Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Lezhë – Policia e Lezhës parandalon dhe godet një tentativë për trafikim të lëndëve eksplozive. Finalizohet operacioni policor i koduar “Pllana”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Lezhë, Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Forca Operacionale në DVP Lezhë. Sekuestrohen 30 kallëpe me lëndë eksplozive C-4, 17 kapsolla detonatore, 2 aparate celulare të lidhura me përcjellës elektrik, gati për t’u montuar me mina me telekomandë, dhe një automjet. Vihen në pranga 2 shtetasit që ushtronin këtë veprimtari kriminale. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve eksplozive, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se disa shtetas që po qarkullonin me mjet nga Miloti në drejtim të Shkodrës, dyshohej se po transportonin lëndë eksplozive, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Pllana”. Në kuadër të këtij operacioni, në aksin e vjetër Milot-Lezhë, në fshatin Pllanë, shërbimet e Policisë kanë identifikuar mjetin e dyshuar dhe kanë bërë të mundur ndalimin e tij. Gjatë kontrollit të automjetit me drejtues shtetasin A. M. dhe pasagjer shtetasin I. L., Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale: 30 kallëpe në formë cilindrike me lëndë eksplozive C-4, 17 kapsolla detonatore, 2 aparate celulare të lidhura me përcjellës elektrik, gati për t’u montuar me mina me telekomandë, si dhe një automjet. Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: A. M., 42 vjeç, banues në Durrës dhe I. L., 46 vjeç, banues në Dibër. Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në të. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja e armëve luftarake, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Trafikimi i lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive”, kryer në bashkëpunim.
Sarandë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Kranea”, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Operacioni i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Delvinë. Vihen në pranga 4 shtetas. Sekuestrohen dy automjete të marra me qira në Tiranë, 6 aparate celulare dhe një shumë parash. Në zbatim të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, me destinacion final vendet e BE-së, shërbimet e Policisë në Komisariatin e Sarandës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Delvinë, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Kranea”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi i shtetasve: E. S.,19 vjeç, K. R., 20 vjeç, E. D., 21 vjeç dhe K. M., 23 vjeç, banues në Tiranë. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin marrë në Konispol, në afërsi të kufirit të gjelbër me shtetin grek, 6 shtetas sirianë që kishin hyrë në mënyrë të parregullt në vendin tonë, me qëllim transportimin e tyre në drejtim të Tiranës, kundrejt pagesës 300 euro, me destinacion final vendet e BE-së. Në kuadër të operacionit, në urën e Kranesë, është bërë bllokimi i dy automjeteve dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve të lartpërmendur. Në cilësinë e proves materiale janë sekuestruar dy automjete të marra me qira në Tiranë, 6 aparate celulare dhe një shumë parash. Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të dyshuar të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Materialet për hetime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim.
DVP Elbasan – Arrestohet në flagrancë 1 shtetas, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”. Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Elbasan u arrestua në flagrancë shtetasi M. P., 34 vjeç, banues në Elbasan, pasi në banesë, në gjendje të dehur, ka ushtruar dhunë fizike ndaj babait të tij. Falë ndërhyrjes në kohë të shërbimeve të Policisë u bë i mundur parandalimi i përshkallëzimit të dhunës dhe ndalimi i 34-vjeçarit, i cili u kap në tentativë për t’u larguar me një mjet që e drejtonte në gjendje të dehur. Gjithashtu, nga shërbimet e Qarkullimit Rrugor u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, shtetasit R. K., 30 dhe R. H., 47 vjeç, banues në Elbasan, pasi janë kapur nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar mjetet, në gjendje të dehur. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 92 shtetas, konkretisht: 5 janë ndaluar, 30 janë arrestuar në flagrancë dhe 57 po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste, me 4 autorë të arrestuar dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 7 raste: 2 raste të“Kanosja”, 1 në Durrës dhe 1 në Kukës; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Fier; 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Durrës dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 10 raste, me 5 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 11 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 8 raste: 4 raste me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 4 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 9 raste të ndërtimit pa leje, me 14 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve:, 1 në Gjirokastër, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe 1 në Korcë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Vetëgjyqësia”.
Janë evidentuar 2 raste të “Organzimi i lotarive të palejuara”, 1 në Korcë dhe 1 në Berat, ku autorët janë arrestuar në flagrancë.
Janë proceduar penalisht 4 shtetas, për veprën penale “Pushtim toke”, 2 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Berat.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 7 raste aksidentesh, me 9 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë arrestuar në flagrancë 3 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.