletë që e mbante pa leje, me një krehër me 8 fishekë luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me 5 aparate celular.  Materialet procedurale iu dërguan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale ”Armëmbajtja pa leje”, për të cilën parashikohet dënimi deri në 7 vjet burgim.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 58 shtetas, konkretisht: 14 janë arrestuar, 4 janë ndaluar dhe 40 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 4 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, me 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 7 raste: 5 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë, 2 në Elbasan, 1 në Dibër dhe 1 në Lezhë ; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të dhunës në familje, 1 në Fier, ku autori është arrestuar në flagrancë, 1 ën Tiranë dhe 1 në Elbasan, ku autori po procedohet në gjendje të lirë. Janë plotësuar 8 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 6 raste, 1 në Durrës, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 në Tiranë, ku autori është proceduar në gjendje të lirë, si dhe 4 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 4 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Durrës, 1 në Berat, 1 në Vlorë dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Vetëgjyqësia”, në Shkodër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, në Durrës, me 1 autor të arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Korrupsioni aktiv i personave që ushtojnë funksione publike”, në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Mashtrimi në sigurime”, në Shkodër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, në Tiranë , ku autori është arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Kanosja për shkak të detyrës”, në Shkodër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë”.

Është evidentuar një rast i armëmbajtjes pa leje, në Vlorë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar një rast i “Prerja e paligjshme e pyjeve”, në Lezhë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 3 raste të shkatërrimit të pronës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të raste të “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, 1 në Shkodër, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe 1 në Lezhë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 2 raste aksidentesh, me 2 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar 3  shtetas që drejtonin mjetet ne gjendje të dehur, 3 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Gjirokastër.

Janë evidentuar dhe proceduar 6 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 1 në Tiranë, 2 në Lezhë, 2 në Shkodër dhe 1 në Vlorë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.