Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 25 nëntor 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tepelenë  – Njoftoi Policinë, duke pretenduar se i kishin vjedhur një shumë parash në banesë, por rezultoi se kishte bërë kallëzim të rremë, arrestohet në flagrancë 42-vjeçari.  Gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën një sasi e vogël lënde narkotike cannabis sativa dhe 219 fishekë. Specialistët e Seksionit të Hetimit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Tepelenë arrestuan në flagrancë shtetasin A. S., 42 vjeç, banues në fshatin Nivicë, Tepelenë.  Ky shtetas u arrestua pasi ka njoftuar shërbimet e Policisë, duke pretenduar se i kishin vjedhur një shumë parash në banesë, por nga veprimet hetimore rezultoi se ai kishte bërë deklarim të rremë para punonjësve të Policisë. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi e vogël lënde narkotike cannabis sativa dhe 219 fishekë model 56. Materialet në ngarkim të shtetasit A. S. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale “Kallëzim i rremë”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

Durrës – Goditet një rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza, arrestohet në flagrancë 1 shtetas. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në DVP Durrës arrestuan në flagrancë për veprën penale “Prodhim dhe shitja e lëndëve narkotike”, shtetasin: O. Sh., 46 vjeç, banues në Durrës, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjetën dhe iu sekuestruan doza më lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa. Materialet kaluan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Durrës – Më datë 24.11.2021, rreth orës 20:00 , në Komisariatin e Policisë Durrës , ka bërë kallzim shtetasi I.C, se  është larguar nga banesa, motra e tij shtetasja A.C, 26 vjeçe, banuese në lagjen nr 13 Durrës.  Po punohet nga ana e shërbimeve të Policisë  për gjetjen e saj.  Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për vlerësim.

DVP Gjirokastër – Specialistët e Seksionit të Hetimit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Gjirokastër referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për shtetasin K. M., 21 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi ka bërë kallëzim një shtetase e mitur, 15 vjeçe, se është ndjekur disa herë në rrugë nga ky shtetas. Materialet në ngarkim të shtetasit të mësipërm i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 75 shtetas, konkretisht: 3 janë ndaluar, 21 janë arrestuar në flagrancë dhe 51 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste, me 2 autorë të arrestuar dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 6 raste:  2 raste të “Kanosja”, në Tiranë; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në Tiranë; 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Korcë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 4 raste, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë. Janë plotësuar 7 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 8 raste raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 9 raste të ndërtimit pa leje, me 9 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, me 11 autorë  të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Mashtrimi”, në Tiranë.

Janë proceduar penalisht 4 shtetas, për veprën penale “Shkatërrim prone”, në Tiranë.

Janë proceduar 3 shtetas, për veprën penale “Vetëgjyqësia”, 1 në Tiranë, 1 në Vlorë dhe Kukës.

Në Shkodër janë proceduar 2 shtetas, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”.

Janë proceduar 3 shtetas, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 5 raste aksidentesh, me 6 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë arrestuar në flagrancë 4 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.