Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 23 shkurt 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tiranë – Kontrolle në automjete dhe ambiente të ndryshme, për goditjen e paligjshmërisë, kapjen e personave në kërkim dhe të atyre që qarkullojnë me sende të kundërligjshme.  Si rezultat i kontrolleve është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri me municion luftarak.  Në vijim të kontrolleve për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, për kapjen e personave në kërkim dhe të atyre që qarkullojnë me sende të kundërligjshme, në rrugën “Siri Kodra”, është ushtruar kontroll në automjetin me drejtues shtetasin E. C., 24 vjeç. Gjatë kontrollit fizik ndaj këtij shtetasi, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” i gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri me fishekë luftarak.  Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. C., për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.  Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Kurbin – Finalizohet operacioni policor i koduar “Vinjolli”. Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur në janar 2022, në fshatin Vinjollë, ku 3 persona të maskuar, me anë të dhunës, kanë marrë 150.000 lekë të rinj në banesën e shtetasit A. L. Vihet në pranga njëri nga autorët e dyshuar, shpallen në kërkim 2 të tjerët. Në vijim të veprimeve hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjeve të ndodhura më parë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të dyshuar, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin, duke vlerësuar çdo informacion dhe duke administruar çdo provë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, kanë finalizuar operacionin “Vinjolli”. Si rezultat i këtij operacioni është zbardhur ngjarja e ndodhur më datë 12.01.2022, në mesnatë, në fshatin Vinjollë, ku 3 persona të maskuar me uniforma kamuflazhi, me përdorimin e dhunës, kanë marrë në banesën e shtetasit A. L., shumën 150.000 lekë të rinj. Bazuar në provat dhe informacionet e grumbulluara, janë identifikuar si autorë të dyshuar shtetasit E. D., 21 vjeç, banues në Krujë, i ndaluar gjatë operacionit, si dhe shtetasit I. K., 30 vjeç, banues në Krujë dhe G. B., 22 vjeç, banues në Krujë, të cilët u shpallën në kërkim dhe punohet për kapjen e tyre. Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit E. D., janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, disa veshje të cilat dyshohen të jenë përdorur nga ky shtetas gjatë kryerjes së veprës penale. Vijon puna hetimore pasi dyshohet se këta shtetas kanë kryer një sërë vjedhjesh të tjera. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprën penale “Vjedhja me dhunë” kryer në bashkëpunim”.

Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Cryptocurrency”. Operacioni i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar dhe Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë. Sekuestrohen pajisje për prodhimin e kriptomonedhave, sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa dhe municion luftarak.  Arrestohet në flagrancë poseduesi i tyre. Shërbimet e Komisariarit të Policisë Nr. 2, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë dhe OSHEE-në, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Cryptocurrency”, gjatë të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit S. E., 28 vjeç, banues në rrugën “Frosina Plaku”, Tiranë.  Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi, në rrugën “Frosina Plaku”, shërbimet e Policisë kanë gjetur pajisje për prodhimin e kriptomonedhave dixhitale. Në vijim të kontrollit, në ambiente të ndryshme të banesës, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit cannabis sativa dhe municion luftarak. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan pajisje për prodhimin e kriptomonedhave dixhitale, sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit cannabis sativa, dy peshore elektronike, municion luftarak, një aparat celular, 191.700 lekë të rinj dhe 90 euro.  Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 80 shtetas, konkretisht: 7 janë ndaluar, 32 janë arrestuar në flagrancë dhe 41 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 4 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 4 raste: 1 rast i “Kanosja”, në Tiranë; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja” mbetur në tentativë, me 4 autorë të arrestuar/ndaluar.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 4 raste, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 7 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 13 raste, 6 raste me 5 autorë që po procedohen në në gjendje të lirë dhe 2 autorë të arrestuar në flagrancë; 7 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 4 raste të ndërtimit pa leje, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për vjedhje të energjisë elektrike, në Tiranë.

Në Vlorë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Në Dibër janë proceduar penalisht 2 shtetas, 1 për “Vetëgjyqësia” dhe 1 për “Kanosja për shkak të detyrës”.

Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike, 2 në Tiranë dhe 1 në Shkodër.

Në Tiranë është arrestuar në flagrancë 1 shtetas dhe 1 është proceduar penalisht 1 tjetër, për veprën penale “Mashtrimi”.

Në Korçë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Janë arrestuar në flagrancë 4 shtetas, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, 1 në Gjirokastër dhe 3 në Elbasan.

Në Durrës është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”.

Në Shkodër janë proceduar penalisht 6 shtetas, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave kontrabandë”.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 6 aksidente, me 1 viktimë dhe 5 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas dhe janë arrestuar 2 të tjerë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Janë arrestuar në flagrancë 7 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë arrestuar në flagrancë 2 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.