Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 29 prill 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Skrapar – Ndërhyrja e Reneas vë në pranga personin që qëlloi me armë në ajër dhe më pas Policinë. Sekuestrohet arma e zjarrit kallashnikov dhe një sasi municioni luftarak. Rreth orës 01:00 të datës 29.04.2020, forcat speciale “Renea” kanë vënë në pranga shtetasin H. H., 57 vjeç, banues në lagjen ”5 Shtatori”, Skrapar. Ky shtetas, në orët e mbrëmjes së djeshme, në katin e parë të një pallati, ka qëlluar në ajër me armë zjarri dhe më pas kur ka parë shërbimet e Policisë ka qëlluar edhe në drejtim të tyre. Më vonë, ky shtetas u fut në banesë dhe nuk iu përgjigj thirrjeve të Policisë për t’u dorëzuar. Shërbimet e Policisë morën masa sigurie dhe rrethuan pallatin. Në ndihmë të Policisë vendore shkuan shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat dhe më pas forcat speciale “Renea”. Pas ndërhyrjes së forcave speciale “Renea” u bë e mundur vënia në pranga e 57-vjeçarit dhe u sekuestrua edhe arma kallashnikov, bashkë me një sasi municioni. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Bulqizë – Kundërshtuan dhe penguan me forcë gjatë kryerjes së detyrës, punonjësit e Policisë Rrugore, arrestohen në flagrancë 3 shtetas. Shërbimet e Policisë Rrugore të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, në vijim të punës për parandalimin e aksidenteve rrugore, ndëshkimin e personave që qarkullojnë pa leje drejtimi apo pa dokumentacionin përkatës, si dhe në kuadër të monitorimit për zbatimin e masave kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, gjatë kontrolleve të shtuara në terren për këtë qëllim, në vendin e quajtur “Kthesa e Boçevës”, kanë konstatuar dhe i kanë bërë shenjë ndalimi një automjeti  me drejtues shtetasin A. T. Punonjësit e Policisë Rrugore i kanë kërkuar drejtuesit të mjetit që t’u tregonte dokumentacionin e mjetit, por drejtuesi i mjetit, shtetasi A. T., nuk e kishte me vete lejen e drejtimit. Ndodhur në këto kushte, punonjësit e Policisë Rrugore i kanë marrë dokumentacionin tjetër të mjetit dhe i kanë kërkuar shtetasit A. T. që mëngjesin e datës 29 prill,  të paraqiste te Policia Rrugore lejen e drejtimit, me qëllim tërheqjen e dokumentacionit të mjetit. Shtetasi A. T., i ndihmuar nga vëllai i tij F. T. dhe pasagjeri që ndodhej në mjet E. D, i kanë kundërshtuar me forcë punonjësit e Policisë, duke tentuar t’u marrin dokumentacionin e mjetit. Punonjësit e Policisë i kanë shoqëruar forcërisht në komisariat dy vëllezërit, ndërsa shtetasi E. D, arriti të largohej së bashku me automjetin, por u kap dhe u shoqërua në komisariat në orët e vona të mbrëmjes datë 28.04.2020. Në përfundim të veprimeve hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve A. T., 23 vjeç dhe F. T., 28 vjeç (vëllezër) dhe E. D., 22 vjeç, banues në Shupenzë, Bulqizë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër, për veprën penale  “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Shkodër – Dokumentohet ngjarja e ndodhur dje, më datë 28.04.2020, ku mbeti i plagosur shtetasi G. B., 50 vjeç. Vihet në pranga autori i kësaj ngjarjeje, shtetasi H. I., i cili pas një konflikti për motive pronësie plagosi me pistoletë 50-vjeçarin. Autori, me precedent penal të mëparshëm në fushën e krimeve  të rënda ndaj personit. Vijon kontrolli dhe priten polumbarët, pasi dyshohet se autori e ka hedhur në lumin Buna armën e krimit. Falë reagimit në kohë të strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në lidhje me një konflikt që po ndodhte te Ura e Bunës dhe për pasojë ishte plagosur një shtetas, u bë e mundur  që në kohë rekord të kapej dhe të shoqërohej në Polici autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje. Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Shkodër bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit H. I., alias B. I., 59 vjeç, banues në Shkodër, pasi ky shtetas, për motive pronësie, plagosi me armë zjarri shtetasin G. B, 50 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Vijon puna për gjetjen e armës, pasi dyshohet se autori, pas plagosjes, mund ta ketë hedhur armën  në lumin Buna. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale “Vrasja me paramendim, e mbetur në tentativë”.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 57 shtetas, konkretisht: 13 janë arrestuar, 3 janë ndaluar dhe 41 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 8 raste: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Elbasan dhe 1 në Vlorë; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Korçë, 1 në Vlorë dhe 1 në Gjirokastër; 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Elbasan, 1 në Lezhë dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të dhunës në familje, 2 në Elbasan dhe 1 në Korçë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë, 1 në Dibër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 8 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 6 raste, 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 5 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 2 raste të “Pushtim toke”, 1 në Durrës dhe 1 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të ndërtimit pa leje, 5 në Tiranë dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar dhe arrestuar 1 drejtues mjeti që drejtonte mjetin në gjendje të dehur, në Tiranë.

Janë evidentuar dhe proceduar 2 drejtues mjetesh që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 1 në Fier dhe 1 në Vlorë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.