Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 3 Tetor 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tepelenë – Finalizohet me sukses operacioni “Tenderi”. Operacioni nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare Në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Tepelenë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër. Ndalohen ish-shefi i financës, specialisti i statistikës, ish-juristja dhe ish-specialistja e burimeve njerëzore në Drejtorinë e Shërbimit Spitalor Tepelenë, për veprat penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën” në bashkëpunim, “Vjedhja në bashkëpunim” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”. Pas një pune të pandërprerë disamujore dhe veprimeve procedurale të ndjekura, në bashkëpunim me Prokurorinë u finalizua me sukses operacioni i koduar “Tenderi”, si rezultat i të cilit u dokumentua veprimtaria e kundërligjshme e shtetasve të mëposhtëm, të cilët u ndaluan gjatë operacionit për ekzekutimin e masave të sigurisë të lëshuara nga gjykata dhe konkretisht: G. A., 35 vjeç, banues në Memaliaj (ish-shef finance në Drejtorinë e Shërbimit Spitalor Tepelenë); S. M., 31 vjeç, banues në Memaliaj (specialist statistike në Drejtorinë e Shërbimit Spitalor Tepelenë); A. K., 31 vjeçe, banuese në Tepelenë (ish-juriste në Drejtorinë e Shërbimit Spitalor Tepelenë); J. S., 30 vjeçe, banuese në Tepelenë (ish-specialiste e burimeve njerëzore në Drejtorinë e Shërbimit Spitalor Tepelenë). Si dhe u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për shtetasen F. L., banuese në Selitë, subjekt privat në fushën e “Shërbimeve të konsulencave për ndikimin në mjedis”. Ndalimi i shtetasve të mësipërm u bë pasi në vitin 2017 kanë zhvilluar tender fiktiv për pajisjen e spitalit në Tepelenë dhe Memaliaj me leje mjedisore duke përvetësuar një shumë të konsiderueshme lekësh.

 

Shkodër – Vetëdorëzohet në Polici një prej personave të shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Ndalesa e Fundit”. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Shkodër bënë ekzekutimin e urdhrit të ndalimit, pasi  Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër për shtetasin A. B., 28 vjeç, banues në Fushë-Krujë ka dhënë masën e sigurisë “Arrest në burg”. Ky shtetas, më datë 15.11.2017, gjatë operacionit të finalizuar “Ndalesa e fundit” nga D. V. P. Shkodër, në bashkëpunim me shtetasit K. X., F. H., të cilët janë arrestuar gjatë operacionit, si dhe me E. X. e D. H., të cilët janë shpallur në kërkim, në afërsi të një karburanti në fshatin Grizhë, Malësi e Madhe, iu gjetën dhe sekuestruan në cilesinë e provës materiale rreth 70 kg Cannabis Sativa. Shtetasi A. B. së bashku me shtetasit E. X. dhe  D. H. sapo kanë parë policinë kanë arritur të largohen. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, e kryer në bashkëpunim”.

 

Kukës – Vijon operacioni “Kopshti i Skacajve”. Operacioni nga Drejtoria Vendore e Policisë Kukës në bashkëpunim me SHÇBA-në dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kukës. Arrestohen në flagrancë 4 shtetas. Sekuestrohen drogë, armë zjarri e municione luftarake. Strukturat e DVP Kukës, në bashkëpunim me SHÇBA-në dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kukës, në vijim të operacionit të koduar “Kopshti i Skacajve”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit dhe trafikimit të narkotikëve arrestuan në flagrancë 4 shtetas, konkretisht: A. H., 33 vjeç, R. T., 23 vjeç, banues në Pukë, K. M., 25 vjeçe dhe F. M., 19 vjeç, banues në Shemri, Kukës. Në bazë të hetimeve të kryera rezultoi se këta shtetas do të këmbenin një sasi lënde narkotike, armatim dhe municion luftarak. Shërbimet e Policisë të DVP Kukës kanë ndërhyrë në vendin e quajtur “Qafë-Shllak” dhe kanë bërë të mundur ndalimin e këtyre shtetasve, të cilët lëviznin me mjetet tip “Benz” dhe “Opel”. Gjatë kontrollit të ushtruar nga policia, në automjetet e tyre u konstatuan dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 3 kg lëndë narkotike, 2 armë tip automatik, si dhe rreth 900 fishekë. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

 

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 89 shtetas, konkretisht: 22 janë arrestuar, 9 janë ndalur dhe 58 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 12 raste, në të gjithë territorin, me 5 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 8 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 15 raste, konkretisht: 3 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë dhe 2 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 6 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 2 në Tiranë, 1 në Dibër, 2 në Korçë dhe 1 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 5 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 3 në Tiranë, 1 në Dibër dhe 1 në Lezhë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 8 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, në qarkun Dibër, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 3 raste të dhunës në familje, konkretisht: 1 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 11 kërkesë – padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 9 raste, 1 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 6 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, 3 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 6 raste aksidentesh, me 6 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar 4 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 3 në Tiranë dhe 1 në Fier.

Janë evidentuar dhe proceduar 9 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 1 në Tiranë, 1 në Durrës, 3 në Elbasan, 2 në Lezhë, 1 në Korçë dhe 1 në Shkodër.

Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.