Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 22 prill 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Vlorë – Finalizohet operacioni i koduar “Bashkëpunimi”. Operacioni, nga Sektori për Krimet ndaj Personit pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vlorë. Falë bashkëpunimit me qytetarët vihet në pranga 36-vjeçari i kërkuar për ngjarjen e 8 prillit 2020. Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në vijim të punës intensive për kapjen e personave në kërkim, falë bashkëpunimit të ngushtë me qytetarët, kanë organizuar punën, duke finalizuar me sukses operacionin “Bashkëpunimi”, për kapjen dhe ndalimit e shtetasit: E. Sh., 36 vjeç, banues në Radhimë, Vlorë. Ky shtetas dyshohet të jetë një nga autorët e implikuar në ngjarjen e ndodhur më 8 prill, në aksin rrugor Radhimë-Orikum, ku në bashkëpunim me një shtetas tjetër, ka plagosur lehtë me armë zjarri shtetasin D. K. Këtij shtetasi, Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kanosja”, “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Armëmbajtja pa leje”. Materialet do t’i referohen Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme.

Berat – Drejtonte mjetin në gjendje të dehur dhe në kundërshtim me Aktin Normativ, arrestohet drejtuesi i mjetit. Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor në DVP Berat u arrestua në flagrancë shtetasi E. M., 32 vjeç, banues në Roshnik, Berat, pasi u kap nga shërbimet e Policisë duke drejtuar automjetin tip “Benz”, në gjendje të dehur dhe në kundërshtim me Aktin Normativ nr. 3, datë 15.03.2020. Gjithashtu është arrestuar shtetasi A. D., 51 vjeç, banues në Kuçovë, pasi në vendin e quajtur “Vidha”, në rrugën e Kuçovës, duke drejtuar mjetin motor tip “Honda”, në gjendje të dehur, është përplasur me bordurën dhe për pasojë ka mbetur i plagosur, jashtë rrezikut për jetën. Policia e Shtetit vijon monitorimin dhe kontrollin e të gjitha akseve rrugore dhe apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e ndalim qarkullimit. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprën penale “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 49 shtetas, konkretisht: 5 janë arrestuar, 4 janë ndaluar dhe 40 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve është evidentuar 1 rast, me 1 autor të arrestuar në flagrancë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 9 raste: 1 rast i “Kanosja”, në Durrës; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Korçë dhe 1 në Vlorë; 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje” 2 në Tiranë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja me dashje”, në Elbasan, ku autori është arrestuar në flagrancë; 1 rast i “Vrasja me dashje”, në Fier, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 6 raste të dhunës në familje, 5 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, 1 në Gjirokastër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 12 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 4 raste, 1 në Tiranë dhe 1 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 2 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 5 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Tiranë, 2 në Vlorë, 1 në Shkodër dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar dhe proceduar 1 drejtues mjeti që drejtonte mjetin në gjendje të dehur, në Berat.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.