Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 31 janar 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Fier – Policia godet një grup të rrezikshëm që kryente vjedhje të parave dhe sendeve me vlerë në banesa. Finalizohet me sukses nga Komisariati i Policisë Fier operacioni policor i koduar “Shëtitësit”. Operacioni për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës. Bashkëpunimi me qytetarët ve në pranga 4 anëtarët e grupit, të cilët u kapën në tentativë për të vjedhur 2 banesa në Cakran. Të katërt autorët e dyshuar janë persona me precedent të theksuar kriminal në fushën e vjedhjes së banesave. Njëri prej autorëve ishte shtetas i shpallur në kërkim, për veprën penale “Vjedhja”. Zbardhen dhe dokumentohen disa vjedhje të ndodhura më parë në Fier, të kryera nga këta shtetas. Sekuestrohet çanta me pajisjet që përdoreshin për të kryer vjedhjet, si: kaçavida, darë prerës, çelësa të ndryshëm, 8 telefona celularë të markave të ndryshme dhe automjeti, i cili gjithashtu përdorej nga këta shtetas për të kryer vjedhjet. Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjes së pronës, zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, pas kallëzimit të bërë nga banorë të zonës se në Cakran po tentohej të vidheshin 2 banesa, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin e koduar “Shëtitësit” dhe falë veprimeve të shpejta dhe të mirëorganizuara u godit grupi kriminal që vidhte banesat në Fier. Gjatë operacionit, 2 prej autorëve tentuan të largoheshin me një automjet, të cilin e vodhën në banesën e shtetasit F. S. dhe gjatë tentativës për t’i ikur ndjekjes së Policisë, goditën me automjet shtetasin T. B., 36 vjeç, i cili u ka bërë me shenjë për të ndaluar, por ata e kanë përplasur dhe përsëri tentuan të largoheshin, por u kapën gjatë ndjekjes nga Policia. Shtetasi T. B. ndodhet në Spitalin Rajonal Fier, nën kujdesin e mjekëve. Në vijim të veprimeve, specialistët për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasit A. L., 27 vjeç, banues në Vlorë, i dënuar disa herë për vjedhje. Ky shtetas ishte edhe person në kërkim, pasi Gjykata e Beratit i ka vendosur masën “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja”; E. D., 31 vjeç, banues në Vlorë, i dënuar disa herë për vjedhje; A. L., 31 vjeç, banues në Vlorë, i dënuar më parë për vjedhje dhe L. N., 24 vjeç, banues në Frakull, Fier. Në sajë të materialeve të administruara dhe veprimeve hetimore, rezulton se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin janë autorë edhe të rasteve të mëposhtme të vjedhjes së banesave: Në datën 30.05.2019, në fshatin Ferras, dyshohet se kanë vjedhur në banesën e shtetases E. M., ku kanë marrë 5 milion lekë, disa sende me vlerë dhe bizhuteri floriri; Në datën 19.11.2019, në fshatin Kafaraj, dyshohet se kanë vjedhur në banesën e shtetasit J. B., ku kanë marrë një sasi parash dhe pajisje elektroshtëpiake; Në datën 13.11.2019, në fshatin Frakull e Madhe, dyshohet se kanë vjedhur në banesën e shtetasit M. H., ku kanë marrë 1 milion e 700 mijë lekë dhe disa bizhuteri floriri; Në datën 23.01.2020, në fshatin Ferras, dyshohet se kanë vjedhur në banesën e shtetasit R. N., ku kanë marrë 2 milion e 800 mijë lekë dhe disa bizhuteri floriri. Vijon puna për dokumentimin e rasteve të tjera të vjedhjeve të banesave të kryera nga këta shtetas. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë, “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë dhe “Vjedhja me dhunë”.

Tiranë – Ndërhyrja në kohë e shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 parandalon një ngjarje të rëndë kriminale. Hyri me armë në lokal, duke kërcënuar me pistoletë qiradhënësen e lokalit, por falë ndërhyrjes  në kohë të Policisë u vu në pranga 43-vjeçari. Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas njoftimit të marrë se në një lokal në rrugën “Spiro Çipi”, një shtetas kishte hyrë me armë zjarri dhe po kërcënonte për motive të dobëta një shtetase, menjëherë kanë shkuar në adresën e dhënë dhe falë ndërhyrjes në kohë kanë prangosur shtetasin A. U., 43 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”. Arrestimi i këtij shtetasi u bë, pasi ky shtetas, për motive të dobëta, kanosi dhe kërcënoi për vrasje shtetasen P. R., qiradhënëse e lokalit ku u kap shtetasi i lartpërmendur.  Grupi hetimor ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit pistoletë, e cila është dërguar në laboratorin kriminalistik, për ekzaminime të mëtejshme. Materialet i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kanosja” dhe “Armëmbajtja pa leje”, për të cilën parashikohet dënimi deri në 7 vjet burgim.

Dibër – Vijon puna për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, si dhe për  kapjen dhe arrestimin e autorëve. Zbardhen  2 vjedhje të ndodhura më parë, arrestohet në flagrancë 26-vjeçari. Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, si dhe për kapjen  dhe arrestimin e autorëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, mbi bazën e informacioneve të grumbulluara për një shtetas që dyshohej se kryente vjedhje banesash dhe lokalesh në qytetin e Peshkopisë, kanë organizuar punën duke bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e tij. Si rezultat i punës së mirëorganizuar u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit J. B., 26 vjeç, banues në Dibër. Në vijim të hetimeve, bazuar edhe në provat e grumbulluara, dyshohet se ky shtetas ka vjedhur  orendi shtëpiake në një banesë dhe 15.000 lekë në një dyqan në qytetin e Peshkopisë. Vijon puna edhe për dokumentimin e disa vjedhjeve të tjera që dyshohet se janë kryer nga ky shtetas. Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë Dibër, për veprime të mëtejshme.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 72 shtetas, konkretisht: 11 janë arrestuar, 5 janë ndaluar dhe 56 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 5 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste, në të gjithë territorin, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 10 raste: 3 raste të “Kanosja”, 2 në Tiranë dhe 1 në Vlorë; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Korçë dhe 1 në Fier; 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Korçë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, në Tiranë, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja me dashje, e mbetur në tentativë”, në Vlorë ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 2 raste të dhunës në familje, në Tiranë, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 6 kërkesë-padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 13 raste: 3 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 6 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 8 raste të ndërtimit pa leje, 3 në Tiranë, 2 në Durrës, 1 në Fier, 1 në Vlorë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 2 raste, 1 në Durrës dhe 1 në Vlorë, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Organizimi i lotarive të palejuara”, në Tiranë, ku autori po procedohet ne gjendje të lirë.

Janë proceduar 4 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 4 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 3 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 5 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 4 në Tiranë dhe 1 në Shkodër.

Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, në Tiranë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.