Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Korçë – Policia zbardh dhe dokumenton ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në lagjen nr. 7, ku humbi jetën një 67-vjeçar. Arrestohet në flagrancë, për veprën penale “Vrasja me dashje”, fqinji i tij, si autor i dyshuar i ngjarjes. Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur më datë 23.04.2020, ku në lagjen nr. 7, në banesë, u godit me thikë dhe për pasojë gjeti vdekjen shtetasi P. T., 67 vjeç, bënë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasit A. B., 65 vjeç, banues në Korçë. Nga veprimet e para hetimore të kryera, dyshohet se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar mjeti prerës (thikë), i përdorur në krim nga autori i dyshuar A. B. Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.
Tropojë – Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur mbrëmjen e datës 23.04.2020, në fshatin Cërrnicë, ku mbeti i plagosur në gjendje të rëndë shtetasi S. M. Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale, Policia e Tropojës kap dhe arreston autorin e dyshuar. Procedohen në gjendje të lirë 3 shtetas, për “Moskallëzim i krimit”. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Tropojë arrestuan në flagrancë shtetasin S. M., 39 vjeç, banues në Rosuje, Tropojë, pasi në vendin e quajtur “Ura e Bujan”, në fshatin Cërrnicë, mbrëmjen e datës 23.04.2020, dyshohet se për motive të dobëta, ka plagosur me mjet prerës shtetasin S. M., 36 vjeç, banues në fshatin Cërrnicë, i cili ndodhet në gjendje kritike për jetën. Gjithashtu, u proceduan në gjendje të lirë 3 shtetas, për “Moskallëzimi i krimit”, konkretisht: A. L., 54 vjeç, banues në Bujan, R. V., 52 vjeç, banues në Bujan dhe R. G., 54 vjeç, banues në Sopot. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tropojë, për veprat penale “Vrasja me dashje, mbetur në tentativë”, “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Moskallëzimi i Krimit”.
Port, Durrës – Tentuan të kalonin kufirin me para të padeklaruara dhe me dokumente të falsifikuara, arrestohen në flagrancë 2 shtetas. Sekuestrohen 22.090 euro dhe dokumente të dyshuara si të falsifikuara. Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës, në bashkëpunim me Strukturat e DVKM Durrës, arrestuan në flagrancë shtetasit: Sh. B., 58 vjeç dhe B. D., 54 vjeç, banues në Tiranë. Këtyre shtetasve, më datë 23.04.2020, në PKK Durrës, gjatë kontrollit nga shërbimet e Policisë Kufitare të Portit Durrës, në kamionin të cilin e drejtonin të dy (si shofer dhe dublant), iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, shtetasit Sh. B., një leje drejtimi dhe kartë identiteti greke, të dyshuara si të falsifikuara, si dhe 12.090 euro, ndërsa shtetasit B. D., iu gjetën 10.000 euro të padeklaruara gjatë kontrollit doganor. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve i pasaportave ose i vizave”, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” dhe “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë”.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 53 shtetas, konkretisht: 15 janë arrestuar, 4 janë ndaluar dhe 34 po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste, me 6 autorë të arrestuar në flagrancë.
Në fushën e krimeve kundër personit, në gjithë territorin, gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 4 raste, konkretisht: 1 rast i “Kanosja” në Fier dhe 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje” në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 raste të “Vrasja me dashje”, 1 në Tropojë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të dhe 1 në Korçë, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 4 raste të dhunës në familje, 1 në Durrës dhe 2 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, 1 në Berat ku autori është ndaluar dhe janë plotësuar 6 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 6 raste, 1 në Tiranë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 4 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 7 raste të ndërtimit pa leje, 3 në Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Berat, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast aksidenti, në Tiranë, me 1 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar 2 drejtues mjetesh që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 1 në Durrës dhe 1 në Berat.
Janë evidentuar dhe proceduar 2 drejtues mjetesh që drejtonte mjetet pa leje drejtimi, 1 në Korçë dhe 1 në Gjirokastër.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.