Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Qafë Thanë – Policia Kufitare, masa të shtuara për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Vihet në pranga 1 shtetas indian, pasi tentoi të dilte nga Shqipëria me pasaportë të dyshuar si të falsifikuar. Procedohet penalisht edhe 1 shtetas polak të cilit iu gjet në mjet, 1 armë gjuetie pa lejen përkatëse. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e aktivitetit të kundërligjshëm në drejtim të falsifikimit dhe përdorimit të dokumenteve të falsifikuara, kalimit të paligjshëm të kufirit apo armëmbajtjes pa leje, shërbimet e Policisë Kufitare të Qafë Thanës në dalje të Republikës së Shqipërisë, kanë goditur dy raste të paligjshmërisë, konkretisht: Gjatë verifikimit të dokumentacionit të shtetasit indian S. E., 28 vjeç, rezultoi se ky shtetas ishte paraqitur me një pasaportë të dyshuar si të falsifikuar, e cila i ishte vjedhur një shtetasi tjetër indian. Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “Toyota” të shtetasit polak M. M., 52 vjeç, iu gjet një armë gjahu tip pushkë (pneumatike) pa lejen përkatëse, e cila iu bllokua në cilësinë e provës materiale. Veprimet e mëtejshme procedurale në lidhje me këto raste, u kryen nga specialistët për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, të cilët bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit S. E., si edhe filluan procedimin penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit M. M. Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprime të mëtejshme.
Krujë – Vijon puna për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Sekuestrohen rreth 12 kg lëndë narkotike cannabis sativa. Vihet në pranga poseduesi i lëndës narkotike. Shërbimet e Policisë Krujë, në vijim të kontrolleve të ushtruara në territor, banesa dhe ambiente të ndryshme, evidentuan dhe goditën një tjetër rast të veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, në vijim të veprimeve arrestuan në flagrancë shtetasin L. M., 59 vjeç, banues në Thumanë, Krujë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në një magazinë në oborrin e banesës së tij, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 12 kg lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Durrës – Evidentohen dhe goditen 2 raste të zhvillimit të aktivitetit të kundërligjshëm të lojërave të fatit. Arrestohen në flagrancë 2 pronarë subjektesh që ushtronin këtë aktivitet. Shërbimet e Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si rezultat i kontrolleve të shtuara në lokale dhe ambiente të ndryshme në qytetin Durrësit, në zbatim të Planit të Masave, kanë evidentuar dy raste të zhvillimit të aktivitetit të kundërligjshëm të lojërave të fatit. Në vijim të veprimeve u arrestuan në flagrancë shtetasit E. P., 23 vjeç dhe Sh. D., 39 vjeç, të dy banues në Durrës, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë në subjektet e tyre bar kafe, në lagjen nr. 17, Durrës, u konstatua se ushtronin aktivitet të paligjshëm të lojërave (basteve) sportive nëpërmjet telefonit, duke fshehur të ardhurat. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Organizmi i lojërave të palejuara”. Kontrollet kundër aktivitetit të lojërave të fatit do të vijojnë në të gjithë qarkun e Durrësit dhe në këtë kuadër DVP Durrës fton cilindo të denoncojë në numrin 112 ose përmes aplikacionit “Komisariati Dixhital”, çdo veprimtari të tillë të kundërligjshme, duke iu siguruar anonimatin dhe reagim të paanshëm kundrejt shkelësve të ligjit.
Elbasan – Finalizohet operacioni policor i koduar “Bradasheshi”. Parandalohet dhe goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit. Operacioni nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Elbasan, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Elbasan. Vihet në pranga një 22-vjeçar që u kap në flagrancë duke transportuar 13 shtetas të huaj nga vendet e treta. Në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e masave të hartuar nga DVP Elbasan, për të parandaluar dhe goditur aktivitetin e paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Elbasan, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, pas informacioneve të marra në rrugë operative se ky shtetas transportonte disa shtetas nga vendet e treta, me qëllim dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, organizuan punën dhe finalizuan operacion policor të koduar “Bradasheshi”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit A. D., 22 vjeç, banues në Durrës. Arrestimi i tij u bë pasi në aksin rrugor Elbasan-Peqin, në fshatin Bradashesh, Elbasan, u kap nga shërbimet e Policisë duke transportuar me një mjet të marrë me qira, 13 shtetas sirianë, për të kaluar kufirin, me destinacion vendet e BE-së. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua mjeti dhe dy aparate celular. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme procedurale.
Fier – Finalizohet operacioni antidrogë i koduar “Zhupani”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike. Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier. Sekuestrohen 3 kg cannabis sativa të bëra gati për shitje. Arrestohet në flagrancë poseduesi i lëndës narkotike. Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë në fushën e narkotikëve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative dhe falë veprimeve të shpejta operacionale, organizuan dhe finalizuan operacionin antidrogë të koduar “Zhupani”, gjatë të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit B. S., 28 vjeç, banues në Zhupan, Fier. Gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3 kg lëndë narkotike cannabis sativa të bëra gati për shitje. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Tiranë – Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Finalizohet operacioni i koduar “Location”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë. U kap duke transportuar emigrantë të paligjshëm, arrestohet në flagrancë 45-vjeçari me precedent të mëparshëm penal. Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme të veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandimit të emigrantëve nga vendet e treta, drejt vendeve të BE-së, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme në DVP Tiranë organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Location”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit S. N., 45 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprat penale “Kanosja” dhe “Armëmbajtja pa leje”. Shtetasi S. N., në bashkëpunim me persona të tjerë ende të paidentifikuar (dyshohen shtetas të huaj), dyshohet se kundrejt shpërblimit monetar, ka marrë në mjetin e tij privat, 17 emigrantë të paligjshëm, të cilëve iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 70 shtetas, konkretisht: 13 janë arrestuar, 4 janë ndaluar dhe 53 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 4 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 14 raste: 3 raste të “Kanosja”, 1 në Durrës, 1 në Elbasan dhe 1 në Shkodër; 5 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 3 në Tiranë, 1 në Fier dhe 1 në Dibër; 6 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 3 në Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Korçë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 5 raste të dhunës në familje, 3 në Tiranë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë, 1 në Berat, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe 1 në Lezhë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë. Janë plotësuar 11 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 8 raste, 2 në Vlorë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë dhe 6 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 3 raste të ndërtimit pa leje, 2 në Tiranë dhe 1 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Korçë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 4 raste të falsifikimit të dokumenteve, 2 në Tiranë, 1 në Fier dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të mashtrimit, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të “Prerja e paligjshme e pyjeve”, 1 në Tiranë, 1 në Lezhë dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohet në gjendje të lirë .
Janë evidentuar 2 raste të organizmit të lotarive të palejuara, në Durrës, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.
Në të gjithë vendin janë evidentuar 8 raste aksidentesh, me 13 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe arrestuar 2 shtetas që drejtonin mjetet ne gjendje të dehur, 1 në Tiranë dhe 1 në Elbasan.
Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, në Korçë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.