Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 28 dhjetor 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tiranë – Vihen në pranga 5 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit M. H., 30 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3 bënë ndalimin e shtetasit A. B., 24 vjeç, për veprën penale “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”, pasi ka blerë një motomjet të vjedhur.  Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit I. M., 65 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj shtetasit E. K. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kavajë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. B., 19 vjeç, pasi duke drejtuar mjetin, pa leje drejtimi, nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë, për të ndaluar. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. M., 45 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin, në gjendje të dehur. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Lezhë – Specialistët e Njësisë Operacionale të Autostradës Milot-Morinë bënë arrestimin në Spitalin e Traumës Tiranë, të shtetasit A. M., 26 vjeç, banues në Tropojë, për vepren penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor “.  Ky shtetas, duke drejtuar automjetin tip “Benz”, në aksin rrugor Milot-Morinë, është përplasur me automjetin tip “Opel” me drejtues shtetasin Sh. P., i cili ka humbur jetën së bashku me fëmijën e mitur, ndërsa bashkëshortja e tij ka marrë dëmtime të rënda dhe ndodhet në spital. Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.

Rinas – Policia Kufitare e Rinasit vë në pranga një shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e zbatimit të ligjit të  Holandës. Shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit, si rezultat i shtimit të kontrollit për verifikimin e dokumentacionit të qytetarëve në hyrje dhe në dalje, me qëllim kapjen e personave në kërkim, falë edhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, ndaluan shtetasin M. A., 22 vjeç, banues në Belgjikë. Ky shtetas u kap në hyrje të Republikës së Shqipërisë dhe u arrestua me qëllim ekstradimi, pasi gjatë përpunimit të dokumentacionit dhe shkëmbimit  të informacionit me Interpol Tiranën, rezultoi se ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Holanda, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, “Vjedhja me dhunë”, “Pastrim parash” dhe “Shkatërrimi i pronës”, parashikuar nga Kodi Penal i Holandës. Personi në kërkim ndërkombëtar u dërgua në ambientet e paraburgimit të DVP Tiranë, në dispozicion të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Dibër – Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Dibër u bë shpallja në kërkim policor dhe po punohet për kapjen e shtetasve R. S.(T), 35 vjeç dhe A. C., 28 vjeç, banues në Dibër, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në qytetin e Peshkopisë, për motive të dobëta kanë goditur me grusht dhe kanë kanosur shtetasin A. T., 28 vjeç. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 29 shtetas, konkretisht: 2 janë ndaluar, 9 janë arrestuar në flagrancë dhe 18 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 5 raste: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë dhe 1 në Shkodër; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, në Tiranë dhe 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja”, në Tiranë, ku po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve”.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 5 raste, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 7 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 8 raste, 4 raste me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 4 për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 2 raste të ndërtimit pa leje, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në Tiranë është proceduar penalisht 1 shtetas, për “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”.

Në Berat është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 5 aksidente, me 2 viktima dhe 5 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë arrestuar në flagrancë 3 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë proceduar penalisht 2 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.