Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 24 shkurt 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Fier – Një tjetër person në kërkim kombëtar bie në prangat e Policisë së Fierit. Kapet dhe vihet në pranga një 53-vjeçar i dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda Tiranë, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve. Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, në bashkëpunim me shërbimet e Njësisë Operacionale në DVP Fier, pas informacioneve të marra në rrugë policore për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, organizuan punën dhe bënë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit Gentian Guda, 53 vjeç, banues në Vlorë. Ky shtetas është dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë me 10 vjet burgim, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe me vendimin e datës 29.09.2021 të Gjykatës së Apelit Vlorë, i kanë mbetur për të kryer edhe 2.4 vjet burgim. Në vitin 2015, shtetasi Gentian Guda është kapur në portin e Vlorës, duke tentuar të trafikojë një sasi lëndë narkotike marijuanë në shtetin italian. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Qafë Botë, Sarandë/Policia Kufitare parandalon dhe godet një rast të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike. Finalizohet operacioni policor i koduar “Border”. Operacioni nga Policia Kufitare e Qafë Botës, në bashkëpunim me Seksionin e Narkotikëve në Komisariatin e Policisë Sarandë dhe autoritetet doganore të Qafë Botës. Tentoi të trafikonte një sasi të konsiderueshme lënde narkotike cannabis sativa, drejt Greqisë, vihet në pranga 45-vjeçari nga Fieri. Sekuestrohen 80 kilogramë kanabis dhe një automjet (kamionçinë). Në zbatim të planit të masave për shtimin e kontrolleve, me qëllim parandalimin dhe goditjen e tentativave për trafikim të lëndëve narkotike drejt Greqisë, shërbimet e Policisë Kufitare të Qafë Botës, bazuar në analizën e riskut dhe informacionet e marra në rrugë operative, se një shtetas mund të transportonte një sasi të madhe lënde narkotike drejt Greqisë, kanë kaluar për kontroll të imtësishëm në vijën e dytë, automjetin tip kamionçinë që drejtohej nga shtetasi  A. A., 45 vjeç, banues në Fier. Si rezultat i kontrollit të imtësishëm dhe të përbashkët të strukturave që operojnë në pikën e kalimit kufitar Qafë Botë, u bë e mundur që në brendësi të kamionçinës të gjendeshin të fshehura 74 pako me lëndë narkotike kanabis (me peshë 80 kilogramë), të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin tip kamionçinë.   Drejtuesi i automjetit, shtetasi A. A. është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Sarandë dhe në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve është bërë arrestimi në flagrancë i tij, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”. Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Sarandë, vijon puna hetimore për  identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal.

Tiranë – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Selita”, për goditjen e shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla. Operacioni i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë. Sekuestrohen lëndë e dyshuar narkotike heroinë e ndarë në doza gati për shitje, një sasi metadoni, një peshore elektronike, dy aparate celulare dhe 15.500 lekë të rinj që dyshohet se janë përfituar nga ky aktivitet i paligjshëm.  Vihet në pranga poseduesi i tyre.  Specialistët e Sektorit të Hetimit të Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, pas një pune të mirëfilltë hetimore disamujore, bazuar dhe në të dhënat e grumbulluara në rrugë operative, se një shtetas posedonte dhe shpërndante lëndë narkotike heroinë në zona të ndryshme të Tiranës, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Selita”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit G. Ç., 37 vjeç, banues në rrugën “Ndre Mjeda”, Tiranë.  Ky shtetas, pasi siguronte lëndën narkotike në sasi 200 deri 500 gramë, e ndante atë në porcione të vogla, të cilat më pas i shiste në rrugën “Irfan Tomini”, në bulevardin “Bajram Curri” dhe zona të tjera, kundrejt vlerës 1000 lekë të rinj një dozë me heroinë.  Në rrugën “Irfan Tomini”, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe arrestuar në flagrancë shtetasin G. Ç., 37 vjeç, të cilit gjatë kontrollit fizik iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi lëndë e dyshuar narkotike heroinë e ndarë në doza, gati për shitje. Në vijim të veprimeve hetimore, gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi, u gjetën një sasi metadoni, një peshore elektronike dhe një shumë parash e dyshuar e përfituar nga ky aktivitet i paligjshëm.  Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht  shtetas, konkretisht: 7 janë ndaluar, 32 janë arrestuar në flagrancë dhe 41 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 4 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 6 raste: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Durrës dhe 1 në Berat; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje” dhe 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 4 raste, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 12 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 4 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 7 raste të ndërtimit pa leje, me 8 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për vjedhje të energjisë elektrike, në Lezhë. Po në Lezhë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve” dhe 1 tjetër për “Fshehja e të ardhurave”.

Në Korçë është arrestuar në flagrancë 1 shtetas për “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe 1 tjetër për “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Në Tiranë është proceduar penalisht 1 shtetas, për korrupsion aktiv, 1 për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, 1 për falsifikim dokumentesh, 1 për mashtrim, 1 për përndjekje, 1 për ngacmim seksual dhe 2 për “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.

Në Elbasan është arrestuar në flagrancë 1 shtetas për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe është proceduar penalisht 1 tjetër, për pushtim toke.

Në Vlorë është proceduar penalisht 1 shtetas për veprën penale “Vetëgjyqësia” dhe 1 për “Falsifikimi i dokumenteve”.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 2 aksidente, me 1 viktimë dhe 2 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas dhe janë arrestuar 2 të tjerë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Janë arrestuar në flagrancë 6 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë anë proceduar penalisht 8 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.