Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Durrës – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Last move”. Përdorte pistoletë lodër dhe armë të ftohta, për të vjedhur me dhunë në subjekte të ndryshme, vihet në pranga 28-vjeçari, i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale. Sekuestrohen një pistoletë lodër dhe një armë e ftohtë (thikë). Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë penale, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Last move”, si rezultat i të cilit u kap dhe u ndalua, për veprat penale “Vjedhja me dhunë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, shtetasi në kërkim: Sh. Z., 28 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas ka vjedhur me dhunë, duke përdorur një pistoletë lodër, në dy subjekte të ndryshme, konkretisht: Më datë 17.07.2022, në një dyqan, i ka vjedhur me dhunë shitëses, duke e kërcënuar me pistoletë lodër, shumën 45.000 lekë; Më datë 18.07.2022, në një supermarket, i ka vjedhur me dhunë shitëses, duke e kërcënuar me pistoletë lodër, shumën 56.000 lekë. Gjatë kontrollit fizik ndaj këtij shtetasi, shërbimet e Policisë i gjetën dhe i sekuestruan në cilësinë e provës materiale një pistoletë lodër dhe një thikë, të cilat dyshohet se ky shtetas i përdorte për të kryer vjedhjet, si dhe një sasi parash. Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Dibër – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Delivery”. Operacioni, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Dibër, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër. Ekzekutohen masat e sigurisë “Arrest në burg”, për 2 shtetas që shpërdoruan detyrën. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Dibër, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Delivery”. Në kuadër të këtij operacioni u bë ndalimi dhe ekzekutimi i masave të sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit: I. V., 64 vjeç, banues në Peshkopi, me detyrë kryetar i degës postare Dibër, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”; Xh. D., 64 vjeç, banues në Peshkopi, me detyrë kryetar i Zyrës së Shërbimeve dhe Marketingut në degën e Postës Shqiptare në Dibër, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”. Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, i kanë shkaktuar degës postare Dibër, një dëm ekonomik në vlera të konsiderueshme monetare. Gjithashtu është shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e shtetasit G. H., 33 vjeç banues në njësinë administrative Kastriot, ish-punonjës i shërbimit postar në njësinë administrative Kastriot, Dibër, për veprat penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën” dhe “Falsifikimi i dokumentave”, pasi dyshohet se ka vjedhur masat e pensionit dhe të ndihmës ekonomike, si dhe ka falsifikuar mandat-pagesat duke firmosur në emër të përfituesve. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 70 shtetas, konkretisht: 7 janë ndaluar, 17 janë arrestuar në flagrancë dhe 46 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 7 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste, me 3 të arrestuar dhe 4 të shpallur në kërkim.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 5 raste, me 5 autorë të proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 6 raste të dhunës në familje, me 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 2 të arrestuar. Janë plotësuar 9 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 12 raste, 3 prej tyre me 1 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 9 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 2 raste të krimeve mjedisore, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e shkatërrimit të pronës me zjarr janë evidentuar 2 raste, me autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 6 raste, me 6 të proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 7 të proceduar në gjendje të lirë.
Është evidentuar i “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 1 autor të arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 rast i korrupsionit, me 1 të dyshuar arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 rast i “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 1 të proceduar në gjendje të lirë.
Eshtë evidentuar 1 rast i “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të rritur”.
Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 7 aksidente, me 9 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë arrestuar në flagrancë 9 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 9 të tjerë, për vepra penale në fushën e qarkullimit rrugor.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.