Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 3 shkurt 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Berat – Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim. Kapet dhe ndalohet një shtetas i shpallur në kërkim për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”. Nga specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Berat, në vijim të punës për kapjen dhe ndalimin e personave të shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim B. C., 42 vjeç, banues në Drenovë, Poliçan. Kapja dhe ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata e Shkallës së Parë Berat e ka dënuar atë me 1 vit burgim, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.

Elbasan – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Përsëritësi”, për zbardhjen e rasteve të vjedhjeve të ndodhura në qarkun e Elbasanit. Arrestohet në flagrancë një 39-vjeçar, i cili ishte kthyer në shqetësim për qytetarët. Zbardhen dhe 4 vjedhje të kryera nga ky shtetas. Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e rasteve të ndodhura më parë, identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan organizuan dhe finalizuan operacion policor të koduar “Përsëritësi”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi F. Z., 39 vjeç, banues në Elbasan. Arrestimi i tij u bë pasi ditën e djeshme, në lagjen “5 Maji”, Elbasan, i ka vjedhur portofolin shtetases A. D. Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se ky shtetas është autor dhe i 4 vjedhjeve të tjera të ndodhura në qytetin e Elbasanit, konkretisht: Më datë 01.02.2021 dyshohet se i ka vjedhur një aparatin celular shtetases V. B.; Më datë 29.01.2021 dyshohet se i ka vjedhur portofolin shtetases L. D.; Më datë 28.01.2021 dyshohet se i ka vjedhur portofolin shtetases M. T.; Më datë 18.12.2020 dyshohet se i ka vjedhur çantën shtetases B. Ll. Vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që dyshohen se janë kryer ky shtetas. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Gjirokastër – Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim. Kapen dhe ndalohen 2 shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Gjirokastër, në vijim të punës për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të shpallur në kërkim, bënë të mundur kapjen e shtetasit E. Sh., 46 vjeç, banues në Gjirokastër, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, me vendimin e datës 05.12.2020, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”. Shtetasi E. Sh. iu dorëzua shërbimeve të DVP Elbasan, për veprime të mëtejshme. Gjithashtu, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve bënë ekzekutimin e urdhrit të ndalimit për shtetasin L. R., 35 vjeç, banues në Fushë Krujë, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, me vendimin e datës 16.01.2021, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Shkodër – Finalizohet operacioni policor i koduar “Vukpalaj”. U kap duke transportuar emigrantë të paligjshëm, arrestohet në flagrancë drejtuesi i mjetit. Nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Shkodër, pas një pune të mirorganizuar u finalizua operacioni i koduar “Vukpalaj”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi F. B., 26 vjeç, banues në fshatin Vrakë, Malësi e Madhe. Ky shtetas u kap në flagrancë në aksin rrugor Shkodër – Hani Hotit, në vendin e quajtur Vukpalaj, Malësi e Madhe, duke transportuar me një automjet, 7 shtetas të huaj, emigrantë të paligjshëm, të cilët dyshohet se po i transportonte në afërsi të kufirit me Malin të Zi, me destinacion final vendet e BE-së. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”.

Shkodër – Arrestohen në flagrancë 2 shtetas, për veprën penale “Dhuna në familje”. Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në vijim të punës për parandalimin e përshkallëzimit të dhunës në familje, janë arrestuar në flagrancë shtetasit: P. B., 43 vjeç, banues në fshatin Bleran, Shkodër, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij; E. Gj. 44 vjeç, banues në Shkodër, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, në prezencë të fëmijëve të mitur. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Kapet dhe ndalohet një shtetas i shpallur në kërkim. Arrestohen në flagrancë edhe 2 drejtues mjetesh. Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë penale, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit E. Q., 44 vjeç, të cilin Gjykata e Shkallës Parë Tiranë e ka dënuar me 2 vite burg, për veprën penale “Vjedhja”. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve Ë. H., 24 vjeç dhe A. P.,  27 vjeç, pasi u kapën në flagrancë duke drejtuar mjetet pa lejen përkatëse. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për shtetasin e shpallur në kërkim S. O., 32 vjeç, sepse në muajin nëntor 2020, në anë të mashtrimit i ka marrë një shumë parash shtetasit K. H. Punohet për kapjen e tij. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Krujë/Informacion paraprak – Më datë 02.02.2021 në orën 16:45, në rrugën “Dum Kulla”, shtetasi K. C., 58 vjeç, banues në Kamzë, duke punuar në një shtyllë elektrike, ka rënë në kontakt me energjinë elektrike dhe për pasojë ka ndërruar jetë. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave.

Vlorë – Arrestohen në flagrancë 2 shtetas, procedohet penalisht 1 tjetër. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë kanë arrestuar në flagrancë shtetasen R. H., 25 vjeçe dhe kanë proceduar penalisht shtetasen A. M., 36 vjeçe, për veprën penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, pasi në bashkëpunim me njëra-tjetrën, kanë vjedhur artikuj të ndryshëm në një supermarketin ku ishin të punësuara, në Sarandë. Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. Xh., 44 vjeç, pasi u konstatua duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Pogradec/Informacion paraprak – Mëngjesin e sotëm, në fshatin Tushemisht, Pogradec, është gjetur pa shenja jete në banesën e tij, shtetasi amerikan N. H., 62 vjeç. Nga këqyrja paraprake e trupit nuk janë konstatuar shenja dhune dhe dyshohet se ky shtetas mund të ketë gjetur vdekjen nga shkaqe natyrale, pasi ka patur probleme të mëparshme shëndetësore. Po punohet për të përcaktuar shkakun e vdekjes dhe për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 70 shtetas, konkretisht: 4 janë ndaluar, 22 janë arrestuar dhe 44 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 4 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste, me 12 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 7 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 4 raste: 3 raste të “Kanosja”, 1 në Vlorë dhe 2 në Lezhë, si dhe 1 rast “Plagosja e lehtë me dashje”, në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të dhunës në familje, 3 në Tiranë dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 në Shkodër, ku autorët janë arrestuar në flagrancë. Janë plotësuar 13 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 11 raste: 2 në Durrës, ku autorët po procedohen  në gjendje të lirë; 1 në Elbasan, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe 8 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 2 raste, në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të “Mashtrimi”, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 2 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, në Elbasan, me 1 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 që po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Vetëgjyqësia”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, në Shkodër, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Trafikimi i mjeteve motorike”, në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është proceduar penalisht 1 shtetas, në Tiranë, për veprën penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.

Është evidentuar 1 rast i “Organizmi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, në Korçë, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në të gjithë territorin e vendit kanë ndodhur 4 raste aksidentesh, me 4 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar 3 shtetas që drejtonin mjetet në gjendej të dehur, 1 në Durrës, 1 në Vlorë dhe 1 në Tiranë.

Janë evidentuar dhe arrestuar 2 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 1 në Tiranë dhe 1 në Lezhë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.