Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 23 dhjetor 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Interpol Tirana – Falë bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Romën, ekstradohen drejt Italisë 2 shtetas shqiptarë të kërkuar nga drejtësia italiane për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve. Nga Interpol Tirana u ekstradua drejt Italisë shtetasi në kërkim ndërkombëtar F. T., 49 vjeç banues në Lushnjë, për të cilin Gjykata e Pavias, Itali, ka lëshuar urdhrin e arrestit për veprimtari kriminale në fushën e drogës. Shtetasi F. T. ka pasur rolin e menaxherit të një grupi që merrej me trafikim droge. Ky shtetas, në periudha të ndryshme kohore, merrej me sigurimin e lëndës narkotike të llojt kokainë. Po nga Interpol Tirana u ekstradua për në Itali shtetasi në kërkim ndërkombëtar Fation Xhezairi, 35 vjeç, banues në Durrës, të cilin Gjykata Apelit e Ankonës, Itali, e ka dënuar me 5 vjet, 9 muaj e 6 ditë burg, për veprën penale “Trafik droge”. Nga fillimi i qershorit deri në fund të gushtit 2011, në një zonë të Italisë, ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, është marrë me shitje të lëndëve narkotike dhe ka menaxhuar dorëzimin e lëndëve narkotike të llojit  kokainë dhe heroinë nga tregtarë droge me origjinë nga Italia. Në disa raste ka hasur problematika për të marrë paratë që i kishin borxh tregtarët lokal të drogës, të cilët ai i kërcënonte dhe i detyronte me dhunë që t’i jepnin paratë. Në Rinas, specialistët e Interpol Tiranës, të dy shtetasit e arrestuar ua kanë dorëzuar oficerëve të eskortës Interpol Roma, për shoqërimin drejt Italisë.

Kukës – Policia, në bashkëpunim me Interpol Tiranën, vë në pranga një shtetas kosovar të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Bosnje Hercegovina. Arrestimi provizor i 39-vjeçarit, me qëllim ekstradimi. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Kukës bënë arrestimin provizor të shtetasit A. K., 39 vjeç, banues në Kosovë. Shtetasi A. K. u ndalua në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar të Morinës, pasi gjatë përpunimit dhe verifikimit të të dhënave në sistem rezultoi person në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Sarajevo, Bosnje Hercegovina. NCB Sarajevo, Bosnje Hercegovina, ka lëshuar urdhër-arresti për këtë shtetas, për veprën penale “Ryshfet/korrupsion”, parashikuar nga Kodi Penal i Bosnje Hercegovinës. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.

Shkodër – Identifikohen dhe shpallen në kërkim autorët e dyshuar të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, në fshatin Dobraç, ku disa shtetas kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të lokalit të shtetasit A. P. Nga strukturat e DVP Shkodër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkodër, falë veprimeve të shpejta hetimore u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit R. P., O. P., B. P. dhe M. Sh. Shpallja në kërkim e këtyre shtetasve u bë pasi mbrëmjen e djeshme dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të lokalit të shtetasit A. P., banues në fshatin Dobraç, Shkodër.  Vijon puna intensive për kapjen e personave të shpallur në kërkim. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

DVP Lezhë – Vijon zbatimi i planit të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore. Bllokohet nga Policia, 1 automjet që transportonte lëndë drusore të prerë në mënyrë të paligjshme.  Procedohet penalisht drejtuesi i mjetit që po transportonte lëndën drusore. Në kuadër të bashkëpunimit me strukturat e DVP Lezhë dhe në zbatim të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, shërbimet e Njësisë Operacionale për Autostradën Milot-Morinë, kanë konstatuar dhe ndaluar në Skuraj, Kurbin, një mjet tip kamionçinë që transportonte lëndë drusore.  Gjatë kontrollit të ushtruar, shërbimet e Policisë kanë konstatuar se drejtuesi i mjetit, shtetasi S.R., po transportonte lëndë drusore të prerë në mënyrë të paligjshme. Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Parandalimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Mirditë, kanë proceduar penalisht shtetasin S. R., 38 vjeç, banues në Kurbin. Materialet në ngarkim të tij janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme. Policia e Shtetit do të vijojë kontrollet për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore dhe në këtë kuadër kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë 112, duke siguruar anonimatin dhe reagim të paanshëm kundrejt shkelësve të ligjit.

Tiranë – Kapen dhe ndalohen 2 shtetas të shpallur në kërkim kombëtar. Arrestohen në flagrancë 6 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale. Në vijim të punës për kapjen e personave të kërkim, nga strukturat e DVP Tiranë u bë kapja dhe ndalimi 2 shtetasve, konkretisht:  Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit O. Xh., 22 vjeç, pasi më datë 09.12.2020, gjatë protestës së zhvilluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” i ka vënë flakën pemës së Krishtlindjeve. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit E. L., 34 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi R. C., 21 vjeç, pasi më datë 11.12.2020, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur mjetin motor në pronësi të shtetasit I. L. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. H., 27 vjeç, pasi në rrugën “Shemsie Haka”, gjatë kontrollit fizik iu gjet e u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike kokainë. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. K., 28 vjeç, pasi i ka vjedhur telefonin shtetasit G. Gj. Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit G. B., 67 vjeç, për veprat penale “Prishja e qetësisë publike” dhe “Vjedhja”. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit D. L., 45 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Dhuna ne familje”, pasi në rrugën “Dëshmorët e Fekenit”, në gjendje të dehur dhe në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, ka ushtruar dhunë psikologjike në prezencë të dy fëmijëve, ndaj bashkëshortes, e cila është e pajisur me urdhër mbrojtjeje. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. K.,  45 vjeç, pasi  në rrugën “Loni Ligori”, ka ushtruar dhunë fizike ndaj vajzës së tij të mitur dhe për të shmangur shoqërimin e tij, ka goditur për shkak të detyrës punonjësin e Policisë. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit K. S., 32 vjeç, pasi në rrugën “Sulejman Pasha”, u kap duke drejtuar mjetin  në gjendje të dehur, në masën 0.61 mg/l. Materialet iu dërguan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Vlorë – Kapet dhe ndalohet 1 shtetas i shpallur në kërkim. Në pranga edhe 2 drejtues mjetesh. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, kanë kapur dhe ndaluar shtetasin e shpallur në kërkim G. B. alias A. B., 34 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Sarandë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasit F. S, 52 vjeç, banues në Sarandë dhe D. T., 46 vjeç, banues në Vlorë, pasi u konstatuan duke drejtuar mjetet në gjendje të dehur. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 49 shtetas, konkretisht: 2 janë ndaluar, 18 janë arrestuar dhe 29 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 2 shtetas të shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 2 në Tiranë dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të dhunës në familje, në Tiranë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë dhe janë plotësuar 12 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 13 raste: 1 në Tiranë dhe 1 Fier, ku autorët janë arrestuar në flagrancë dhe 11 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Është evidentuar 1 rast i “Vjedhja e energjisë elektrike”, në Gjirokastër, ku autori po procedohet ne gjendje të lirë.

Janë evidentuar 8 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Tiranë, 3 në Durrës, 1 në Shkodër, 1 në Korçë dhe 2 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Prishja e qetësisë publike”, në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Vetëgjyqësia”, në Dibër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, në Korçë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Mbajtja pa leje e armëve të gjahut”, në Dibër, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 2 raste të “Shkatërrimi i pronës”, 1 në Fier dhe 1 në Kukës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë proceduar 4 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 5 raste aksidentesh, me 9 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar 4 shtetas që drejtonin mjetet ne gjendje të dehur, 1 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Elbasan dhe 1 në Vlorë.

Janë evidentuar dhe proceduar 4 shtetas që drejtonin mjete pa leje drejtimi, 2 në Korçë dhe 2 në Vlorë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.