Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Kurbin – Goditet një tjetër rast i kultivimit të bimëve narkotike me anë të llambave. Finalizohet me sukses nga Komisariati i Policisë Kurbin, në bashkëpunim me DVP Lezhë, operacioni policor antikanabis i koduar “Bushneshi”. Policia zbulon në katin e parë të një banese, një lokal të përshtatur si laborator që shërbente për kultivimin e bimëve narkotike, nëpërmjet ngrohjes me llamba, dhe një sasi të konsiderueshme lënde narkotike. Sekuestrohen 58 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa dhe pajisje të ndryshme elektrike që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike. Vihen në pranga në 7 shtetas, 4 prej tyre me detyrë elektricistë dhe faturistë pranë OSHEE Kurbin. Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin dhe të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në vijim të punës intensive për goditjen e paligjshmërisë, kontrolleve të pandërprera për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, prodhimit dhe shitjes së tyre, pas informacioneve të siguruara në rrugë policore, u bë i mundur finalizimi me sukses i operacionit antikanabis të koduar “Bushneshi”. Gjatë operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: L. A., 54 vjeç, banues në Bushnesh, Kurbin, T. B., 27 vjeç, banues në Arrameras, Fushë Krujë dhe G. H., 43 vjeç, banues në Tetovë. Arrestimi i këtyre shtetasve u bë për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”, kryer në bashkëpunim, pasi në fshatin Bushnesh, Kurbin, kishin përshtatur katin e parë të një banese ku kishin bërë lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, me aparatura që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike. Gjithashtu janë arrestuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, shtetasit: Xh. D., 58 vjeç, banues në Bushnesh, më detyrë elektricist, Xh. K., 56 vjeç, banues në Mamurras, me detyrë elektricist, B. Gj., 33 vjeç, banues në Fushë Mamurras, me detyrë përgjegjës në OSHEE Kurbin dhe A. F., 53 vjeç, me detyrë faturist i OSHEE, pasi dyshohet se kanë lejuar lidhje të paligjshme të energjisë elektrike në transformatorin elektrik me pjesën e jashtme që furnizonte me energji ndërtesën e përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike. Gjatë kontrollit të ambientit u gjetën dhe u sekuestruan 506 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa të kultivuara në vazo dhe 58 kilogramë e dyshuar lëndë narkotike cannabis sativa. Në këtë ndërtesë u konstatua një lidhje e paligjshme e energjisë elektrike, e cila shërbente për furnizimin me energji të pajisjeve si llamba, aspirator, filtra ajrimi etj, që ndihmonin në kultivimin e bimëve narkotike. Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan të gjitha pajisjet që kanë shërbyer për kultivimin e bimëve narkotike, si: pajisje elektrike, llamba elektrike termale, lëndë ushqyese për bimët narkotike etj. Materialet për veprime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprime të mëtejshme.
Tiranë – Ushtruan veprime të dhunshme gjatë dhe pas ndeshjes Tirana-Partizani, vihen në pranga 4 shtetas, procedohet penalisht 1 tjetër. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1, në vijim të veprimeve hetimore për situatën e krijuar gjatë dhe pas ndeshjes Tirana-Partizani të zhvilluar mbrëmjen e djeshme në stadiumin “Air Albania”, bënë identifikimin, shoqërimin dhe arrestimin e shtetasve, të cilët gjatë ndeshjes hodhën flakadanë në fushë dhe pas përfundimit të saj ushtruan veprime të dhunshme, duke dëmtuar stolat e stadiumit. Nga shërbimet e Policisë u arrestuan në flagrancë shtetasit A. P., 24 vjeç, për veprat penale “Goditje për shkak të detyrës”, “Veprime të dhunshme në aktivitetet sportive” dhe “Deklaratat e rreme përpara oficerit të Policisë Gjyqësore”. Ky shtetas, gjatë intervistimit nga shërbimet e Policisë, fillimisht ka pohuar se nuk ka qenë i pranishëm në stadium gjatë zhvillimit të ndeshjes, por pas këqyrjes së pamjeve filmike, ka rezultuar se ka qenë pjesmarrës dhe pasi ka hyrë në fushën ku zhvillohej ndeshja, ka goditur punonjësin e shërbimit të sigurisë; S. P., 19 vjeç, S. P., 28 vjeç dhe L. P., 18 vjeç, për veprën penale “Veprime të dhunshme në aktivitetet sportive”. Gjithashtu, u procedua penalisht shtetasi Xh. Z., 25 vjeç, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, pasi nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë për shoqërim. Nga shërbimet e Policisë janë shoqëruar edhe disa shtetas të tjerë si të dyshuar se kanë kryer veprime të dhunshme gjatë aktivitetit sportiv, konkretisht: I. V.; D. I.; E. K.; H. T.; E. T.; E. L.; A. T.; M. M.; E. T.; A. M.; M. S.; R. Z.; G. A.; E. V., E. E. dhe K. Sh., të cilët pas marrjes së deklarimeve u lanë të lirë. Këta shtetas, gjatë ndeshjes Tirana-Partizani, kanë hedhur lëndë piroteknike në fushën ku zhvillohej ndeshja dhe pas përfundimit të saj, kanë dëmtuar stolat. Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të këtij rasti, identifikimin dhe shoqërimin e personave të tjerë që kanë ushtruar veprime të dhunshme gjatë aktivitetit sportiv. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 83 shtetas, konkretisht: 8 janë ndaluar, 32 janë arrestuar në flagrancë dhe 43 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 4 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, me 15 të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 5 raste: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Dibër dhe 1 në Kukës, 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në Tiranë dhe 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja”, në Tiranë, ku po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve”.
Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 5 raste, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 7 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 9 raste, 3 raste me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 6 për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 5 raste të ndërtimit pa leje, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për vjedhje të energjisë elektrike.
Janë evidentuar 3 raste të shkatërrimit të pronës, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Jnaë proceduar penalisht 2 shtetas, për mbajtje pa leje të armëve të ftohta, 1 në Tiranë dhe 1 në Elbasan.
Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”.
Në Berat jane ndaluar 2 shtetas, për korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Në Durrës është proceduar penalisht 1 shtetas për veprën peanle “Mashtrimi” dhe 1 tjetër për “Trafikimi i mjeteve motorike”.
Në Korcë është proceduar penalisht 1 shtetas, për kundërshtim të punonjësit të policisë.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 5 aksidente, me 6 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas, për “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Janë arrestuar në flagrancë 3 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Janë proceduar penalisht 3 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.