Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 22 shtator 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Kavajë – Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur më datë 16.09.2020, në një lokal, ku mbetën të dëmtuar me mjet prerës (thikë) dy shtetas. Ndalohet 45-vjeçari i shpallur në kërkim për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë, menjëherë pas njoftimit se në Kavajë, në ambientet e një lokali po konfliktoheshin disa shtetas dhe për pasojë dy prej tyre ishin plagosur me mjet prerës (thikë), menjëherë kanë organizuar punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe kapjen a autorit. Si rezultat e një pune të pandërprerë për kapjen e tij, nga shërbimet e Policisë Kavajë u bë e mundur kapja dhe vënia në pranga e autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasit R.  A., 45 vjeç, banues në Kavajë. Ky shtetas, më datë 16.09.2020, dyshohet se pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës thikë shtetasin B. Ç. dhe pronarin e lokalit shtetasin M. A., i cili ka ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë, për veprime të mëtejshme.

DVP Dibër – Vijon operacioni policor i koduar “Porosia”. Shkon në 7 numri i personave të arrestuar në kuadër të operacionit për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Operacioni policor, pas disa muajsh hetime nga DVP Dibër, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër dhe finalizuar 3 javë më parë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit. Kapet dhe ndalohet një tjetër shtetas i përfshirë në veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza të vogla. Në vijim të hetimeve të kryera nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Dibër, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe nën drejtimin e Prokurorisë Dibër, gjatë hetimeve në kuadër të operacionit “Porosia” ka rezultuar se shtetasi SH. P., 29 vjeç, banues në Bulqizë, është bashkëpunëtor i 6 shtetasve të tjerë të arrestuar më datë 30 gusht 2020, për veprimtari kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza të vogla, në qytetin e Bulqizës dhe zonën përreth. Si rezultat, gjatë mbrëmjes së djeshme, pas një pune të mirorganizuar nga strukturat e DVP Dibër u bë u mundur kapja dhe ndalimi i tij. Operacioni vijon.

Shkodër – Policia e Shkodrës ka ndëshkuar me nga 1.000.000 lekë gjobë, pronarët e dy lokaleve, pasi u konstatuan duke ushtruar aktivitet në kundërshtim me Aktin Normativ. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në vijim të kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, kanë konstatuar dy lokale në të cilët ishin organizuar ceremoni festive në kundërshtim me Aktin Normativ, duke mos respektuar protokollet e sigurisë.  Shërbimet e Policisë i kanë vendosur pronarëve të subjekteve, shtetasve I. I. dhe M. B., masën administrative 1.000.000 lekë secilit. Policia e Shkodrës apelon për të gjithë pronarët/administratorët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Tepelenë – Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë kanë kapur dhe ndaluar shtetasin e shpallur në kërkim R. P., 45 vjeç, banues në fshatin Dragot, Tepelenë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi në datën 04.09.2020, gjatë kontrollit të ushtruar në fshatin Dragot, Tepelenë, në oborrin e banesës së tij u konstatuan të kultivuara disa bimë narkotike. Materialet në ngarkim të shtetasit R. P. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Elbasan – Finalizohet operacioni policor i koduar “Markata”, për goditjen e shpërndarjes së drogave në doza të vogla. Arrestohen në flagrancë dy shtetasit që posedonin dhe shpërndanin lëndën narkotike. Sekuestrohen doza me lëndë narkotike cannabis sattiva, 2 aparate celular, një mjet dhe para të përfituara nga shitja e lëndës narkotike. Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së drogave në doza të vogla dhe kontrolleve të shtuara për rritjen e parametrave të sigurisë, specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Elbasan zhvilluan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Markata”, në kuadër të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit D. P., 25 vjeç dhe R. B., 31 vjeç, banues në Elbasan.  Arrestimi i tyre u bë pasi në lagjen “Brigada”, Elbasan, pranë markatës, gjatë kontrollit fizik iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale doza me lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa, 2 aparate celularë, 42.000 lekë të përfituara nga shitja e lëndës narkotike dhe mjeti tip “Suzuki” me të cilin lëviznin këta shtetas. Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë që janë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Maliq – Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Maliq bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit S. M., 23 vjeç, banues në fshatin Zvirinë, Maliq, pasi në këtë fshat dyshohet se ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë me një 48-vjeçare. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë.

Rinas – Intensifikohen kontrollet për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Evidentohen dy raste të tentativës për kalim të kufirit me dokumente të falsifikuara. Gjatë muajit shtator, nga Policia Kufitare e Rinasit janë evidentuar dhe goditur edhe 12 raste të tjera, konkretisht 7 raste për falsifikim të pasaportave dhe letërnjoftimeve, 3 raste për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm dhe 2 raste për mosdeklarim të vlerave monetare. Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, në kuadër të masave të shtuara për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si rezultat i intensifikimit të kontrolleve të specializuara, duke përdorur edhe aparaturën e re të dhuruar nga ambasada gjermane, për identifikimin e dokumenteve të falsifikuara, kanë evidentuar dhe goditur dy raste të tentativës për kalim të paligjshëm të kufirit me dokumente të falsifikuara. Shërbimet e Policisë Kufitare kanë vënë në pranga shtetasin I. N., 22 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Falsifikimi i pasaportave ose vizave” dhe “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe GJ. P., 30 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose i vizave”. Shtetasi I. N. i ka shitur një kartë identiteti greke me të dhënat e tij, shtetasit GJ. P., i cili ka tentuar të udhëtojë për në Angli. Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 93 shtetas, konkretisht: 33 janë arrestuar, 5 janë ndaluar dhe 55 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 5 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 13 raste, me 6 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 9 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 8 raste: 4 raste të “Kanosja”, 3 në Tiranë dhe 1 në Fier; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në Korçë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 8 raste të dhunës në familje, 3 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 2 në Elbasan, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 1 në Fier dhe 1 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 11 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 9 raste, 2 raste me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë, dhe 7 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 8 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Tiranë, 1 në Durrës, 4 në Fier, 1 në Vlorë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, në Korçë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Mashtrimi”, në Korçë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Fshehja e të ardhurave”, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Përndjekja”, në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Ndotja e ajrit”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të mbajtjes pa leje të armëve të ftohta, 1 në Gjirokastër, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe 1 në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 7 raste aksidentesh, me 2 viktima dhe 7 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 8 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi.

Janë evidentuar dhe proceduar 8 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.