Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 30 Qershor 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Durrës – Hyn me armë në qendër të votimit, kërcënon komisionerët, thyen kutinë e votimit, por arrestohet në flagrancë nga Policia. Policia i sekuestron edhe një armë zjarri kallashnikov. Në datë 30.06.2019, rreth orës 08:55, në Katund Sukth, Durrës, shtetasi Ramiz Bakanaçi 53 vjeç, banues në Katund Sukth, është futur me armë zjarri në QV nr. 1521, dhe pasi ka kërcënuar komisionerët, ka marrë kutinë e votimit duke e nxjerrë jashtë ambienteve të QV dhe ka hedhur materialet zgjedhore. Reagimi në kohë i Policisë bëri të mundur kapjen e këtij personi. Gjatë kontrollit të ushtruar, Policia i gjeti dhe sekuestroi armën e zjarrit automatik model 56, me të cilën autori hyri në qendër votimi. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Durrës për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit “, “Pengimi i subjekteve zgjedhore” dhe “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”. Policia e Shtetit është e vendosur për të garantuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor si dhe për të mbrojtur liritë dhe të drejtat themelore të qytetarëve. Cilido që do të kryejë veprime që cenojnë procesin e votimit dhe liritë e të drejtat e qytetarëve, do të përgjigjet para ligjit.

Burrel – Qëllon me armë zjarri në ajër në orët e vona të natës në aksin rrugor Burrel – Klos, me qëllim krijimin e panikut, por arrestohet në flagrancë nga Policia. Sekuestrohet arma e zjarrit Pistoletë “TT”, me të cilën dyshohet se autori ka qëlluar në ajër. Sekuestrohen 2 gëzhoja pistolete. Shërbimet e Policisë së Matit, pas marrjes së informacionit se në aksin rrugor Burrel – Klos ka të shtëna me armë zjarri, menjëherë kanë organizuar punën dhe falë reagimit në kohë si dhe informacioneve të marra në rrugë operative, kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit F. Ll., 28 vjeç, lindur dhe banues ne fshatin Suc, Bashkia Klos. Arrestimi i tij u bë pasi më datë 29.06.2019, në orët e vona të mbrëmjes, në aksin rrugor Burrel-Klos, në afërsi të fshatit Shoshaj, ka qëlluar dy herë në ajër me armë zjarri. Gjatë kontrollit të banesës, Policia gjeti të fshehur në frigorifer, armën e zjarrit Pistoletë “TT”, që dyshohet se autori ka qëlluar në ajër. Materialet hetimore do t’i referohen Prokurorisë Mat, për hetime të mëtejshme.

 

Kamzë / Tiranë – Gris fletën e votimit, tenton të marrë vulat e komisionit dhe të thyejë kutinë e votimit, arrestohet në flagrancë nga Policia. Arrestohet në flagrancë 66 – vjeçari, për veprën penale “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë nr.5 Kamzë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. Ç., 66 vjeç banues në Kamzë. Arrestimi i tij u bë pasi ky shtetas rreth orës 12:00, është paraqitur pranë QV Nr. 1567 dhe pasi ka marrë fletën e votimit, e ka grisur atë dhe ka tentuar të marrë vulat e QV dhe të thyejë kutinë e votimit. Ndërhyrja në kohë e Policisë bëri të mundur kapjen, shoqërimin dhe arrestimin e shtetasit të mësipërm. Materialet në ngarkim të shtetasit të sipërpërmëndur do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.

 

 

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 85 shtetas, konkretisht: 20 janë arrestuar , 1 është ndalur dhe 64 po procedohen në gjendje të lirë.

Është ndalur 1 shtetas pasi ishte shpallur në këkim, në qarkun Shkodër, i dënuar për veprën penale “ Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas në kërkim, në qarkun Korçë, i dënuar për veprat penale “Tregtimi, transportimi i mallrave kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave”, “Shkelja e të drejtave të pronësisë industrial” dhe “Kontrabandë me mallra të licensuara”.

Në fushën e narkotikëve është evidentuar 1 rast, në qarkun Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 11 raste, konkretisht: 4 raste të “Kanosja” 3 në qarkun Tiranë dhe 1 në Lezhë; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në qarkun Tiranë; 5 raste “Dëmtime të tjera me dashje”, 3 në qarkun Tiranë, 1 në Lezhë, 1 në Kukës, ku të gjithë autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, në qarkun Fier, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, konkretisht: 1 në qarkun Durrës dhe 1 në Elbasan, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 1 në qarkun Vlorë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, si edhe është plotësuar 1 kërkesë – padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 13 raste, konkretisht: 1 në qarkun Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 10 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 13 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, konkretisht: 8 në qarkun Tiranë, 2 në Durrës, 1 në Vlorë, 1 në Elbasan , 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 shtetas që ka kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, i cili po procedohet në gjendje të lirë.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 6 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 11 të lënduar jashtë rrezkut për jetën.

Janë evidentuar 3 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, në qarkun Tiranë, të cilët janë arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 1 në Tiranë dhe 1 në Dibër.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.

Në gjithë territorin vijon operacioni për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që merren me organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.