Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 29 dhjetor 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Kakavije, Gjirokastër – Intensifikohen kontrollet në kufirin e gjelbër, me qëllim parandalimin dhe goditjen e trafiqeve të paligjshme. Policia Kufitare e Kakavijes, Frontex dhe specialistët e Narkotikëve në DVP Gjirokastër kapin drogë dhe lëndë eksplozive në kufirin e gjelbër. Sekuestrohen 44 kilogramë e 500 gramë kanabis, 4 kallëpë me lëndë plasëse C4, kapsolla detonatore dhe fitil zjarrpërcjellës. Vijon krehja e zonës, për kapjen e autorëve, të cilët mundën të largohen duke përfituar edhe nga moti i keq me shi dhe mjegull.   Në zbatim të planit të masave për shtimin e kontrolleve në pikat e kalimit kufitar dhe në kufirin e gjelbër, me qëllim parandalimin e trafive të paligjshme, shërbimet e Policisë Kufitare të Kakavijes, në bashkëpunim me Frontex-in dhe specialistët e Narkotikëve në DVP Gjirokastër, bazuar edhe në informacionet e marra nga Policia Kufitare, se tre shtetas po transportonin lëndë narkotike në drejtim të shtetit grek, kanë koordinuar veprimet, duke krehur zonën në një perimetër të gjerë. Si rezultat i kontrolleve të përbashkëta, në pyllin midis fshatit Kakavijë dhe fshatit Dritë,  shërbimet e Policisë kanë parë nëpërmjet dylbive, tre shtetas që po transportonin dy çanta në të cilat dyshohej se kishte lëndë narkotike. Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të këtyre shtetasve, të cilët sapo kanë diktuar se po i ndiqte Policia, kanë braktisur çantat dhe duke përfituar edhe nga moti i keq me shi e mjegull  janë larguar me shpejtësi në thellësi të pyllit. Shërbimet e Policisë kanë lajmëruar menjëherë shërbimet homologe greke dhe vijon krehja e zonës në një perimetër të gjerë, për të bërë të mundur kapjen e tyre. Grupi hetimor, gjatë kontrollit në çanta, gjeti 42 pako të mbështjella me qese plastike, në brendësi të të cilave kishte lëndë të dyshuar narkotike cannabis sattiva, me peshë totale 44.5 kg, 4 kallëpë me lëndë plasëse të llojit C4, kapsolla detonatore dhe fitil zjarrpërcjellës, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.  Strukturat hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, vijojnë punën  për identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Tiranë – Finalizohet operacioni i koduar “Baldushku”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Operacioni i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë. Vihet në pranga 1 shtetas, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij. Sekuestrohen 2 kg e 200 gramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, një automjet, një dorezë metalike (përforcues grushti), një aparat celular, doreza plastike dhe maska. Specialistët e Sektorit të Hetimit të Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, pas një pune të mirëfilltë hetimore disajavore organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Baldushku”. Në kuadër të operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit N. S., 25 vjeç, banues në Baldushk, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim, si dhe u bë shpallja në kërkim e bashkëpunëtorit të tij, shtetasit I. Sh., 39 vjeç, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi kultivonin bimë narkotike në zona malore në fshatin Baldushk, e përpunonin dhe e shisnin lëndën narkotike te blerës të ndryshëm, kundrejt pagesës 700 euro një kilogram. Në zonën e Baldushkut, shërbimet e Policisë, kanë lokalizuar dhe më pas arrestuar në flagrancë shtetasin N. S., 25 vjeç, të cilit gjatë kontrollit të automjetit iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale 2 kg e 200 gramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa.    Në vijim të kontrollit, në banesën e shtetasit I. Sh., shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar një dorezë metalike (përforcues grushti), doreza plastike dhe maska. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 61 shtetas, konkretisht: 5 janë ndaluar, 19 janë arrestuar në flagrancë dhe 37 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 5 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 11 raste, me 4 të arrestuar në flagrancë dhe 8 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 10 raste: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë dhe 1 në Durrës, 6 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë dhe 3 në Durrës, 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Durrës dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 10 raste, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 13 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 9 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 4 raste të ndërtimit pa leje, me 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për mbajtje pa leje të armëve të ftohta, në Tiranë.

Në Durrës është proceduar penalisht 1 shtetas për “Përdorimi me keqdashje i thirrjve telefonike” dhe 1 tjetër, për veprën penale “Fyerja”.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 3 aksidente, me 1 viktimë dhe 3 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas, për “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Janë arrestuar në flagrancë 6 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë proceduar penalisht 2 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.