Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 4 gusht 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Darëzezë/Divjakë-Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier kanë vijuar kontrollet në vijën bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike, për pushuesit.Lirohen hapësira në plazhin e Darëzezës dhe Divjakës.Procedohen penalisht administratorët e 3 subjekteve, të cilët zunë hapësirën publike në plazh, duke vendosur çadra dhe shezlogë, pa lejen përkatëse.Sekuestrohen 169 çadra dhe 338 shezlongë.Në kuadër të planit operacional për kontrollin e vijës bregdetare dhe lirimin e hapësirave bregdetare të zaptuara në mënyrë të kundërligjshme, nga subjekte të ndryshme që vendosin çadra dhe shezlongë, specialistët për Hetimin e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Fier referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal, për shtetasit Sh. G., 45 vjeç; E. G., 30 vjeç, të dy banues në Fier dhe M. K., 29 vjeç, banues në Divjakë.Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Fier, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Fier, Komisariatin e Policisë Divjakë dhe Policinë Bashkiake Fier e Divjakë, kanë liruar hapësirën publike, duke hequr 169 çadrat dhe 338 shezlongët që ishin vendosur pa lejen përkatëse, në plazhin e Darëzezës dhe Divjakës.Gjithashtu, gjatë kontrollit të vijës bregdetare, në plazhin e Darëzezës, në breg të detit u gjet një mjet uji tip gomone, i cili u dërgua në Stacionin e Policisë Kufitare Hoxharë, për verifikimin e dokumentacionit dhe identifikimin e pronarit. Nga kontrolli i mjetit lundrues, nuk u gjet asnjë send i kundërligjshëm.Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Durrës-Vijon operacioni policor i koduar “Diesel”, i zhvilluar 2 javë më parë, nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës.Kapen dhe vihen në pranga 2 shtetasit e shpallur në kërkim, kapiteni dhe mekaniku i peshkarexhës, që kishin përshtatur një depozitë në peshkarexhë, për mbajtjen e rreth 80.000 litrave naftë të kontrabanduar, me qëllim shmangien e detyrimeve doganore.Si rezultat i këtij operacioni u shpallën në kërkim 3 shtetas, si dhe u sekuestrua peshkarexha me rreth 80.000 litra naftë të kontrabanduar.Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës, në vijim të veprimeve hetimore, si dhe si rezultat i punës profesionale policore, në kuadër të operacionit “Diesel”, kanë bërë të mundur lokalizimin dhe vënien në pranga të shtetasve:- F. A., 65 vjeç, banues në Durrës, kapiteni i peshkarëxhës dhe N. Xh., 53 vjeç, banues në Durrës, mekaniku i peshkarexhës.Nga veprimet hetimore të kryera, në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, Policinë Kufitare, Degën Doganore Durrës, Antikontrabandën Detare dhe FSPD Port Durrës, rezultoi se këta 2 shtetas, së bashku me shtetasin në kërkim A. M. (administrator i peshkarexhës), kishin dalë në det, pa njoftuar kapitenerinë dhe Policinë Kufitare, me qëllim marrjen e një sasie prej rreth 80.000 litrash naftë dhe futjen e saj kontrabandë.Në vijim të veprimeve, shërbimet e Policisë gjetën të përshtatur një depozitë në peshkarexhën e këtyre shtetasve, për mbajtjen e naftës së kontrabanduar. Peshkarexha, së bashku me sasinë e naftës, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.Vijon puna për kapjen e shtetasit A. M., si dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.Materialet shtesë i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Cërrik/Ndërhyrja në kohë e shërbimeve të Policisë parandalon një vrasje në familje.Tentoi të vriste me mjet prerës (kosore) babanë e tij, vihet në pranga 29-vjeçari.  Shërbimet e Komisariatit të Policisë Cërrik, pasi kanë marrë njoftim ditën e djeshme, se në fshatin Klos, Cërrik, shtetasi B. Sh. po konfliktohej me babanë e tij, menjëherë kanë organizuar punën dhe falë ndërhyrjes së shpejtë kanë parandaluar përshkallëzimin e konfliktit që mund të kishte pasoja të rënda.Falë ndërhyrjes në kohë, shërbimet e Policisë kanë kapur shtetasin B. Sh., 29 vjeç (me probleme të shëndetit mendor), i cili ka dhunuar fizikisht dhe ka goditur me mjet bujqësor (kosore) babanë e tij, shtetasin R. Sh., 56 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.Në përfundim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Cërrik u arrestua në flagrancë, për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë, shtetasi B. Sh., 29 vjeç, banues në fshatin Klos, Cërrik.Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Tiranë-Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Threat”, nga Seksioni për Hetimin e Krimit Kompjuterik.Kanosi dhe përndoqi në rrjetet sociale një shtetase, të cilën e kishte goditur me biçikletë, vihet në pranga 28-vjeçari.Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Kompjuterik në DVP Tiranë, pas kallëzimit të bërë nga shtetasja L. S., se një shtetas e kishte goditur me biçikletë dhe më pas e kishte kanosur dhe ofenduar në rrjete sociale, organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.Në kuadër të operacionit policor të koduar “Threat” u ndalua shtetasi:- R. M., 28 vjeç, banues në Tiranë.Pas verifikimeve të kryera nga specialistët e Krimit Kompjuterik ka rezultuar se ky shtetas, më datë 28.07.2022, ka goditur me biçikletë shtetasen L. S. dhe më pas i ka dërguar mesazhe ofenduese dhe e ka kanosur atë, nëpërmjet llogarive false në rrjetet sociale.Materialet procedurale për këtë rast i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Kavajë/Informacion paraprak-Më datë 04.08.2022, në vendin e quajtur “Bishti i Zhurit”, një mjet kamion me drejtues shtetasin I. C., është përplasur me një mjet tip “Benz” me drejtues ende të paidentifikuar.Si pasojë e aksidentit, dyshohet se mund të kenë humbur jetën dy persona.Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.

DVP Tiranë/Informacion shtesë sqarues-Në lidhje me aksidentin e ndodhur ditën e sotme, në vendin e quajtur “Bishti i Zhurit”, ku mjeti kamion me drejtues shtetasin I. C. u përplas me mjetin tip “Benz” me drejtues shtetasin F. M., 27 vjeç, ju informojmë se si pasojë e aksidentit drejtuesi i mjetit tip “Benz” ka humbur jetën.Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.

Më datë 03.08.2022, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykates së Shkallës Parë Dibër, dhe u bë shpallja në kërkim për “Largim nga banesa” e shtetasit P. M., 37 vjeç, banues në Dibër, pasi vëllai i tij shtetasi F. M., ka deklaruar se 37-vjeçari është larguar nga banesa para disa muajsh dhe nuk është kthyer më.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 77 shtetas, konkretisht: 13 janë ndaluar, 10 janë arrestuar, 46 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 8 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, 4 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilëve vijon puna nga ana e strukturave të Policisë, ndërsa rasti tjetër rezulton me 1 shtetas të arrestuar dhe 1 shtetas të ndaluar.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 12 raste, 2 prej tyre kanë mbetur në tentativë, me 1 shtetas të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilit vijon puna nga ana e strukturave të Policisë dhe me 1 shtetas tjetër të arrestuar, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 2 shtetas të arrestuar, 3 shtetas të ndaluar, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 6 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje është evidentuar 1 rast, me 1 shtetas të shpallur në kërkim.

Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 6 raste, me 1 shtetas të ndaluar dhe me 5 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu janë evidentuar 2 raste të veprimtarisë së kundërligjshme të falsifikimit të dokumenteve të ndryshme, me 1 shtetas të ndaluar dhe 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë janë evidentuar 6 raste, prej tyre, 1 rast është me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 1 shtetas të ndaluar, 3 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu janë evidentuar 3 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 1 shtetas të ndaluar, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë.

Për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, janë evidentuar 4 raste, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 13 raste, me 2 shtetas të ndaluar dhe me 12 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë. Janë evidentuar 8 raste të djegies së pronave/pasurive të ndryshme, një prej të cilave rezulton aksidental, për 1 tjetër rezulton 1 shtetas i proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për rastet e tjera vijon puna nga ana e strukturave të Policisë.

Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 7 raste, me 2 shtetas të arrestuar, 2 shtetas të ndaluar dhe me 3 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 12 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale penale “Dhunimi i banesës”, “Trafikimi i mjeteve motorike”, “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Shkatërrimi i rrjetit të ujësjellësit”, me 5 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.

Gjithashtu, janë evidentuar: 2 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë; 1 rast i veprës penale “Heqja e paligjshme e lirisë”dhe “Prostitucioni” me 1 shtetas të arrestuar; 4 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë; 2 raste të veprës penale “Përndjekja”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilit vijon puna nga ana e strukturave të Policisë dhe me 1 shtetas tjetër të ndaluar, si dhe 1 rast i veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, me 2 shtetas të ndaluar.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 4 aksidente, si pasojë e të cilëve 11 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 9 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilit vijojnë punën strukturat e Policisë, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 5 shtetas të arrestuar, si dhe me 4 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.