Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 29 tetor 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Lezhë – Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Finalizohet operacioni i koduar “Kreshta 2”. Transportonte lëndë narkotike, kundërshtoi punonjësit e Policisë për t’iu shmangur kontrollit, por u vu në pranga. Sekuestrohet lëndë narkotike cannabis sativa në një automjet. Vihet në pranga 1 shtetas. Në vijim të punës së pandërprerë për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe vendosjen e autorëve para përgjegjësisë penale, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, pas informacioneve të marra në rrugë operative dhe në bashkëpunim me qytetaret, ka zhvilluar dhe finalizuar operacionin policor antidrogë të koduar “Kreshta 2”. Në kuadër të këtij operacioni, u bë bllokimi i një automjeti tip Benz në vendin e quajtur “Rruga e Kallmetit”, Lezhë, i cili dyshohej se transportonte lëndë narkotike. Në momentin e ndalimit, drejtuesi i automjetit ka kundërshtuar punonjësit e Policisë me qëllim shmangien e kontrollit të automjetit, por është neutralizuar dhe Policia ka kryer kontrollin e automjetit. Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë automjet, në pjesën e sendiljes se prapme është gjetur dhe sekuestruar një sasi lënde narkotike prej 2.3 kg, e dyshuar cannabis sativa. Në vijim të veprimeve proceduarale, Policia ka arrestuar në flagrancë drejtuesin e mjetit, shtetasin Xh. F., 22 vjeç, banues në Lezhë, si autor të veprave penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”. Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë për veprime të mëtejshme.

Vlorë – Policia ka finalizuar operacionin antidrogë të koduar “Ferma”. Sekuestrohen 12.4 kg cannabis sativa, vihet në pranga poseduesi. Gjatë operacionit kapet dhe ndalohet edhe një person i shpallur në kërkim për trafikim të narkotikëve. Policia e Vlorës në vijim të punës së pandërprerë për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve ka zhvilluar dhe finalizuar operacionin e koduar “Ferma”, në zonën e Fermës, në afërsi të fshatit Llakatund të Vlorës. Në kuadër të këtij operacioni, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative falë edhe bashkëpunimit të ngushtë me qytetarët, ka bërë kapjen dhe arrestimin e 24-vjeçarit R. R. Nga kontrolli i ushtruar në banesë, Policia ka gjetur dhe sekuestruar 12.4 kg lëndë narkotike, e dyshuar si cannabis sativa. Materialet iu referuan Prokurorisë, në ngarkim të tij, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Gjithashtu, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, Policia ka ndaluar shtetasin E. I., 45 vjeç, banues në Vlorë. Ndalimi i tij u bë pasi ky shtetas me vendim të formës së prerë është dënuar me 1 vit e 1 muaj burgim për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim.

Durrës – Arrestohen në flagrancë 2 shtetas për vepra të ndryshme penale. Arrestohet një 19-vjeçar për veprën penale “Mbajtja, blerja apo shitja e armëve të ftohta” dhe një 31-vjeçar për “Drejtimi i automjeteve në menyrë të parregullt”. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës u arrestua në flagrancë shtetasi M. L., 19 vjeç, banues në Durrës. Pas një telefonate në numrin 112 për një konflikt ndërmjet dy grupe të rinjsh në lagjen Nr. 14 Durrës, shërbimet e Policisë janë afruar menjeherë me qëllim marrjen e masave për neutralizimin e situatës. Gjatë kontrollit fizik të njërit prej autorëve, shtetasit M.L. i është gjetur dhe sekuestruar një dorezë hekuri (përforcues grushti) pa leje. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit B. B., 31 vjeç, banues në Durrës, pasi u kap nga shërbimet e Policisë Rrugore në rrugën “Adria” duke drejtuar motorrin tip Lifan pa leje drejtimi. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme.

 

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 58 shtetas, konkretisht: 13 janë arrestuar, 2 janë ndalur dhe 43 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste, në të gjithë territorin, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 3 raste, konkretisht: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Durrës, 1 në Dibër dhe 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në qarkun Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i dhunës në familje, në qarkun Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 7 kërkesë – padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 13 raste, konkretisht: 2 në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 1 në Shkodër, ku autori është arrestuar në flagrancë, si edhe 10 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, 2 në Tiranë, 1 në Vlorë dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 2 raste, në qarkun Tiranë, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 8 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 8 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar në flagrancë 3 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 2 në Tiranë dhe 1 në Elbasan.

Janë evidentuar dhe arrestuar 4 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 1 në Durrës, 1 në Elbasan, 1 në Korçë dhe 1 në Berat.

Janë evidentuar dhe proceduar 6 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

 

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.